Si (nuk) duhet raportuar në lidhje me efektet anësore të vaksinave, mjeku Kuzmanovski: vaksinimi ka më shumë përfitime

Disa medie në Maqedoninë e Veriut informuan në lidhje me një numër të madh të efekteve anësore nga vaksinat kundër Kovid-19, megjithatë, në titujt e këtyre lajmeve nuk ishte potencuar se thjeshtë bëhet fjalë për efekte të cilat janë paraqitur nga qytetarë, por pa u konfirmuar se janë të tilla. Në lidhje me atë se si (nuk) duhet raportuar për këto tema që kanë potencial të shkaktojnë panik, biseduam me ekspertin e PR-it, Demush Bajrami ndërkaq për efektet e mundshme anësore, flet mjeku Ile Kuzmanovski, shkruan Portalb.mk. 

Shumica e medieve, përfshirë edhe televizionet nacionale Maqedoninë e Veriut, në tituj kishin “paraqitur” 240 efekte anësore nga vaksinat kiundër virusit korona. Por, mënyra e raportimit ka potencial të shkaktojë panikë te qytetarët të cilët planifikojnë që të vaksinohen.

Klikoni këtu për të lexuar këto lajme, gjithashtu edhe këtu, si dhe këtu.

Edhe pse lajmi është i vërtetë, mënyra e raportimit mediatik, sidomos pjesa e titullit, lë të kuptohet sikur këta efekte anësore janë të mirëqena dhe të verifikuara nga shkenca mjekësore, që nuk është ashtu por janë thjeshtë denoncime nga ana e qytetarëve ndërsa shumica e efekteve të raportuara janë normale.

Demush Bajrami, dekani i Fakultetit të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) për Portalb.mk potencoi se forma e raportimit mediatik për fenomenet e rrezikshme, varet nga prodhimi i përmbajtjeve mediatike, ai shtoi se raportimi mediatik duhet të reduktohet në nxjerjen në pah të elementeve më të rëndësishme për këtë.

Demush Bajrami, profesor.
Demush Bajrami, profesor.

“Forma dhe mënyra e paraqitjes mediatike, më saktë forma e raportimit mediatik për një fenomen të rrezikshëm përmes pasqyrimit të tij në kontekstin më të gjerë shoqëror, varet pashmangshmërisht nga prodhimi i përmbajtjeve mediatike. Teoritë e përzgjedhjes së përmbajtjeve mediatike dhe qasjet teorike ndaj rreziqeve të sëmundjeve infektive për shoqërinë, siç është përhapja e virusit   korona, i cili ka përfshirë mbarë botën, duke marrë përmasa pandemike, janë dimensione të rëndësishme të jetës  së sotme shoqërore. Prandaj, kur jemi këtu, mendoj se raportimi mediatik duhet të reduktohet në nxjerrjen në pah pikërisht të atyre elementëve që janë më të rëndësishëm në përcaktimin dhe perceptimin e rrezikut, siç është kërcënimi i popullatës nga pandemia ‘Cpovid 19’ në situatën aktuale. Kjo situatë bëhet edhe më e rrezikshme për shkak të mutacioneve të mëtejshme të virusit, të cilat mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore për popullatën” tha Demush Bajrami, ekspert i komunikimit.

Sipas Bajramit, është detyrë e medieve që të rrisin ndëregjegjësimin për rrezikun dhe nevojën urgjente për vaksinim, ai shtoi se përveç pjesës së informimit në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me virusin korona, mediet duhet edhe të inkurajojnë vaksinimin masiv.

“Në lidhje me këto ngjarje, një raportim i mirë mediatik (gazetaresk), duhet ta paralajmërojë vazhdimisht publikun për problemin e koronavirusit, pra për rrezikun e kësaj pandemie nga njëra anë dhe përpjekjet e ndryshme dhe reagimet e shpejta shëndetësore e farmaceutike për përgatitjen e skenarëve për t’u mbrojtur  ndaj shfaqjeve të mundshme të llojeve të reja të pandemisë ‘Covid 19’. Këtu një rol të rëndësishëm luan përzgjedhja e atyre lajmeve nga media që rrisin ndërgjegjësimin për rrezikun dhe nevojën urgjente për vaksinim. Mediat serioze kanë për detyrë të inkurajojnë në mënyrë sistematike publikun duke raportuar, parashikuar apo përcaktuar intensitetin e virusit, me të vetmin qëllim , për të bindur publikun për vaksinimin masiv të njerëzve, si masë parandaluese” shtoi Demush Bajrami, ekspert.

Cila është e vërteta e efekteve anësore nga vaksinat kundër Kovid-19?

Sipas mjekut Ile Kuzmanovski, është e vërtetë se ekzistojnë efekte të padëshiruara nga vaksinat kundër virusit korona, ashtu siç, sipas tij, ekzistojnë efekte të padëshiruara të mundshme nga secili ilaç tjetër.

Megjithatë, Kuzmanovski shtoi se jo të gjitha efektetet anësore të cilat regjistrohen në platformën e krijuara për paraqitjen e tyre, janë efekte të vaksinave.

“Është e rëndësishme të theksohet se edhe përkundër deklarimeve të ndryshme, vaksinat kundër Kovid-19 janë efektive dhe të sigurta. Gjithsesi që ekzistojnë efekte të padëshiruara nga ata, siç ekzistojnë efekte të padëshiruara nga secili ilaç. Është formuar sistemi për paraqitjen e efekteve anësore nga vaksinat, i cili quhet VAERS. Aty regjistrohen të gjitha efektet të cilat kanë ndodhur pacientëve pas vaksinimit., mirëpo, nuk do të thotë se me siguri të gjitha këta efekte vijnë për shkak të vaksinave” tha mjeku Ile Kuzmanovski.

Joserioze, sipas mjekut Kuzmanovski janë shumica e gjërave të raportuara në atë platformë, ndërkaq shtoi se efektet anësore të padëshiruara të cilat janë serioze janë jashtëzakonisht të rralla.

Vaksinë, kovid, koronavirusi, vaksinim; Foto: Pexels

“Shumica e gjërave që janë paraqitur janë joserioze, gjegjësisht më së shpeshti bëhet fjalë për dridhje, lodhje, dhimbje të muskujve, dhimbje të kokës. Megjithatë ekzistojnë edhe reaksione më serioze, të cilat kanë të bëjnë me shokun anafilaktik, trombozë, miokarditis si dhe vdekje. Duhet theksuar se këto janë jashtëzakonisht të rralla. Për shembull, shok anafilaktik pas vaksinimit ndodhën te përafërsisht 2 në 5 persona për milion të vaksinuar, ky reaksion mund të ndodhë pas çdo lloji të vaksinimit, si dhe si rezultat i ndonjë ilaçi apo ushqimi. Një studim i publikuar së fundmi, ku janë studijuar 38 milion persona të vaksinuar, thotë se miokarditi paraqitet te 1 deri në 10 persona, në një milion të vaksinuar me dy doza. Nga ana tjetër, ky reaksion parqitet te 40 milion njerëz të cilët kanë qenë pozitiv me Kovid-19, që dëshmon se vetë infektimi ka katër herë më shumë rrezik për paraqitetjen e miokarditit se sa vaksina” tha mjeku Ile Kuzmanovski.

Mjeku ka analizuar statistika e vdekshmërisë nga Kovid-19 në botë dhe në vendin tonë, dhe thotë “Për krahasim, statitstikat e vdekshmëriseë nga Kovid-19 arrin në 688.9 persona, në milion të infektuar në botë, gjegjësisht 3751 persona në milion të infektuar në vendin tonë, ndërkaq shumë i madh është numri i pacientëve të cilët përballen me pasoja nga Kovid-19 pas infektimit. Marrë parasysh këto të dhëna, mund të dalim në përfundim se, vdekshmëria nga Kovid-19, si dhe komplikacionet pas infektimit kanë një incidencë shumë më të lartë se sa efektet anësore potenciale nga vaksinat” shtoi ai.

Ndryshe, sipas mjekut Ile Kuzmanovski, për shkak të faktit se këto reaksione paraqiten te një numër shumë i vogël i njerëzve, ky rrezik nuk i tejkalon përfitimet e vaksinimit. Për këtë frika nga vaksinat nuk duhet të ekzistojë, sepse mundësia që këto efekte të ndodhin është jashtëzakonisht e vogël. Dhe në këtë moment, vaksinimi, së bashku me masat tjera parandaluese ngelin si strategjia e vetme në luftën kundër kësaj sëmundje.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button