Samiti për demokraci: RMV duhet të krijojë politika ndërkombëtare, vendet e Ballkanit ende mbajnë lidhje me qeveritë autoritare

Maqedonia e Veriut duhet të fillojë të shihet si krijues i politikës ndërkombëtare dhe jo thjesht pranues apo lëndë e të njëjtës, kjo me qëllim që të nxisë përkushtim dhe iniciativa për përforcimin e demokracisë dhe mbrojtjen nga autoritarizmi. Samiti i Demokracisë tash e tutje duhet shfrytëzuar për punë të mira dhe aktivitete konkrete nga pjesëmarrësit dhe jo vetëm fjalë dhe kthim në qeverisje semi-autoritare ashtu siç kemi vërejtur më dekada në Ballkan, shprehen ekspertët vendas lidhur me aktivitetet e Maqedonisë për angazhimin në përforcimin e demokracisë, raporton Portalb.mk.

Selim Ibraimi deklaron se në shtetet e Ballkanit Perëndimor demokracia dhe shteti ligjor është larg kurse zhvillimi i hovshëm në botën e zhvilluar do të mund të prodhojë klasa politike dhe qeverisje të këqija dhe të papërgjegjshme.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Pjesëmarrësit e Samiti duhet të bëjnë një ndarje në mes së tashmes dhe të ardhmes se cila mund të jetë e pasigurte për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale ku pjesa dërmuese e shteteve të zhvilluara do të shndërrohen dhe veprojnë mbi bazë të disa mekanizmave dhe rregullave që i ofron inteligjenca artificiale dhe pjesa tjetër e shteteve ku bënë pjesë Ballkani Perëndimor ku demokracia dhe shteti ligjor është larg kurse zhvillimi i hovshëm në botën e zhvilluar do të mund të prodhojë klasa politike dhe qeverisje të këqija dhe të papërgjegjshme. Aktualisht në Ballkanin Perëndimor kemi shtresa të forcuara që ende mbajnë lidhje me qeveritë autoritare si të Rusisë dhe vendeve tjera, qofshin ato ideologjike dhe financiare”, vlerëson Ibraimi.

Nga ana tjetër, Simonida Kacarska drejtoreshe e Institutit për politika evropiane lidhur me përkushtimin dhe iniciativën për përforcimin e demokracisë, thotë se nevojitet që vendi të fillojë të shihet si krijues i politikës ndërkombëtare dhe jo thjesht pranues apo lëndë e të njëjtës.

Simonida Kacarska
Simonida Kacarska

“Ne jemi nënshkrues të të gjitha instrumenteve ndërkombëtare në fushat e sipërpërmendura (mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër korrupsionit, etj.), si dhe anëtarë të të gjitha organizatave ndërkombëtare që merren me këto çështje. Për më tepër, në vitin 2023 ne kryesojmë OSBE-në dhe kjo krijon një mundësi të veçantë për promovimin e përkushtimit dhe iniciativave të reja për të çuar përpara zhvillimin demokratik në nivel global”, vlerëson Kacarska.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më nëntë dhjetor mbajti fjalim në sesionin plenar të Samitit për Demokraci, i cili u mbajtë në formë virtuale nën organizimin e presidentit të shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në një shkrim për Portalb.mk, drejtori i Fondacionit për internet dhe shoqëri “Metamorphosis”, Bardhyl Jashari thotë se ajo që është shumë me rëndësi, për shumë vende, por sidomos për ne që jetojmë në vendet e Ballkanit, ku pritjet dhe shpresa nga demokracia ishin dhe janë ende të mëdha, edhe pse korrupsioni dhe mos-sundimi i ligjit e bren gradualisht këtë shpresë, është se ky Samit si platformë për dialog global të mos mbetet një manifestim me shumë premtime e deklarata të bukura.

Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis
Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis

“Ai duhet të krijojë përmbajtje me ndikim të matshëm dhe vepra konkrete në vijim, që do të kontribuojnë në forcimin dhe avancimin e demokracisë. Kjo është kyçe sepse paraqet mënyrën e vetme për të demonstruar se demokracia dhe shoqëritë demokratike janë më të mira dhe mund t’i tejkalojnë për nga suksesi dhe mirëqenia e qytetarëve alternativat autokratike – ashtu siç u shpreh edhe vet presidenti Bajden, në lidhje me qëllimet e Samitit për demokraci. Kjo nënkupton t’u ofrohet qytetarëve mundësi për jetë më të begatë, të sigurt dhe në paqe duke ruajtur liritë dhe vlerat qytetare në të cilat mbështetet demokracia e vërtetë.” shkruan Jashari.

“Këtë vit Maqedonia e Veriut, shënon tre dekada nga pavarësia, nga koha kur e pranuam demokracinë dhe me Kushtetutën tonë i mbrojtëm lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë për të gjithë. Maqedonia e Veriut edhe pse me sukses e shmangi luftën civile, ishte pjesë nga rajoni i Evropës ku janë kryer krime lufte të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore”, tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Sipas tij, në dekadën e fundit në të gjitha kontinentet madje edhe në demokracitë e konfirmuara, kemi qenë dëshmitarë të rritjes së populizmit, tendencave autoritare, të cilat e sfidojnë demokracinë dhe e bëjnë më të dobët.

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

“Nuk ekziston alternativë dhe nuk duhet të humbim asnjë minutë: revitalizimi i demokracisë është me rëndësi thelbësore për përballje me këtë sfidë pa precedent në kohën tonë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se siguria jonë, prosperiteti dhe të drejtat tona themelore dhe liritë janë të lidhura mes vete. Maqedonia e Veriut e mbështet plotësisht arsyen kryesore për këtë mbledhje dhe është e gatshme që të përkushtohet për themelet e botës së lirë: Fillimisht bashkë ta mbrojmë mënyrën tonë e të jetuarit nga shtetet autoritare dhe entitetet, në mënyrë të vendosur dhe koordinuar”, tha Pendarovski.

Në këtë Samit Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën.

Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai tha se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.

Ndryshe, qëllimet e Samitit janë nxitja e përkushtimit dhe iniciativave për përforcimin e demokracisë dhe mbrojtja nga autoritarizmi, lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe prezantimin e sfidave me të cilat përballet demokracia në nivel global dhe në vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe në SHBA.

Dhe pikërisht, forcimi i demokracisë dhe lufta kundër korrupsionit janë ndër prioritetet e Qeverive që aspirojnë integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, siç është Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button