Radev i ka propozuar Micotakisit që marrëveshjet e Shkupit me Sofjen dhe Athinën të jenë pjesë e kornizës negociuese

Marrëveshja për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim mes Sofjes dhe Shkupit, si dhe Marrëveshja e Prespës mes Shkupit dhe Athinës të jenë të përfshira në kornizën negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, ka kërkuar presidenti bullgar, Rumen Radev gjatë takimit me kryeministrin grek, Kirjakos Micotakis, transmeton Portalb.mk.

Gjatë vizitës në Sofje, Radev dhe Micotakis janë pajtuar se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është në interes të gjithë rajonit, por procesi duhet të ndërlidhet me respektimin e vlerave evropiane dhe ndërmarrjen e obligimeve në marrëveshjet bilaterale, theksohet në kumtesën e kabinetit të presidentit bullgar.

Paraprakisht, në takim me kryeministrin e ri bullgar, Kiril Petkov, Micoktaki ka thënë se pret që së shpejti të thirren konferencat e para ndërqeveritare të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai shtoi se, pozita e Greqisë gjatë kohës së rritjes së tensioneve, është rruga e vetme të duhur, sepse afrimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është në interes të të gjithëve.

“Fqinjësia e mirë është më e rëndësishme. Presim së shpejti të thirren konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, theksoi Micotakis, duke potencuar se Greqia pret mbështetjen e Bullgarisë për këtë qëllim të përbashkët.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut, në samitin e BE-së në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Maqedonia e Veriut që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj, por kishte edhe kërkesa tjera lidhur me pakicën bullgare. Por, Qeveria e re bullgare, që drejtohet nga Kiril Petkov, ka dalë me qasje të re, duke insistuar në formimin e grupeve të punës, të cilat do të bisedonin edhe për çështje tjera, përskaj atyre të historisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button