TË SHFAQESH… 

Secili dëshiron të shfaqet para botës.

Dikush shfaqet dhe e ekspozon marrëzinë.

Dikush tjetër shfaqet për t’i ekspozuar perlat që i ka gjetur brenda qenies.

Të parët shfaqen çdo ditë dhe njihen nga shumica.

Të dytët shfaqen rrallë dhe njihen nga sivëllezërit dhe simotrat e tyre.

Të parët janë të lavdishmit e së tashmes dhe të harruarit e së nesërmes.

Të dytët, që shfaqen me drojë, sepse ndjejnë përgjegjësi për gjithçka që bëjnë, do të kërkohen kur shumëçka tjetër të jetë harruar.

Dikush pyeti: “A e di dikush se kush ishte ministër në kohën e Shekspirit?”

Një zyrtar mund të jetë i njohuri i një kohe, por Shekspiri do të kujtohet përgjithmonë.

Për një brez është me rëndësi se çfarë modelesh jetësore zgjedh: nëse do t’i zgjedh të famshmit e përkohshëm apo do t’i zgjedh ata që rikthehen vazhdimisht dhe nuk harrohen kurrë.

Josif Brodski, në sprovën “Adhuroni hijet” shkruan për rrezikun e një shoqërie që nuk lexon letërsi.

Një shoqëri e tillë, sipas tij, bie në atë nivel ligjërimi sa bëhet pre e demagogëve dhe tiranëve.

Brodski nuk kërkon që poeti të jetë misionar dhe as të krijojë letërsi me ndikim shoqëror.

Poeti ka vetëm një detyrim: të shkruajë bukur, ta krijojë poezinë – “formën më të lartë të ekzistimit të gjuhës”.

 “Nëse poeti ka ndonjë detyrim ndaj shoqërisë, atëherë ky është që të shkruajë mirë. Pasi është pjesë e pakicës, ai nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse nuk e përmbush këtë borxh, atëherë do të harrohet. Nga ana tjetër, shoqëria nuk ka asnjë detyrim ndaj poetit. Shumica e njerëzve mendojnë natyrshëm se ka edhe punë të tjera përveç se të lexojnë poezi, pavarësisht se ato janë shkruar mirë. Nëse shoqëria nuk lexon poezi, ajo zbret në atë nivel ligjërimi sa shumë lehtë bëhet pre e një demagogu apo tirani. Ky është ekuivalenti i shoqërisë së harresës, ku një tiran mund të përpiqet t’i shpëtojë nënshtetasit e tij nëpërmjet gjakderdhjes spektakolare”.

Nëse i zgjedhim demagogët, atëherë do të mashtrohemi vazhdimisht.

Nëse i zgjedhim tiranët, atëherë mund të bëhemi pjesë e gjakderdhjes spektakolare.

Nëse e mësojmë gjuhën e harruar të letërsisë, atëherë nuk do të magjepsemi nga ligjërimet ku përdoren pak fjalë dhe do të jemi më të mbrojtur nga demagogjia dhe tirania.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button