S’ka kulturë me defaxhinj e daullexhinj..!

Demokracia shqiptare sikur akoma nuk dallon nga anarkia. Ka më shumë se tridhjetë vjet që na gënjen ata që shiten “demokratë”, e të cilët në emër të demokracisë, në fakt janë bërë abuzuesit më të mëdhenj pikërisht të demokracisë.

Me gënjeshtra nuk bëhet as kultura, siç pretendojnë disa biçim “intelektualë”, të cilët, siç e do momenti edh ndryshojnë. Herë bëhen patriotë, duke i keqpërdorur vlerat tona më të shenjtë, herë bëhen historianë, duke folur nëpër tribuna historike pikërisht për ato vlera të shenjta, herë bëhen poetë, duke lexuar nëpër orë poetikë, e duke qenë anëtar juria, e duke ndarë shpërblime në stilin: “unë ty e ti mua”, herë merren me dizajn, e herë herë “shndërrohen” në ‘analistë”, duke vajtuar për fatin e kombit.

Janë pikërisht këta gënjeshtarë që dinë gjithçka e në fakt janë analfabetë, duke mos pasur as njohuri elementare për ABC e demokracisë. Jemi dëshmitarë se kush i merr detyrat partiake për t’i udhëhequr institucionet kulturore dhe të cilët sapo të ulen në kolltuk, punën e parë që bëjnë, është gozhdimi në ulëse, si garanci për jetëgjatësinë në atë detyrë. Pra: “të na rrojë partia”.

Janë këta që nuk u lëviz as qerpiku i syrit për dështimet e shumta që ndodhin edhe në segmentet e kulturës. Janë këtë që prodhojnë vetëm anti-vlera kulturore, sepse duhet të jetë e qartë: nuk bëhet kultura, siç thotë një shkrimtar nga Maqedonia, me defaxhinj, daullexhinj e zurlaxhinj, të cilët sapo të dalin nga zyrat e institucioneve, shkojnë për të fituar me zejen e tyre primare nëpër dasma.

Mungesa e vetëdijes kombëtare na ka sjellë këtu ku jemi, as në qiell e as në tokë, duke u shndërruar në krijesa fluide, të tejdukshme dhe duke u mbuluar me shumë dilema që prekin çështjen e identitetit tonë. Gjithandej, kemi filluar të bëhemi më katolikë se papa, më anglez se anglezët dhe preferojmë që kulturën ta bëjnë në shtigje me gjatësi milimetrike, sepse për shtigje të gjata nuk kemi kohë.

Kultura është një dimension që ndërtohet gur mbi gur, derisa të ndërtohet kalaja. E kur të ndërtohet, atëherë do të jemi të mbrojtur nga çdo rrezik i jashtëm. Derisa të arrijmë te fillimi i ngritjes së vetëdijes, rreziku më i madh do të vazhdojë të na vijë nga vetvetja, duke lejuar që të tjerët të na e përcaktojnë fatin edhe në lëmin e kulturës.

Derisa nuk i kthehemi normalitetit, është shumë normale rolin primar të vazhdojë ta ushtrojë kaosi dhe mentalitetit funksional përçarës, si trysnia më e madhe e kombit tonë. Kjo ka bërë që shqiptarët të kenë jo vetëm disa abetare, por edhe disa kultura e disa histori, ndërkaq kjo mund të reflektojë që të kemi edhe disa kombe shqiptare, pikërisht siç u konvenon disa qendrave në realizimin e projekteve antishqiptare në Ballkanin gjithnjë të trazuar.

Tash për tash detyre e tyre të shtëpisë i kryejmë vetë ne edhe në planin e kulturës. Mjerisht…

Është e koha e katarsisit gjithandej hapësirave shqiptare, sepse kultura jonë, edhe pas tridhjetë e sa vjetëve të çlirimit nga komunizmi, assesi të çlirohet nga qasja komuniste, leniniste e marksiste, por edhe nga analfabetët, të cilët jo vetëm janë bërë “ekspertë” të gjithanshëm në jetën tonë kulturore, por edhe marioneta të politikave ditore, të cilët sa herë që e do nevoja, nuk përtojnë fare t’i lëshojnë pantallonat… E, me të tillët nuk ka kulturë shqiptare të shëndoshë…

Burimi: Hejza

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button