Trotuari përreth Tregut të Gjelbër të Tetovës u lirua, shitësit ambulant u vendosën brenda tregut (FOTO)

Shitësit ambulant që shfrytëzonin hapësirat e trotuareve rreth Tregut të Gjelbër të Tetovës sot ishin futur brenda në treg, pasi Komuna e Tetovës para një jave i paralajmëroi që nëse nga prej sot nuk i lirojnë hapësirat publike do të gjobiten dhe se Ndërmarrja Komunale do organizojë  bartjen e mallit deri te hapësirat e “Parqet dhe Gjelbërimi”, me prezencë të Inspektoratit Komunal, Inspektoratit të Tregut dhe Policisë, shkruan Portalb.mk.

Në trotuare sot vëreheshin vetëm disa shitës të cilit shisnin produkte në sasi më të vogla si cigare, duhan të grirë apo vezë, të cilat shitësit lehtë mund t’i largonin në qoftë se vijnë autoritetet për të kontrolluar

Tregu i Gjelbër Tetovë, 20 dhjetor 2021, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Tregu i Gjelbër Tetovë, 20 dhjetor 2021, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjatë kohës që gazetari i Portalb.mk ishte në terren, nuk vërehej prezencë e policisë apo inspektoratit në këtë pjesë të qytetit.

Brenda tregut sot kishte më shumë frekuentim të qytetarëve, krahasuar me ditët tjera, pasi edhe shitësit tjerë ishin futur brenda. Edhe pse janë futur, shitësit kërkojnë që kushtet brenda tregut të përmirësohen.

“Sot jemi vendosur këtu ende nuk i kemi stabilizuar gjërat. Thuaj se të gjithë kemi hyrë këtu brenda. Do e shohim si do vazhdojmë, nëse hyjnë të gjithë mirë bëhet për të gjithë, jo një jashtë një brenda nuk shkon ashtu. Besoj se do rregullohet. Unë jam si të vendosin të gjithë ashtu”, tha një shitës i cili ishte futur brenda.

“Kemi hyrë po nuk e dimë si do vazhdojë, duhen kushte më të mira sepse këtu brenda është tollovi”, tha një shitës tjetër.

This slideshow requires JavaScript.

Kishte dhe prej atyre shitësve të cilët ankoheshin se brenda nuk ka vende të mira për shitje, pasi që shitësit tjerë i kanë zënë.

“Përse të hyjmë aty brenda, aty nuk ka kushte për ne. Ata që kanë qenë brenda i kanë vendet më të mira, kurse neve do na duhet të hyjmë në qoshe ku nuk kalojnë njerëzit. Këtu jashtë edhe klientët e dinë në çfarë vendi jemi”, tha një shitës.

“Unë këtu shes për shumë vite, nga këtu e nxjerr kafshatën e gojës. Aty brenda nuk ka kushte të mira”, tha një shitës tjetër.

“Edhe ata(komuna) e kanë me të drejtë se rrugët duhet të lirohen, por edhe ne të shkretit ku të shkojmë, duhet të shesim diçka këtu jashtë e kemi më kollaj se kalojnë më shumë njerëz”, tha një shitës.

Nga Komuna e Tetovës javën e kaluar njoftuan se në hapësirat e Tregut të Gjelbër janë 120 vende të lira, nga ku apeluan te të gjithë shitësit që veprimtarinë e tyre ta bëjnë konform ligjit, duke u futur në hapësirat e tregut të gjelbër. Pasi në të kundërtën nëse nga sot kjo nuk bëhet siç ata kërkojnë, do të gjobitin shitësit

“Pasi të kalojë afati i dhënë për largimin e mallit, nëse të njëjtët nuk e kanë larguar  mallin, Ndërmarrja komunale do të organizojë një kamion për bartjen mallin deri tek hapësirat e “Parqet dhe Gjelbërimi”, me prezencë të inspektoratit komunal, inspektoratin  e tregut dhe Policisë. Pasi të largohet malli, Inspektorati komunal bashkë me inspektoratin e Tregut dhe Policinë nga dita e hënë do të bëjnë kontrolle permanente për ruajtjen e sipërfaqeve publike”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Sot, për këtë reagoi edhe kryetari i Komunës Bilall Kasami, përmes rrjetit të tij Facebook njoftoi se sot vizitoi tregun tu u takua me shitësit të cilët janë sistemuar brenda tregut.

“Ka edhe shumë tezga të tjera të lira dhe shpresojmë që sa më shpejt të gjithë shitësit do të vendosen në vendet e duhura konform rregulloreve dhe ligjit. Falënderojmë edhe shitësit ambulant për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me Komunën e Tetovës. Komuna është institucion për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, e jo institucion që të kenë frikë qytetarët”, shkroi Kasami.

Shitësit shprehen të pakënaqur me kushtet brenda tregut pasi duan të vazhdojnë si më parë, të pyetur për atë se a do e rregullojnë këtë pjesë brenda tregut, nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën. 

Kaosi dhe uzurpimi i trotuareve dhe hapësirave publike është i pranishëm edhe në shumë pjesë të qytetit, si për shembull përgjatë bulevardit “Iliria” atij të “Ilindenit”, rrugët rreth qendrës dhe të tjera, ku biznese dhe persona të ndryshëm i nxjerrin produktet dhe shërbimet e tyre në rrugë, kështu duke bllokuar trotuaret dhe hapësirat publike.

Rikujtojmë që në pikat për 100 ditëshin e parë të qeverisjes me Komunën e Tetovës, Bilall Kasami ka vendosur edhe këto dy pikat e poshtëshënuara:

·         Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju  lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.

·         Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.

Të pyetur për këtë nga Portalb.mk se si do i realizojnë këto dy pika, nga Komuna e Tetovës u përgjigjen kështu:

Pjesërisht përgjigjen e kësaj pyetje e keni në Njoftimin e lëshuar për mediat që ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike dhe lirimin e trotuareve përreth tregut të gjelbër, kurse pas rregullimit në këtë pjesë të qytetit do të ndërmerren aktivitete edhe për pjesët tjera, pra ky plan zhvillohet në etapa.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button