Mbeturinat në Komunën e Tearcës nuk janë mbledhur dy javë (Foto&Video)

Mbeturinat në Komunën e Tearcës nuk janë mbledhur dy javë nga ndërmarrja e cila menaxhon me to. Banorët ankohen sepse mbeturinat nuk mblidhen në kohë dhe qëndrojnë për ditë të tëra në rrugë. Nga kompania “Eko Flor” e hedhin topin te Komuna e Tearcës pa mos dhënë detaje, vetëm theksuan se ka skaduar koncesioni. Ndërsa nga Komuna e Tearcës thanë se janë vonesa administrative, shkruan Portalb.mk.

Mbeturina të shpërndara rrugëve janë pamje të cilat shihen në të gjitha vendbanimet e Komunës së Tearcës. Qytetaret ankohen se këta të fundit ngelin në rrugë me javë dhe shpërndahen nga qentë endacak.

“Shumë shpesh nuk vijnë t’i mbledhin mbeturinat, ndonjëherë më shumë se dy javë kalon. Ne paguajmë për shërbimin që ata ofrojnë, edhe pse të njëjtët ankohen se qytetarët nuk paguajnë. Ata që paguajnë duhet të shërbehen në kohë”, tha një banore nga fshati Sllatinë.

“Jo, jo ka disa muaj që nuk i marrin, vetë i kemi hedhur më shumë”, tha një banor nga fshati Përshefcë.

“Te ne bëhen dy javë që nuk i kanë marrë”, tha një banore fshati Gllogjë.

“Te ne një, grumbull rrinë në rrugë. Kontejnerët rijnë jashtë, ndërsa thasët Brenda se qentë I shkatërrojnë”, tha një banor fshati Dobrosht.

This slideshow requires JavaScript.

Ndërmarrja e cila bën grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Tearcës është, “Eko Flor”. Të kontaktuar nga Portalb.mk për këtë problem ata u përgjigjën shumë shkurtë në pyetjet tona, vetëm na thanë se për këtë duhet të përgjigjen nga Komuna pasi ata janë kompetentë për të dhënë deklarata.

“Janë çështje administrative, koncesioni ka skaduar në muajin e tetë. Se kur do të vazhdohet pyetni në komunë ato e dinë”, thanë nga Eko Flor.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri i pyetur nga Portalb.mk për atë se përse kompania nuk i ka mbledhur në kohë mbeturinat, tha se janë vonesa administrative.

Kanë qenë vonesa administrative deri sa është bërë konstituimi i këshillit të vetë drejtorisë regjionale për menaxhimin dhe grumbullimin e tyre, prandaj këto vonesa nuk janë vetëm në kuadër të mos angazhimit ose mos marrjes së aktiviteteve të ndërmarrjes për grumbullimin por të gjithë këtyre procedurave që është dashur të kryhen paraprakisht dhe të bëhet një përcaktim i gjithë vijueshmërisë së aktiviteteve të cilat reciprokisht duhet të merren edhe nga komuna edhe nga ndërmarrja.” tha Nuhi Neziri.

Në Komunën e Tearcës momentalisht vetëm 52 % të amvisërive e shfrytëzojnë shërbimin për menaxhim me mbeturina. Numri i shfrytëzuesve të shërbimit çdo vit ritet, por në përqindje të vogël. Sasia vjetore e mbeturinave të ngurta komunale të cilat mblidhen, transportohen dhe deponohen nga ana e Eko-Flor arrin në 3169t/v. Komuna e Tearcës nuk disponon me deponi për mbeturina. Mbeturina e grumbulluara transportohet nga ana e Eko-Flor në deponinë e Rusinos në Gostivar. Grumbullimi i mbeturinave komunale kryhet në enë të specializuara edhe atë në kontinjerë nga 120 litra. Kontinjerët për mbeturina i shfrytëzojnë vetëm shfrytëzuesit e shërbimeve të cilët kanë lidhur marrëveshje me koncesionerin. Sasia tjetër e mbeturinave e cila gjenerohet nga amvisëritë të cilët nuk janë shfrytëzues të shërbimeve deponohet në mënyrë të pa kontrolluar në deponitë e egra. Çmimi i shërbimit është 195 denarë në muaj për një familje. Ku shprazja e kontinjerëve duhet të bëhet një herë në javë.

Rikujtojmë se të martën u mbajt mbledhja e parë  konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit të Pollogut, ku u vendos si prioritet menaxhimi i mbeturinave dhe çështja e qenve endacak. I pyetur për atë se sa është e gatshme kjo qendër të bashkëpunojë me nivelin qendror për të zgjidhur këta dy problem të mëdha për banorët e Pollogut, Neziri tha se me shumë të drejtë është shqetësim për të gjithë qytetarët, jo vetëm për Komunën e Tearcës por për të gjitha komunat që janë pjesë e rajonit të Pollogut.

“Para dy ditëve ne mbajtëm këshillin konstituiv i cili ishte pasojë i të gjitha atyre procedurave paraprake ku ne kishim obligimet e ndërsjellta reciproke jo vetëm të komunës, por edhe të vetë themelimit të ndërmarrjes publike për menaxhimin e mbeturinave në Rusino. Andaj në këtë mbledhje kishim dy vendime shumë të rëndësishme, ku u vendos për të shlyer të gjitha obligimet e prapambetura ndaj ndërmarrjes publike e cila shërben dhe menaxhon mbeturinat dhe për të koordinuar në vendimet paraprake për çmimin e mbeturinave në sasinë e cila grumbullohet andej.” tha Nuhi Neziri.

Ndryshe, menaxhimi me mbeturina vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur për të gjitha Komunat e Pollogut dhe jo vetëm. Në Maqedoninë e Veriut, për 17 vjet nuk mund të ndërtohet asnjë deponi rajonale sipas standardeve të BE -së, në të cilën përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara do të përzgjidhej dhe riciklohej, kompostohej ose digjej. Sot në Maqedoninë e Veriut, ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh çfarë në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button