Sijarto: Ekstradimi i Gruevskit është çështje juridike, jo politike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot është nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peteer Sijarto, i cili do të qëndrojë për vizitë në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Në fokusin e bisedimeve janë raportet bilaterale dhe ekonomiko-tregtare, si dhe ngjarjet aktuale politike me theks në konkluzionet e fundit të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së.

Sijjarto, tha se ekstradimi i ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski është çështje ligjore për të cilën është përgjegjës sistemi gjyqësor.

“Kjo nuk është çështje politike, por juridike. Është çështje e sistemit gjyqësor dhe në Hungari politikanët në lidhje me atë nuk mund të bëjnë pyetje”, tha Sijarto në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se pse Hungaria nuk e ekstradon Gruevskin.

Rivali i Viktor Orbanit, Peter Marki-Zai, i cili do të përballet me kryeministrin hungarez në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, nëse fiton, në tetor ka njoftuar ekstradimin e Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut.

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski u arratis në Budapest në vitin 2018 ku iu dha azil politik. Ai është akuzuar në disa procese gjyqësore dhe i dënuar për çështjen “Tanku” me dy vite burg për blerjen e një “Mercedesi” luksoz.

Ndërkohë për eurointegrimet e vendit, Sijjarto tha se mos-hapja e negociatave me RMV-në është një hap i pandershëm i BE-së, për shkak se vendi ka bërë gjithçka të domosdoshme për të hapur procesin negociues.

Ne ishim të pakënaqur dhe të frustruar nga konkluzionet në Bruksel rreth zgjerimit dhe të gjitha vendimet i vlerësojmë si të padrejta. Nëse donim të ishim të ndershëm, duhej të thonim që këtë vit RMV-ja dhe Shqipëria duhet t`i nisin negociatat. Me respekt i lusim miqtë tanë nga Bullgaria që çështjet e tyre kombëtare që i vlerësojnë si pengesë t`i realizojnë gjatë negociatave, e jo me pengimin e nisjes së negociatave”, theksoi Sijarto.

Ai ka vlerësuar se mungesa e nisjes së negociatave paraqet cenim të kredibilitetit të BE-së, për shkak se nga njëra anë BE-ja pranon se RMV-ja ka bërë progres të madh, kurse nga ana tjetër nuk i hap negociatat.

“Për këtë shkak, këtë situatë e vlerësojmë si të dëmshme, të rrezikshme dhe në kundërshtim me parimet e BE-së dhe për cështjet e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, ka nënvizuar Sijarto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button