Ishulli i pemëve që mungojnë

Libri i ri i shkrimtares Elif Shafak “Ishulli i pemëve që mungojnë” është një rëfim sa i bukur aq i trishtueshëm, ashtu si që dinë të jenë të gjitha rëfimet e kësaj autoreje. Mjeshtria e saj për të krijuar rëfime fiktive të bazuara në ngjarje të vërteta lë gjithmonë përshtypje. Që në faqet e para, lexuesi e gjen veten si spektator të fshehur pas pemës së Figut të lumtur, në dhomën e vajzës Ada që mban emrin e ishullit, ose mes arkeologëve dhe botanistëve që gërmojnë për të gjetur jo vetëm rrënjët e pemëve por edhe koskat e njerëzve të zhdukur. Kaq shumë tema të ndryshme të ndërlidhura në një roman të vetëm prej disa qindra faqesh, kaq shumë histori komplekse, kaq shumë keqkuptime e megjithatë edhe kaq shumë mirkëkuptim i ndërsjellë njerëzor. Po, veprat e Elif Shafak janë gjithnjë të tilla, e shëtisin lexuesin në kohë dhe hapësirë dhe e përballin në fund me kthesa të papritura. Janë vepra që ngjallin emocione të ndryshme, janë vepra ku dashuria, zhgënjimi, pikëllimi dhe vetmia ndihen në vetë të parë dhe mbesin gjatë kohë në kujtesë.

Është vështirë të shkruhet për situata konflikti ndëretnik si ai në Qipro me objektivitet të tillë siç tregon Elif Shafak. Në asnjë moment nuk fiton përshtypjen se libri favorizon njërin apo tjetrin etnitet, në asnjë moment nuk flitet për gabimin e njërit apo tjetrit. Flitet gjithnjë për procese të historisë njerëzore të mbushur me gjak, me urrejtje dhe me mungesë tolerance. E megjithatë në një mjedis të tillë po aq toksik sa edhe pluhuri i azbestit nga i cili të paktën dy personazhë në libër e humbin jetën, sërish gjendet një pëllëmbë tokë e frytshme ku lulëzojnë emocionet më të bukura njerëzore, mirëkuptimi dhe përkrahja e ndërsjellë mes atyre pak njerëzve normalë në atë çmenduri. Këto raporte të bukura lulëzojnë si gjethet e Fikut, protagonistit të heshtur, por gjithnjë prezent në të gjitha ngjarjet e librit.

Fiku nuk është personazh i rastësishëm në këtë roman, përkundrazi, është aty me një qëllim. Ai i tregon lexuesit të fshehtat që edhe vet personazhët njerëz të librit nuk i dinë, gjë që na bën të mendojmë për memorien tonë të kufizuar dhe për limitimin e njohruive tona, përkundër faktit që njerëzimi shpesh e konsideron vetën të gjithëdijshëm. Fiku si personazh në këtë tregim ka edhe një qëllim shumë të rëndësishëm: ta bëjë kexuesin të mendojë më thellë për ndikimin që njerëzimi e ka në ambientin jetësor dhe degradimin e tij me shpejtësi maramendase. Nuk janë shkatërruesit e vetëm të ambientit mungesa e kujdesit dhe sulmet brutale, por është edhe neglizhenca që i bëhet. Natyrën e marrim për të mirëqenë, si diçka të gatshme që gjithsesi na takon, na ka takuar dhe do të na takojë. Jemi të pavetëdijshëm sa shpejt mund ta humbasim atë mirëqenie që natyra na siguron. Mund ta humbasim po aq shpejt sa shëndetin, jetën, dashurinë dhe shumë të mira të tjera që i marrim si të mirëqena.

Si të gjtha librat e tjera të kësaj autoreje, edhe ky libër flet për kategortië e margjinalizuara në shoqëri, për njerëzit që të qenit të ndryshëm e paguajnë shtrejtë. Fatet e tyre tragjike mbeten gjatë në kujtesë si pjesë e ndërgjegjës kolektive të turmës që rrallë herë e pranon dhe e respekton të menduarit ndryshe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button