Osmani: Mund të kemi zgjidhje me Bullgarinë që në janar, gjashtë muaj është propozim periudhë

Fakti se në Bullgari ka qeveri politike tani më jep shpresë se dy autoritete legjitime mund të ulen dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet dhe mesazhet e para nga Sofja japin optimizëm, vlerëson shefi i diplomacisë Bujar Osmani në intervistë për televizionin bullgar TV Nova, njofton Portalb.

Megjithatë, ai porosit se afatet të cilat përmenden nga Bullgaria prej gjashtë muajsh, për ne janë tejet të gjata sepse një kohë më të gjatë po presim, por edhe për shkak të kredibilitetit të BE-së në rajon është sfiduar seriozisht. Zgjidhje, konsideron ministri, mund të ketë që në janar.

“E kuptoj vetëm një argument – faktin se nuk kishte qeveri politike. Megjithatë tani, me të vërtetë, nuk ka arsye të jepen afate të gjata kur ka qeveri politike dhe shumicë stabile edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Bullgarisë dhe mund të ulemi që nesër dhe të vazhdojmë me bisedimet dhe tashmë në janar të kemi zgjidhje”, tha Osmani në intervistë.

Ai në intervistë thekson se kryeministri Zoran Zaev ka pasur përshtypje pozitive pas bisedës telefonike me kryeministrin e ri bullgar Kirill Petkov menjëherë pas zgjedhjes së tij, për arsye që po kthehet komunikimi normal në të cilin përveç fokusit të së kaluarës duhet të flitet edhe për të ardhmen.

Lidhur me gjuhën, ministri potencoi se ai duhet të quhet ashtu siç është propozuar edhe nga Komisioni Evropian – gjuhë maqedonase. Ai, sipas Osmanit, nuk mund të jetë pjesë e kontestit bilateral. Si zgjidhje dalëse, thotë ministri, mund të jetë propozimi që të dyja vendet të kenë qëndrime të tyre unilaterale për gjuhën, ndërsa BE-ja këtë ta shënojë.

Këto qëndrime ai i dha në pyetjen se nëse Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme për çfarëdo lloj kompromise duke pasur parasysh se ministrja paraprake Ekaterina Zaharieva kërkonte që gjuha të quhet “gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe se si Shkupi dëshiron ta quajë gjuhën.

“Siç është propozuar nga ana e KE-së – gjuhë maqedonase. Gjuha është çështje e cila del nga e drejta e vetëvendosjes së çdo shteti. Zakonisht shtetet pranojnë shtetet, e jo atributet që i kanë ato shtete dhe për këtë arsye mendojmë se kjo nuk është çështje e cila duhet të jetë pjesë e kontestit bilateral ose, madje, pengesë në rrugën për anëtarësim në BE. Propozimi i presidencës evropiane me atë që të dy vende të kenë qëndrime të tyre unilaterale deri te Unioni lidhur me gjuhën, ndërsa Unioni t’i shënojë të dy qëndrimet, mendojmë se është propozim i cili mund të sjellë zgjidhje”, u përgjigj Osmani.

Ministri foli edhe për minoritetin maqedonas në Bullgari për të cilin thotë se vendi nuk do të përzohet dhe të bëjë paralele me atë se si është rregulluar Kushtetuta në të dy vendet.

Për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si dhe për çështjet siç janë gjuha e urrejtjes, emri i shkurtër ose i gjatë i shtetit, rehabilitimi i viktimave nga komunizmi dhe të tjera, potencoi Osmani, Maqedonia e Veriut i dha përgjigje Bullgarisë, por nuk mori përgjigje kthyese.

Duke folur për propozimin e kryeministrit nbullgar për formim të më shumë komisioneve midis të dy shteteve, ai theksoi se diçka e tillë është paraparë pikërisht edhe me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë nga viti 2017.

“Marrëveshja parashikon dy instrumente. Një prej tyre është komision ndërqeveritar, në të cilin marrin pjesë disa ministra të kryesuar nga ministrat e punëve të jashtme. Ata janë gjashtë-shtatë ministra nga pala jonë dhe gjashtë-shtatë ministra nga pala juaj, të ulemi dhe të bisedojmë hapur – këtu ka përparim, këtu nuk ka….Këto grupe për të cilat flet kryeministri Petkov në fakt janl kthim i instrumentit kryesor të Marrëveshjes – komisioni ndërqeveritar me të gjithë grupet të cilët janë pjesë e këtij komisioni. Për fat të keq, tashmë më shumë se një vit kërkojmë të mbahet seanca e dytë, por nuk kemi përgjigje nga pala tjetër”, thotë Osmani duke shtuar se instrumenti i dytë, madje, është komisioni historik i cili duhet të gjejë gjuhë të përbashkët.

Ai vlerëson se komisioni historik ka pasur progres të caktuar dhe janë arritur marrëveshje rreth teksteve për pesë personalitete historike dhe dy periudha dhe thotë se duhej të vazhdohet me të njëjtën dinamikë dhe rekomandime për librat shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button