RMV, vetëm dy prej kryetarëve të komunave dhe 17% e këshilltarëve komunalë janë të rinj

Krahas grave dhe personave me pengesa, të rinjtë janë edhe një prej grupeve, i cili në aspektin e pjesëmarrjes politike është ndër më të margjinalizuarat në vend, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndonëse një e katërta e popullsisë janë të rinj, nën moshën 29 vjeç, vetëm 3% e kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale që mbajtën në tetor të këtij viti ishin të rinj. Prej tyre vetëm dy janë zgjedhur si të parët e komunave. Këtë e ka treguar hulumtimi i realizuar gjatë zgjedhjeve lokale në vend nga Fondacioni Westminster për Demokraci (FWD).

Autorët e hulumtimit – Jovana Gjorgjiovska dhe Blazhen Maleski, gjatë prezantimit me titull “Pjesëmarrja e vonuar e të rinjve – Zgjedhjet Lokale 2021” thanë se të rinjve u duhet më shumë kohë për të vendosur të përfshihen në jetën politike. Shumica e njerëzve hyjnë në politikën lokale si kryetarë komunash ose këshilltarë pesë deri në dhjetë vjet pasi, sipas Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore, nuk i përkasin edhe më tej kategorisë së të rinjve,.

Të rinjtë në vend kanë më shumë gjasa të zgjidhen këshilltarë komunalë sesa kryetarë komune apo deputetë.

Vetëm 2.5 për qind e kryetarëve të komunave janë të rinj

Vetëm tre përqind e kandidatëve për kryetarë komunash ishin të rinj. Janë analizuar kandidaturat e paraqitura nga partitë, koalicionet dhe grupet e pavarura në 79 komuna, duke përjashtuar komunat Qendra Zhupë dhe Mavrovë e Rostushe, ku proceset për zgjedhjen e kryetarit nuk kanë përfunduar ende.

Nga 299 kandidatët e analizuar për kryetarë komunash, 8,3 për qind ishin femra dhe vetëm 3 për qind të reja. Të rinjtë në përgjithësi, nga ana tjetër, si kandidatë ishin të propozuar vetëm në 11% të komunave.

Është interesant të theksohet gjithashtu se dy të tretat e kandidatëve të rinj ishin të nominuar në komuna rurale.

“Kjo do të thotë se të rinjtë kanë shumë më tepër qasje në jetën politike në komunat rurale, gjë që ishte interesante për ne sepse shumë të rinj shpesh studiojnë në komuna të tjera më të mëdha ose në qytetin e Shkupit”, theksuan autorët e studimit.

Gjithsej 43 subjekte politike nuk kanë nominuar fare kandidatë të rinj për kryetar komune, duke përfshirë edhe ato të mbështetura nga grupe të pavarura qytetare.

Më së shumti kandidatë të rinj ka propozuar LSDM dhe koalicioni, gjithsej tre. Dy i ka propozuar BESA dhe një TMORO, Epoka e Tretë Maqedonase, VMRO-DPMNE e koalicioni,  si dhe koalicioni PLD dhe DOM.

Mosha mesatare e kryetarëve të zgjedhur është 42,67 vjeç. Moshën mesatare më të ulët 38 vjeç e kanë kryetarët e komunave në rajonin juglindor.

Kandidatët e rinj zakonisht janë në fund të listave për këshilltarë

Prania e të rinjve është më e dukshme në listat e këshilltarëve, kështu që 26,4 për qind e kandidatëve për këshilltarë në zgjedhjet lokale ishin të rinj. Ky numër është më se i mjaftueshëm, thonë autorët e studimit, megjithatë vetëm 17,4 për qind e këshilltarëve të zgjedhur ishin të rinj nën 29 vjeç. Arsyeja për këtë është se shumica e kandidatëve të rinj të propozuar ishin më poshtë në listat e kandidatëve, gjë që ua ulë shanset për t’u përzgjedhur.

Nga gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë në 81 komuna, 45% ishin gra. Mosha mesatare e kandidatëve (eve) për këshilltarë ishte 39,91 vjeç.

Kur bëhet fjalë për këshilltarët, vetëm shtatë parti dhe koalicione politike, si dhe gjashtë grupe të pavarura votuesish, kanë propozuar kandidatë të rinj. Rreth 70 për qind e të gjithë subjekteve politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale nuk kanë nominuar asnjë kandidat të ri si bartës të listës së kandidatëve

Mbi 55% e të rinjve, bartësve të listave, janë propozuar në komunat rurale, ndërsa 32% në komunat urbane. Pothuajse 12 për qind e të rinjve janë nominuar në komunat e Shkupit, ndërsa në listat e kandidatëve për këshilltarë të qytetit të Shkupit nuk ka pasur asnjë të ri bartës të listës.

Mosha mesatare e 1347 këshilltarëve të përzgjedhur është 39,6 vjeç. Prej tyre, 36,2 për qind janë gra.

Nga të gjithë kandidatët e rinj për këshilltarë, vetëm 8.5 për qind u zgjodhën këshilltarë. Edhe kësaj radhe, këshilltarët e zgjedhur në komunat rurale janë mesatarisht 2 deri në 3 vjet më të rinj se kolegët e tyre në komunat urbane dhe ata të qytetit të Shkupit.

Nevojitet mbështetje më e madhe për kandidatët e rinj

Gjorgjiovska dhe Maleski theksuan se në të ardhmen është e nevojshme që të njihen më mirë me kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë, të cilët duhet t’i përfaqësojnë qytetarët, përfshirë edhe të rinjtë. Gjithashtu thanë se nuk mjafton mbështetja që kandidatët e rinj e kanë nga partitë.

“Kandidatëve të rinj shpesh u mungon mbështetja, madje edhe mbështetjen që e kanë nuk është e mjaftueshme që të mund ta shfrytëzojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe këtu mund të përfshihet gjithçka, nga mbështetja e drejtpërdrejt financiare për fushatat e deri tek përvojat e drejtpërdrejta për atë se si udhëhiqen proceset politike, si ndërtohet një program zgjedhor, si bëhet vetëqeverisja lokale dhe çfarë do të thotë kjo për një kandidat të ri, i cili duhet të bëhet kryetar komune”, theksuan Gjorgjiovska dhe Maleski.

Ata rekomanduan edhe vendosjen e kuotave për të rinj në listat e kandidatëve për pozitat e këshillit, duke ndjekur shembullin e kuotave të përcaktuara sipas gjinisë. Por për këtë, thonë autorët, do të duhet të priten të dhënat nga regjistrimi i kryer i popullsisë.

Sa i përket përdorimit të teknologjisë së gjurmëve të gishtave në zgjedhje, thonë se në të ardhmen duhet të bëhet një analizë demografike e pjesëmarrjes, për të pas pasqyrë se sa dhe si votojnë të rinjtë.

“Meqenëse po e përdorim metodologjinë e gjurmëve të gishtave për të mbajtur evidencë se kush po voton, është shumë e rëndësishme të jemi në gjendje që t’i përdorim këto të dhëna dhe të dimë se ku, si dhe cilët të rinj votojnë dhe çfarë do të thotë kjo për politikat që do të përfaqësojnë të rinjtë në nivel lokal”, theksuan autorët e studimit.

Gjatë realizimit tl anketës, autorët i kanë shfrytëzuar të dhënat zyrtare të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke synuar kandidatët e rinj të moshës 18 deri në 29 vjeç. Janë analizuar kandidatët dhe listat e kandidatëve, kryetarët dhe këshilltarët e zgjedhur.

Pas prezantimit të hulumtimit, u hap diskutim ndërmjet të pranishmëve, në mesin e të cilëve u drejtua kryetari i Komunës së Rosomanit, Stojan Nikolov, këshilltarët e rinj në komunën e Kumanovës, Nevena Veliçkovska dhe Shuto Orizari, Fatima Osmanovska, si dhe kandidati për kryetar të Komunës së Çashkës, Suad Shaqirov.

Gjatë diskutimit u theksua se të rinjtë janë apatikë dhe nuk kanë vullnet apo interes për t’u përfshirë në çështjet shoqërore. Nuk është më e rëndësishmja që ata si kategori të jenë të pranishëm vetëm në listat e kandidatëve, por kjo duhet të çojë në pjesëmarrjen e tyre aktive në politikë dhe shoqëri.

Disa nga të pranishmit e theksuan nevojën për të folur më hapur për rezultatet zhgënjyese të hulumtimit dhe ky problem të analizohet me thellë. Shumica e çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së të rinjve janë çështje në kompetencë të vetëqeverisjes lokale, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme përfshirja e të rinjve në organet e vetëqeverisjes lokale të cilët do t’i artikulojnë nevojat e këtij grupi të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button