Rrjeti Ballkanik kundër dezinformatave shpreh mbështetje për verifikuesit e fakteve kroatë Faktograf.hr

Rrjeti Ballkanik për luftë kundër dezinformatave e publikoi deklaratën për mbështetje për median kroate për verifikim të fakteve Faktograf.hr, punonjësit e të cilit ishin subjekt i kërcënimeve me vdekje, ndërsa ueb-faqja e tyre pësoi një sulm masiv kibernetik që e pengon funksionalitetin e saj themelor, transmeton Portalb.mk.

“Kjo valë e fundit e sulmeve kundër verifikuesve të fakteve, që filloi më 10 dhjetor, e zgjeron fushatën e vazhdueshme të shpifjes, që synon ta nxijë median dhe të dëmtojë besimin në gazetarinë profesionale, element integral i së cilës është verifikimi i fakteve”, thuhet ë deklaratë.

Në të, më tej shtohet se rasti i sulmeve kundër Faktograf.hr e pasqyron realitetin e përditshëm të organizatave të pavarura dhe profesionale të gazetarisë në Evropën Juglindore. Realiteti është ky: të gjithë, në nivele të ndryshme, janë në shënjestër të përpjekjeve të ngjashme për shpifje dhe frikësim për shkak të punës tyre, zbulimit të dezinformatave dhe fillimit të debatit publik për burimet dhe kanalet e tyre të shpërndarjes.

“Duke qenë se krimi kibernetik, maltretimi në internet, duke përfshirë edhe kërcënimet me vdekje dhe gjuhën e urrejtjes janë krime të rënda sipas ligjit kroat, që është në përputhje me kuadrin rregullator të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, Rrjeti Ballkanik për luftë kundër dezinformatave u bën thirrje autoriteteve kroate të zbatojnë ligjin dhe gjyqësorin të hetojnë dhe sanksionojnë krimet e dyshuara, e njëkohësisht ofron mbrojtje për gazetarët e kërcënuar dhe punonjësit e tjerë të Faktograf.hr”, thuhet tutje në deklaratën e Rrjetit ballkanik.

Si nënshkrues i autorizuar i Kodit të parimeve të rrjetit ndërkombëtar për verifikim të fakteve, theksohet në deklaratën mbështetësie, Faktograf.hr i nënshtrohet procedurave të rrepta vetërregulluese sipas të cilave është morale t’i përmbahen standardeve të larta për cilësi dhe transparencë të gazetarisë profesionale. Përveç kësaj, një numër organizatash vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e medias duke përfshirë Sindikatën e Gazetarëve kroatë dhe profesionistëve të medias, Federata evropiane e gazetarëve, si dhe organizata të tjera për verifikim të fakteve i kanë dënuar sulmet e pabazuara.

Rrjeti Ballkanik për luftë kundër dezinformatave (antidisinfo.net) është rrjet i krijuar nga dhjetë organizata kryesore mediatike nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për të promovuar bashkëpunimin ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, mediave, institucioneve arsimore dhe të gjithë aktorëve të tjerë relevantë, në mënyrë që të formohet një front i gjerë për luftë kundër dezinformatave nëpërmjet afirmimit të standardeve më të larta të verifikimit të fakteve dhe të gjitha parimeve të tjera etike të gazetarisë profesionale, si dhe promovimit të shkrim-leximit mediatik dhe mendimit kritik.

Rrjeti Ballkanik për luftë kundër dezinformatave u themelua nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut); Faktoje.al (Shqipëri); Gazetarët Rreth Gazetarisë(JAJ), Journalists About Journalism (ЈАЈ), Peace Journalism Lab, Qendra për rrjetin e komunikimit digjital në Evropën JuglindoreEllenika Hoaxes (Greqi), Istinomer (Serbi); Internews KosovaCrno beli svet (CBS) (Kosovë); Fondacioni BlueLink (Bullgari).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button