Kurti: Jemi të interesuar për furnizim të qëndrueshëm me rrymë e çmime të përballueshme

Të enjten është kthyer në funksion njëri bllok i Kosovës B, ndërsa tjetri vazhdon të jetë jashtë operimit. Shkaqet e daljes nga funksioni do të hetohen nga një ekspert gjerman, i cili do të sanojë edhe defektet në bllokun B2. Kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në KEK, ka thënë se janë të interesuar për furnizim të qëndrueshëm e me kosto të përballueshme.

Shkaqet e daljes nga funksioni i dy blloqeve të termocentralit “Kosova B” dy ditë më parë do të hulumtohen nga një ekspert gjerman, i cili pritet edhe ta sanojë defektin në bllokun B2 të këtij termocentrali.

Vetëm pas sanimit të këtyre defekteve, pritet të kthehet në funksion ky bllok dhe KEK-u të operojë me kapacitete të plota prodhuese.

Aktualisht, KEK-u po operon me kapacitete prej 650 MW/h energji elektrike, ndërsa kërkesat e konsumit sipas KEDS-it janë mbi 1.2 gigavat, transmeton Koha.net.

Për t’u njoftuar me situatën energjetike në vend, kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga dy ministrat, atë të Ekonomisë dhe të Financave, ka vizuar dy termocentralet e KEK-ut. Kurti ka thënë se janë të interesuar për furnizim të qëndrueshëm.

“Ne jemi të interesuar që të kemi edhe furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike, por edhe çmim të përballueshëm. Kemi folur me ministrin e Ekonomisë, të Financave që të bëjmë çmos që në këto ditë të dimrit të mos ketë barrë të madhe për popullsinë dhe kemi bërë thirrje që të kursejnë. Na duhet që të dalim nga kjo krizë dhe paralelisht me strategjinë për energji”, ka thënë ai.

I pyetur nëse është i vonshëm intervenimi i Qeverisë për të ndalë rritjen e çmimit të energjisë, Kurti ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se atë që kanë mundur të bëjnë po e bëjnë duke marrë vendim për subvencionim të kostos së importit.

Menaxheri i prodhimit në “Kosovën B”, Naser Berisha, teksa ka njoftuar kryeministrin me dëmet në blloqe, ka thënë se të mos shkojë mendja që ka pasur ndërprerje të qëllimshme.

“Punëtorët janë dukat. Kurrë të mos shkojë mendja që dikush bën diçka me qëllim sa u përket punëtorëve. E për dikah tjetër është çështje e investigimit. Na teknikisht si inxhinierë nuk mund të themi se çfarë ka ndodhur. Secili punëtorë këtu e jep maksimumin e vet”, është shprehur ai.

Deklarata e tij ka ardhur pas disa deklaratave të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila kishte thënë se përflitet që ka pasur raste që ndalja e blloqeve është bërë në mënyrë të qëllimshme.

Ministrja Rizvanolli gjatë vizitës në KEK ka thënë se kanë marrë premtime nga Shqipëria se do ta ndihmojë Kosovën për tejkalim të krizës me energji.

Nga KEDS-i kanë mirëpritur intervenimin në sistem të energjisë, duke paguar për rrymën që do të importohet nga KEK-u, e cila do t’i shitet më pas KEDS-it në bazë të marrëveshjes që ka.

Përveç mbulimit të importit, Qeveria ka bërë kërkesë te Presidenca për të autorizuar kredinë mes Kosovës dhe KFW-së për zhvillim të sektorit të energjisë.

Ndërkohë, gjatë 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të prezantojë edhe strategjinë për furnizimin e energjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button