RMV, Kopshti Botanik ka mbi 150 bimë autoktone, disa prej të cilave janë aq të rralla sa mund të gjenden vetëm në një vend

Trumza e Emovës, trumza e Shkupit, manushaqja koshaninov, karafili i Galiçnikut, varietet i Galiçnikut, kapuçi i cvijikut, roje shtëpisë e Galiçnikut, vesa, ramonda serbe… .. Janë këto vetëm disa nga bimët e rralla dhe autoktone që mund të shihen në Kopshtin botanik të Fakultetit të Shkencave Natyrore-Matematikore në Shkup. Shumë prej tyre gjenden vetëm në një vend në shtetin tonë, e disa, përveç se janë të rralla, janë edhe të rrezikuara, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

I vendosur pranë Pyllit-park Gazi Babë, Kopshti botanik, i cili para pak kohësh i shënoi shtatë dekada ekzistencë, nga njëra anë e jep ndjenjën e përshtatjes ideale me mjedisin natyror të florës së Maqedonisë, e nga ana tjetër ofron mundësi për të parë dhe përjetuar mbi 1000 bimë, shkurre dhe drunj nga e gjithë bota.

Vendi ka fito-diversitet shumë të pasur, që meriton të mbrohet dhe të kultivohet siç duhet, thotë biologu – ekologe Cvetanka Cvetkovska, për të cilën edukimi dhe forcimi i vetëdijes për bimët autoktone është një nga funksionet më të rëndësishme të Kopshtit botanik.

Për këtë qëllim është ndërtuar një objekt i ri për bimë të rralla dhe endemike, i cili aktualisht është i dekoruar me rreth 150 bimë të florës nga Maqedonia, numër ky që do të rritet me mbushjen e vazhdueshme të arave. Kopshti do të kryejë dy funksione shumë të rëndësishme, mbrojtjen e bimëve të rrezikuara që i përkasin florës nga Maqedonia, si dhe forcimin e vetëdijes te vizitorët për ekzistencën e tyre.

“Objekti për ambientimin e bimëve të rralla dhe endemike është vënë në funksion vitin e kaluar, ndërsa në ara janë vendosur bimë nga Galiçica, Jablanica dhe Kozjaku. Këtu ka bimë jashtëzakonisht të rralla, që hasen vetëm në një lokalitet dhe për këtë arsye janë potencialisht të rrezikuara, gjegjësisht mjafton vetëm një ngjarje e rrezikshme, e cila mund të shkaktojë zhdukjen e tyre”, thotë biologu Cvetanka Cvetkoska.

Shoqata ekologjike e Maqedonisë po e zbaton një program të veçantë për mbrojtjen e bimëve dhe ekosistemeve, në të cilin aktualisht po realizohet projekti për mbrojtjen e pesë bimëve endemike të Maqedonisë. Është një gështenjë e butë (Aesculus hippocastanum) nga Jablanica, kambana e pyllit e Dibrës (Campanula debarensis), endemit që ekziston në grykën e lumit Drenoçka, shafrani i Jablanicës (Crocus jablanicensis), Astragalus physiocalyx, bimë që vetë mbin në vendin tonë në rrethinën e Bogdancit dhe Centaurea rufidula, edhe një bimë e rrallë që rritet vetëm në afërsi të Stojakovës dhe Bogdancit.

Këto pesë endemite, thotë Natalija Melovska, biologe në SHEM, janë objekt i monitorimit të vazhdueshëm, për të përcaktuar popullatën e tyre dhe për të vlerësuar nëse janë të kërcënuara prej ndonjë rreziku, e në këtë projekt është përfshirë edhe Kopshti botanik.

“Tre nga bimët endemike janë mbledhur në natyrë dhe janë transferuar në kopsht e janë mbjellë në material të tokës, që është grumbulluar nga vendi ku këto bimë rriten në natyrë. Është mbledhur edhe materiali për farë i lules së edhit për të parë se si do të zhvillohej nëse do të mbillej në kopshtin botanik. Kjo bëhet që vizitorët e kopshtit botanik të shohin drejtpërdrejt bimë endemike të Maqedonisë”, thotë Melovska.

Monitorimi i rregullt i bimëve, veçanërisht atyre të rralla, është posaçërisht i rëndësishëm për mbrojtjen e tyre, ndërsa Melovska thotë se çdo qytetar mund të sjellë informacione të rëndësishme për florën duke u përfshirë në të ashtuquajturën “shkenca qytetare” (citizen science).

“Informacionet e grumbulluara nga çdo person i cili mund ta njohë bimën janë më të mira se sa të mos ketë informacion fare. Maqedonia është e dobët me ekspertë të botanikës, njerëz të cilët specialitet e kanë kërkimin e florës. Kjo temë e përfshirjes së qytetarëve në të ashtuquajturin monitorim laik të disa specieve kryesore, diku me të vërtetë funksionon mirë dhe është i dobishëm për shkencën. Nuk është domosdo dikush të jetë botanist profesionist, për të numëruar, për shembull, sa individë të një bime të rrallë ka hasur gjatë ecjes në shtegun e preferuar në natyrë. Këtë mund ta bëjë secili dhe informacionet t’ua kalojë atyre që mund t’i përpunojnë profesionalisht”, thekson Melovska.

Roli i një kopshti botanik, ndër të tjera, është të njoftojë vizitorët me bimë nga vende të ndryshme të botës. Prandaj, në Kopshtin botanik ka më shumë se 400 pemë dhe shkurre të ndryshme, shumica e të cilave janë alotoktone (jovendase), gjegjësisht nuk rriten natyrshëm në vendin tonë, ndërsa në sera ka mbi 500 bimë që i përkasin atyre tropike, subtropike dhe bimësi e shkretëtirës.

“Aktualisht Kopshti Botanik ka dy sera, një objekt për ambientimin e bimëve të rralla dhe atyre endemike, një klasë verore, një objekt për bimët mjekësore dhe aromatike, ndërsa në proces është ndërtimit i tre serave të reja të brendshme, të destinuara për një kopsht urban. Së shpejti është planifikuar të bëhet një hapësirë për ​​ekspozita ku do të realizohen aktivitete të ndryshme tematike”, thekson Cvetkoska.

Kopshti botanik është i përfshirë edhe në edukimin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Në vitin 2019, nga muaji mars deri në tetor, atë e kanë vizituar rreth 1500 nxënës nga e gjithë Maqedoninë por pandemia, për fat të keq, e pezulloi këtë aktivitet për momentin. Maqedonia ka një pasuri të jashtëzakonshme botanike prej rreth 3700 bimëve të ndryshme, ashtu që të rinjtë në kopshtin botanik mund të njihen me shumë nga ato bimë nëpërmjet punëtorive të ndryshme, duke bërë herbariume, shëtitje në natyrë, shikim në mikroskop, duke e mësuar procesin e hartimit të propozim-planeve për mbrojtjen e disa bimëve dhe habitateve e ngjashëm.

“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë informacione adekuate për pasurinë tonë bimore në mënyrë që ta ruajnë dhe respektojnë atë. Do të fokusohemi maksimalisht që ta mbushim objektin për ambientimin e bimëve të rralla dhe endemike me bimë të ndryshme nga vise të ndryshme të vendit tonë. Maqedonia e Veriut është e pasur me diversitet bimor dhe këtu në një territor të vogël rriten numër i madh i bimëve të rralla dhe endemike”, tha Cvetkoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button