Kina dënoi zyrtarë amerikanë për shkak të Ksinjiangut

Kina ka vendosur sanksione ndaj katër anëtarëve të Komisionit të Qeverisë amerikane për Liri Fetare Ndërkombëtare, si shenjë hakmarrjeje ndaj masave të Uashingtonit për disa zyrtarë dhe kompani kineze, që dyshohen për abuzime në rajonin Ksinjiang, transmeton REL.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, ka thënë më 21 dhjetor se Nadine Maenza, Nury Turkel, Anurima Bhargava dhe James W. Carr nuk do të mund të vizitojnë Kinën, Hong Kongun dhe Makaun.

Përveç kësaj, edhe asetet e tyre në Kinë do të bllokohen.

Zhao nuk ka dhënë hollësi nëse këta persona kanë asete në Kinë.

Vendimi i Pekinit është bërë i ditur pasi Uashingtoni ka emëruar Uzra Zeyan si koordinatore të posaçme për Tibetin më 20 dhjetor.

Kina është përballur me presion në rritje dhe është sanksionuar për shkak të ndalimit të mbi 1 milion ujgurëve dhe minoriteteve tjera në kampe për riedukim politik në Ksinjiang.

Kina insiston se këto kampe janë “qendra edukuese” me qëllim që t’iu ndihmojnë njerëzve të qëndrojnë larg terrorizmit.

Thesari amerikan ka bërë të ditura sanksione të reja më 10 dhjetor ndaj dy zyrtarëve kinezë të akuzuar për përfshirje në shtypje të ujgurëve dhe minoriteteve tjera në Ksinjiang.

Uashingtoni po ashtu ka bërë të ditur bojkotin diplomatik në Lojërat Olimpike Dimërore, që do të mbahen vitin e ardhshëm në Pekin.

Edhe shtete tjera i janë bashkuar bojkotit, masë e cila nuk i pengon ato që të dërgojnë atletët në garat olimpike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button