Pse përtkhyesit shqiptarë nuk e dinë shqipen?

Gjuha shqipe ka kohë që nuk është në binaret normale. Ajo ditë për ditë lëndohet me futjet, kujt si t’i teket, të fjalëve të huaja, të cilat, po që se nuk ndalen në mënyrë institucionale, atëherë shqipja do të përjetojë një “evolucion” të tmerrshëm, sa që një ditë ndoshta do të habitemi për ndryshimet e përmasave tragjike.

Në veçanti kësaj i kontribuojnë mediat, të cilat janë me aq ndikim, sa që as ata që janë kompetentë dhe që paguhen për mbrojtjen nga ndikimet e jashtme, nuk e kanë fuqinë ta drejtojnë as gishtin e vogël drejt tyre (mediave).

Është kapitull në vete abuzimi me gjuhën amtare në shkollat tona. Është situatë e njëjtë si në ciklin e ulët, si në të mesëm, si në atë të lartë. Mësohet shkarazi, në mënyrë sipërfaqësore, për të mos thënë sa për sy e faqe.

Meqë e kemi këtë gjendje, atëherë çfarë mund të presim nga përkthimet prej gjuhëve të huaja në shqipe, ndonëse gjithnjë e më shumë paraqiten “përkthyes” shqiptarë, të cilët përkthejnë nga shqipja në gjuhën e vendit ku ata jetojnë, pa pasur bazën elementare të gjuhës që e flasin ata.

Pra, duhet të jetë e qartë se dallimi ndërmjet gjuhës që flitet dhe gjuhës së përkthimit, është shumë, shumë i madh dhe vetëm ta mendosh këtë (përkthimin) do të duhet të të kaplojnë ndjenja trishtimi.

Të përkthesh nga gjuha e huaj në shqipe, do të thotë që këtë të fundit ta njohësh në thelb, ta njohësh natyrën e saj, ta njohësh fonetikën, morfologjinë, sintaksën, semantikën, frazeologjinë, dialektet, folklorin dhe një varg segmentesh tjera, pa të cilat përkthimi do të ishte gjithçka, por jo edhe përkthim.

Volteri ka thënë: “Mjerë ata që bëjnë përkthime fjalë për fjalë dhe duke përkthyer çdo fjalë minojnë kuptimin. Ky është rasti për të thënë se shpirti jep jetë, ndërsa letra vret”.

Është një konstatim i përgjithshëm se ka shumë përkthyes shqiptarë që e njohin relativisht mirë anglishten, gjermanishten, italishten, frëngjishten, spanjishten e ndonjë gjuhë tjetër, por fatkeqësisht ata nuk e njohin thelbin e gjuhës shqipe. Pikërisht këtu qëndron problemi dhe pikërisht këtu duhet kërkuar fajin se pse kemi bukur shumë përkthime jo të mira, sidomos të veprave letrare, të cilat përkthime nuk i bëjnë nder as autorit të përkthyer, e aq më pak audiencës shqiptare.

Abuzimi me përkthimet, sidomos nga gjuha shqipe në gjuhët tjetra, është një temë që meriton vëmendje të veçantë, sepse këto përkthime jo vetëm që janë qesharake, por edhe ofenduese, sepse, nga naiviteti, duke përdorur “google translacion”, të themi, poezia shqipe që “përkthehet”, bie fjala në gjermanisht, i ngjan vetëm një karikature të shëmtuar që e detyron lexuesin gjerman të klithë: Scheiße.

Do të ishte diçka e përsosur nëse do t’i përmbaheshim thënies së Günter Grass-it: “Përkthimi është diçka që transformon gjithçka në mënyrë që asgjë të mos ndryshojë”.

Burimi: HEJZA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button