Ne, “të heshturit” e demokracisë 

Shumë pak flasim kohëve të fundit. Shumë pak mëtojmë për një komunikim të arrirë me të tjerët, e jo më për biseda të gjata e të nevojshme për çlirime të mëdha shpirtërore. Diçka e ftohtë është bërë pjesë e përgjithshme e shoqërisë njerëzore, e më keq se kjo, ditët tashmë nuk na ngjasojnë me hare dhe gëzime të njëpasnjëshme; natyra jonë nuk e ka më atë tërheqje të veçantë, rreth së cilës rendnin edhe moshat më të thyera, të etur për të përjetuar diçka të bukur. E në këtë mes, ajo që e karakterizon po ashtu këtë shoqëri është edhe heshtja e vazhdueshme. Një heshtje që ka zënë edhe cepat më të ngushtë të natyrave të thjeshta njerëzore, por, jo ata të njerëzve të ulur në karrige druri brenda dhomave dekoruar me një mori “certifikatash”.
Në këtë shoqëri, në një thyerje të çdo ane, janë të dukshëm njerëzit e urtë, të cilët, me apo pa dëshirë, arrijnë t’i përmbushin kërkesat e të tjerëve dhe të nesërmen të njihen si njerëzit më të denjë për kryerjen e shërbimeve të ndryshme e të larta. Sepse, njëjtë si brenda kornizave të veprave të ndryshme letrare, edhe në hapësirat e një shoqërie të zakonshme askush më shumë se sa të fortët nuk e përkrah një të heshtur që nënshtrohet dhe detyrimisht bëhet pjesë e një klase që nuk nxjerr zë. Askush më shumë se sa një njeri i këtillë nuk është në sy të mirë tek udhëheqësit, të cilët, fund e krye mëtojnë plotësim të vetvetes duke harruar masën popullore, nga e cila rrodhi edhe vetë paraqitja e tyre para të panjohurve.
Të njëjtin fakt, edhe brenda kornizave të letërsisë (qoftë asaj kombëtare a të huaj) e paraqitën shumë e shumë shkrimtarë, përfshirë në këtë rast më të guximshmit e më të zëshmit e popullit tonë, Fishta e Konica, në vargjet e tyre të pafundme epike. Por, i njëjti bëhet më i thellë dhe më i ndjeshëm atëherë kur kjo gjë e shoqëron secilin njeri dhe ai më nuk e ka të nevojshme që këtë ta hulumtojë në një libër, meqë e përjeton edhe vetë dhe si i tillë e ka shumë më të lehtë ta paraqesë si të vërtetë shoqërore.
Nëse ajo që duhet të jetë pjesë e secilës shoqëri është demokracia me çdo element të saj pozitiv, e cila rritet dhe përparon me njerëzit për aq kohë sa dhe është e nevojshme diçka e këtillë, duhet ditur se ekzistojnë dhe çaste të tilla në të cilat po ky sistem, nuk del i njëjtë për të gjithë, e aq më keq, kur për njërin merr rolin e një nëne e për dikë tjetër atë të një njerke, është e dhimbshme për të gjithë. Por, se sa bëhet dhe guxohet që e njëjta të dalë me shenja barazie në ditët që karakterizojnë jetët tona, mbetet pyetje e vazhdueshme. Sepse kurrë më shumë se sa në ditët e sotme njerëzit nuk kanë qenë të heshtur dhe të dëgjueshëm, kurrë më parë nuk janë bërë pjesë e gjërave të padëshirueshme, e më keq se këto, kurrë më parë nuk janë njohur si të denjë për kryerje të obligimeve të sallave të mëdha.
Gjërat e këtilla, ashtu siç na udhëzuan e urdhëruan edhe të parët e rilindasit tanë, duhet shumë shpejt t’i shporim nga shoqëria jonë, dhe të nesërmet të mos i gdhijmë duke na njohur bota si të heshtur, sepse, askush më shumë se vetja jonë nuk ndihmon për arritjen dhe shpëtimin nga e keqja. Një shoqëri demokratike ka njerëz të fuqishëm në shprehje e ligjërim, të cilët për mbrojtjen e vetes flasin në çdo çast. E njëjta, duhet të jetë dhe me ne: fjala jonë të zë vend për jetët tona e kurrë të mos jemi ata që në salla të mëdha të marrim certifikata për heshtje të denja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button