Kryeparlamentari turk për vizitë në Shkup: Turqia mbështetë fuqishëm eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur sot në takim kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Shentop, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend, transmeton Portalb.mk.

Në këtë takim u shkëmbyen mendime për raportet e përgjithshme bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, me çka u vlerësua se ato po zhvillohen në frymën e partneritetit dhe miqësisë tradicionale, përmes bashkëpunimit në të gjitha sferat të interesit të përbashkët dhe përmes realizimit të takimeve të nivelit më të larta.

Mustafa Shentop, Stevo Pendarovski

“Në takim u bisedua edhe për situatat aktuale në dy shtetet, si dhe për gjendjen në rajon, me çka u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Turqia, si aleatë në NATO, ndajnë pikëpamje të njëjta në raporte me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, njoftuan nga kabineti i presidentit.

Në kuadër të vizitës së tij në Shkup, Shentop u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Të dy kryeparlamentarët shprehën kënaqësi për takimin e sërishëm i cili përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së mësimit në gjuhën turke, që paraqet konfirmim se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë zhvillohen në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, miqësisë së afërt, partneritetit dhe bashkëpunimit aktiv në fushat e shumta me interes të ndërsjellë.

Xhaferi dhe Shentop vlerësuan se mbajtja e komunikimit intensiv në nivel të lartë, kontribuon fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale, ndërsa raportet e mira dhe miqësore mes dy vendeve janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar.

Mustafa Shentop, Talat Xhaferi

“Kryetari Xhaferi foli për bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në NATO, tani më si dy anëtare të barabarta. Ai shprehu kënaqësi që gjendja e marrëveshjeve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, me 100 marrëveshje bilaterale dhe dokumente i prefshin të gjitha fushat me interes të përbashkët. Xhaferi e theksoi interesin për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve turke në vend dhe vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, kulturës, turizmit, punës dhe politikës sociale është tejet e suksesshme dhe e karakterizon trend pozitiv dhe vazhdimësi”, njoftuan nga kabineti i Xhaferit.

Ndërkohë, Shentop, theksoi se Turqia mbetet mbështetës i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe vlerësoi se çështjet bilaterale nuk duhet të paraqesin pengesë për anëtarësim në organizatat multilaterale. Njëherazi, Shentopi shprehu shpresë se mosmarrëveshjet me Bullgarinë do të tejkalohen në kohë sa më të shpejtë dhe se Maqedonia e Veriut do i fillojë negociatat me BE-në. Kryetari Shentop theksoi se komuniteti turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të madhe për Republikën e Turqisë, e cila i kushton vëmendje të madhe arsimit të mirë në gjuhën turke në vend.

“Kryetarët Xhaferi dhe Shentopi këmbyen informata rreth gjendjeve aktuale në të dy vendet dhe shprehën bindjen se partneriteti shumëvjeçar dhe trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi në më shumë sfera me interes të përbashkët edhe më tej do të avancohet. Njëherazi, ato u zotuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button