fbpx

Rinia kundër dhunës: Për sukses në parandalimin e radikalizimit nevojitet nxitje e talentëve të rinj

Në botë ende po përballemi me sfida të sigurisë. Rajoni i Ballkanit, veçanërisht Ballkani Perëndimor, është një zonë që tradicionalisht përballet me probleme të caktuara të sigurisë. Nuk mund të flasim vetëm për ekstremizmin fetar, por edhe për ekstremizmin etnik, e në disa raste për ekstremizmin djathtist. Pra, duhet të punojmë në parandalim, ndërsa për ta arritur këtë duhet të inkurajojmë talentet e të rinjve, tha Koordinatori Nacional i Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftë Kundër Terrorizmit, Zlatko Apostolovski në ceremoninë e sotme të nënshkrimit të projektit “Platforma për edukim qytetar rinor për luftë kundër radikalizimit (Rinia kundër dhunës)”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Krahas Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftë Kundër Terrorizmit në platformën Rinia Kundër Dhunës dhe Agjencisë për Rini dhe Sport u bashkuan shkollat e mesme “Zef Lush Marku”, “Koço Racin” dhe “Marija Kiri – Sklodovska” nga Shkupi dhe komunat Çair e Qendër.

“Është për të ardhur keq që dhuna po e ndryshon vazhdimisht formën dhe situata është vërtet alarmante. Shkaqet e dhunës janë nga më të ndryshmet, kurse tani si faktor plus është pandemia për shkak të cilës të rinjtë janë mbyllur nëpër shtëpi dhe janë përplot agresivitet dhe pakënaqësi. Prandaj, ne të cilët jemi të përfshirë drejtpërdrejt me rininë, duhet të investojmë me vetëmohim”, tha drejtoresha e shkollës së mesme “Koço Racin”, Blagica Pavlovska.

Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Naumçe Mojsoski shprehu përkrahje për iniciativën, duke e theksuar nevojën që nëpërmjet angazhimit të tyre të kontribuojnë në uljen e dhunës tek të rinjtë, si dhe në aktivitetet sportive.

“Përfshirja e Agjencisë për Rini në këto aktivitete është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse dhuna mes tifozëve ndodh në ndeshje, kurse ne duam të parandalojmë dhe reduktojmë dhunën dhe ekstremizmin në atë zonë. Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme, qoftë në baza etnike apo të tjera, duam t’i parandalojmë ato dhe t’u ndihmojmë të rinjve që mos të jenë pjesë e atyre ngjarjeve”, tha drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsoski.

“Memorandumi u nënshkrua për të mundësuar mbështetje institucionale dhe për të promovuar projektin. Njëkohësisht, me këtë aktivitet krijohen kushte për bashkëpunime tani dhe në të ardhmen për të siguruar kushte  më të mira për jetesë dhe për zhvillim të të rinjve, për të siguruar  shoqëri të qëndrueshme që do të jetë rezistuese ndaj narrativave radikale dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe për promovim të vlerave pozitive në ndërtimin e rinisë së shëndoshë në aspektin psikofizik”, tha Valerija Sokolova – Stojanovska, Drejtoreshë e Projektit “Platforma e edukimit qytetar rinor për luftë kundër radikalizimit (Rinia kundër dhunës).

Projekti “Platforma e edukimit qytetar rinor për luftë kundër radikalizimit (Rinia kundër dhunës) i cili synon zhvillimin e një platforme të edukimit qytetar për të rinjtë, hartimin e narrativave motivuese dhe narrativave alternative për edukimin qytetar, si një mjet për parandalimin e radikalizimit të të rinjve, udhëhiqet nga organizatat Asociacioni Qytetar Iniciativa për Perspektivë Evropiane (IPE), NEKSUS – Koncepti Qytetar, Shoqata për Zhvillim dhe Aktivizëm AQUA- Strugë dhe Qendra për Dialog Ndërkulturor (QDI). Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button