Tetova pesë ditë pa ujë të mjaftueshëm, Kasami: Rrjeti i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz

Në Tetovë prej pesë ditësh nuk ka ujë të mjaftueshëm, pasi përsëri ka problem me ujësjellësin. Sipas Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, shkaku është defekti i gypit f-500 që ka ndodhur në linjën e Leshnicës, ku uji në rezervuarët e qytetit pëson rënie drastike në një mesatare prej 150 litra në sekondë. Deri në  rregullim të problemit, nga NPK-ja thonë se do të ketë restrikcione me qëllim të furnizimit të barabartë në të gjitha pjesët e qytetit me ujë. Kasami rrjetin e ujësjellësit e quan skandaloz dhe të realizuar pa standarde ndërsa ky problem vazhdimisht përsëritet në Tetovë, sidomos gjatë dimrit, shkruan Portalb.mk.

Sasia e ujit të pijshëm, momentalisht ka rënë nga 300 litra në sekondë në rreth 190 litra në sekondë.

Qytetarët ankohen se kanë mungesë të ujit, e sidomos qytetarët të cilët jetojnë në banesa në kate më lartë ku uji nuk arrin mjaftueshëm ose fare deri te ata.

Nga NPK “Tetova” thonë se ekipet janë në terren dhe po punojnë në rregullimin e defektit, por theksojnë se bëhet fjalë  për kushte të rënda klimatike ku ka 70 deri në 80 centimetra borë dhe është  rëndë.

“Më datën 18 filluam të bëjmë hapjen e rrugës sepse bisedohet për një trase prej 11 kilometra prej filtër stacionit, bëmë hapjen e rrugës që të mund të çojmë përgatitjen dhe materialin e nevojshëm për sanim të defektit. Me 19 bëmë hapjen e defektit dhe tentimin që të vërejmë se për çka bisedohet në kuadër të defektit. Ekipet janë lartë po punojnë në hapjen dhe zgjerimin e vendit ku është defekti që të mundet  më së voni ditën e mërkurë të bëhet sanimi i mundshëm i defektit”, tha Lulzim Shaqiri nga NPK “Tetova”.

Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se kjo çështje ka të bëjë me probleme me të cilat ata janë ballafaquar në të gjitha projektet infrastrukturore, projekte të realizuara pa asnjë standard minimal.

“Ai rrjet i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz, para një muaji unë morra informatë nga ndërmarrja publike që janë diku tetë pika kritike të lidhjeve që janë bërë të gypit dhe të cilat në çdo moment mund të plasin. Një ndër ato ne e sanuam para një muaji që ishte veçmë problematike, por tjerat nuk kishim mundësi për shkak të kushteve atmosferike, një ndër ato tetë pika kritike tani ka plasur. Të punësuarit e ndërmarrjes janë në teren, unë besoj se shumë shpejt brenda dy tre ditëve ajo do të rregullohet”, tha Bilall Kasami.

Ndërkaq i pyetur për atë se a ka plan afatgjatë për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, Kasami e pohoi këtë duke garantuar që në dimrin tjetër  së paku ato pika janë identifikuar të sanohen dhe mos të ketë probleme të tilla.

“Përndryshe e dimë që Komuna e Tetovës ka pasur edhe disa puse të cilat kanë qenë të shfrytëzuara në këto situata, fatkeqësisht edhe ato puse nuk janë në shfrytëzim pra duhet pompat ti servisojmë të cilat nuk kanë qenë të servisuara. Kam dhënë obligim që edhe ato pompa të servisohen dhe ato puse të vendosen në funksion që në momente të tilla qytetarët të kenë ujë të mjaftueshëm”, shtoi Kasami.

Ndryshe, restrikcionet filluan nga dita e premte, ku uji ndalohet nga ora 1 deri në 5 të dhe nga ora 1 deri ora 4 të ditës. Ndërkaq, për zbutjen e kësaj situate, NPK “TETOVA” Tetovë ka aktivizuar edhe bunaret . Ky restriksion do të vlej deri në sanimin e defektit në linjën kryesore të Leshnicës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button