Sot në Tiranë do të mbahet takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur”

Në Shqipëri të hënën (20 dhjetor) do të mblidhen liderët e nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë nikoqir i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas agjendës së publikuar, më 20 dhjetor Rama, Vuçiq dhe Zaev do të marrin pjesë në një darkë zyrtare në Elbasan, ku pritet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacionit “Shoqëri e Hapur”, transmeton REL.

Ndërkaq, më 21 dhjetor, tri liderët do të zhvillojnë takim në Tiranë dhe në këtë takim, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Lidhur me takimin e “Ballkanit të Hapur”, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se do të organizojë protestë mbarëkombëtare, pasi, siç ka thënë më 18 dhjetor, kjo nismë “është kërcënim kombëtar“.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Udhëheqësit në Kosovë argumentojnë se kjo nismë është e dëmshme, nuk është e ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button