Tetovë, policia dënon veturat e parkuara ilegalisht, por nevojiten urgjentisht parkingje të reja

Në Tetovë filluan aksionet për rregullimin e komunikacionit në pjesët qendrore të qytetit. Nga dje, policia e Tetovës është në terren dhe nuk lejon veturat të parkohen ilegalisht, konkretisht në bulevardin e Ilindenit dhe rrugën “Marshall Tito”, nga ku edhe gjobitin qytetarët. Këta të fundit shprehen pesimist se mbajtja e këtyre rregullave do të zgjasë. Kryetari i Komunës, Bialll Kasami tha se deri në fund të vitit do të dalin me qëndrim dhe zgjidhje të plotë të çështjes së parkingut dhe çështjes së kaosit në komunikacion, shkruan Portalb.mk.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë-Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë thonë se nga dje (20 dhjetor) kanë intensifikuar, përkatësisht kontrollin e vazhdueshëm, masat dhe aktivitetet parandaluese dhe të tjera për rregullim më të madh të komunikacionit nëpër rrugët dhe trotuaret e Tetovës, e sidomos kur bëhet fjalë për parkimin në qendër të qytetit.

“Në ditën e parë të këtyre aktiviteteve, të realizuara në dy rrugët më të frekuentuara të Tetovës, “Ilindenska” dhe “Marshall Tito”, janë konstatuar dhe sanksionuar gjithsej 49 shkelje, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me parkimin në të ashtuquajturat “korsi të dyfishta” dhe në kundërshtim me rregullat dhe shenjat e qarkullimit rrugor. Për të gjithë shkelësit janë përgatitur parashtresa përkatëse dhe do të përballen me gjoba të parapara me ligj nga 45 deri në 180 euro në kundërvlerë në denarë. Po ashtu, “merimanga” e Tetovës ka kapur 14 automjete të parkuara gabimisht që kanë penguar lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.” thanë nga SPB Tetovë.

Bulevardi i Ilindenit, 21 dhjetor 2021
Bulevardi i Ilindenit, 21 dhjetor 2021

Nga atje njoftojnë se aktivitetet të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rrugët e Tetovës dhe veçanërisht në rrugët përreth Tregut të Gjelbër.

Qytetarët nga ana tjetër shprehen pesimist pasi sipas tyre zgjidhje do të ketë vetëm kur do të krijohen parkingje.

“Mirë është që po e lirojnë rrugën, po ku do të parkohen të gjithë këta vetura? Duhet fillimisht të ofrohen zgjidhje pastaj të ketë kontrolle”, tha një qytetar.

“Shkurtë e kanë, pas një jave do të jetë prapë njëjtë. Ku ti futin njerëzit veturat? Nuk zgjidhet problemi duke i dënuar qytetarët, duhet zjidhje afatgjate, duhen vende ku te parkohen qytetarët, ndryshe problem”, tha një qytetar tjetër.

 SPB Tetovë numëron 44,592 automjete të regjistruara vetëm me targa të Tetovës.

Bulevardi i Ilindenit, 21 dhjetor 2021
Bulevardi i Ilindenit, 21 dhjetor 2021

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami i pyetur se a do të ketë zgjidhje për qytetarët, gjegjësisht a do të kenë vende tjera parkimi tha se janë në përpilim të një plani gjeneral për zgjidhjen e çështjes së komunikacionit dhe parkingut.

“Këtu është edhe përgjegjësi i sektorit të cilin e kam ngarkuar së bashku me sektorin e ndërmarrjes për parkingje të gjejmë një zgjidhje të përgjithshme edhe për çështjen e komunikacionit edhe për çështjen e parkingjeve. Besoj se deri në funt të vitit do të dalim me një qëndrim dhe zgjidhje të plotë të çështjes së parkingut dhe çështjes së kaosit në komunikacion”, tha Bilall Kasami.

Ligjërisht, parkimi i veturave përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen rrallë shihet gjatë bulevardit “Industrial”.

Rikujtojmë se gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami premtoi se në Tetovë  kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj me çka do të dyfishohen dhe në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale.

“Sigurisht kemi paraparë edhe ndërtimin e tre garazheve në kate me partneritet privat-publik, me këtë ne vlerësojmë se gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e problemit do të zgjidhet dhe ajo që është me rëndësi, që buxhetit të Komunës së Tetovës zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro, në ndërtimin e shtatë parkingjeve të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj, dhe njëjherë e përgjithmonë veturat do të largohen nga rrugët, do të hapen rrugët dhe qytetarët e Tetovës do të mund të lëvizin dhe të frymojnë lirshëm.” tha Bilall Kasami në Debatpërnime.

Nga SPB Tetovë apelojnë te shoferët  që të respektojnë plotësisht regjimin e vendosur të parkimit dhe të mos krijojnë bllokime të panevojshme në trafik. Aq më tepër që së shpejti pritet ardhja më intensive e të mërgimtarëve, për çka do të rritet ndjeshëm numri i automjeteve dhe rrjedhimisht edhe frekuenca totale e trafikut.

Viteve të kaluara, posaçërisht gjatë dimrit dhe verës me ardhjen e mërgimtatëve në këto periudha, oborret e shkollëve janë liruar për parkingje. Për atë se a ka një plan të tillë për këtë vit, Kasami u përgjigj kështu:

“Ne do duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjate, sigurisht që për çdo lehtësim që ka të bëjë me mërgimtarët ne do të jemi në dispozicion por them për këtë çështje do duhet të flasim me drejtorin e parkingjeve se çfarë zgjidhje mund të japim. Nuk kam biseduar me drejtorin për këtë çështje.”

Ndryshe, rikujtojmë që këto aktivitete erdhën pasi kaosi urbanistik në Tetovë u diskutua në seancën e tretë të Këshillit të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button