RMV, personalitete të njohura publike u bënë ambasadorë të luftës kundër gjuhës së urrejtjes

Njohja e urrejtjes është hapi i parë për ta luftuar atë. Njohja duhet të na bëjë vetëdijshëm se edhe gjestet më të vogla janë të rëndësishme për të siguruar tolerancë dhe respekt. Pikërisht ky mesazh do të promovohet në të ardhmen nga personalitete të njohura publike nga Maqedonia e Veriut, të cilët u bënë ambasadorë të fushatës “Blloko urrejtjen. Ndaj dashurinë!” që në fokus e ka luftën kundër gjuhës së urrejtjes, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në mesin e tyre është edhe punonjësi mjekësor Denis Jankulovski, të cilin publiku e njeh me nofkën Kosmonautko dhe si evropiani i vitit 2021. Në këtë fushatë është përfshirë edhe Ljuljeta Ademi – aktiviste, gruaja e parë me pengesa e cila është ngjitur në majën më të lartë në Ballkan – Musalla. Më pas, Silvana Muçiq Plevnesh – këngëtare e njohur dhe pjesë e grupit popullor Sylvie Band, Ognen Janeski – prezantues televiziv dhe aktivist për të drejtat e njeriut, Besfort Idrizi – aktor dhe ambasadorja e re evropiane Dona Srdiq. Ata patën mundësi të ndajnë mesazhet e tyre me rastin e fillimit të manifestimit dhe e ngritën zërin për shoqëri të lirë pa urrejtje dhe pa diskriminim.

Katalin Tamus, shef i Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup, në fjalimin e vet në këtë ngjarje, e theksoi mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve në përpjekjet për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet nga urrejtja, veçanërisht për komunitetet më të rrezikuara në shoqërinë tonë.

“Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin për format e ndryshme të gjuhës së urrejtjes, që janë të drejtuara ndaj komuniteteve dhe individëve të caktuar në shoqërinë e Maqedonisë, si dhe të promovojë mënyra të ndryshme të luftës kundër gjuhës së urrejtjes, në radhë të parë duke përhapur mesazhe dhe qëndrime pozitive dhe pranim e respektim të diversiteteve”, theksoi Tamus.

Bashkëshortja e presidentit Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska, theksoi se përgjigja e vetme adekuate ndaj urrejtjes ndaj diversitetit është respektimi i dinjitetit të të ndryshëmve, duke bllokuar me vepra urrejtjen dhe të ndajmë dashurinë që kuptohet si kujdes për dinjitetin e lindur të grupeve të rrezikuara.

“Besoj se kjo mund të arrihet vetëm me përdorim të përgjegjshëm të fjalës së lirë. Asnjë e drejtë e njeriut nuk është përjashtuese, por që ndahet bashkërisht. E drejta për njërin është e drejtë edhe për tjetrin dhe një detyrim i përbashkët për të gjithë anëtarët e shoqërisë”, tha zonja e parë.

Kryetarja e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Vesna Bendevska, theksoi se mesazhi i kësaj fushate duhet të arrijë tek çdo qytetar, duke e theksuar rrezikun real të gjuhës së urrejtjes që është gjithnjë e më e pranishme tek ne në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në mediat sociale.

“Prandaj kjo fushatë është e orientuar kah fjalët e dashurisë, sepse dashuria është akt miratimi, mosdiskriminimi, pranimi dhe i tolerancës pa dallim race, i përkatësisë etnike, fetare, politike apo seksuale. Jo të gjitha llojet e aktiviteteve diskriminuese shkaktohen nga gjuha e urrejtjes, por pothuajse çdo gjuhë e urrejtjes bazohet në diskriminim”, tha Bendevska.

Kjo fushatë realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut”, që është pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Horizontal Facility, për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button