RMV, vitin e ardhshëm do të pyllëzohen rreth 500 hektarë, për të mbjellë më shumë pemë do të nevojiten financa

Ndërmarrja publike “Pyjet Kombëtare” vitin e ardhshëm planifikon të pyllëzojë sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh, ndërsa është planifikuar që, në një hektar, të mbillen nga 2000 deri në 2500 fidanë, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave që i morëm nga NP “Pyjet Kombëtare”, ata gjatë 10 viteve të fundit kanë pyllëzuar nga 400 deri në 600 hektarë në vit. Kjo do të thotë se edhe në vitin 2022 përqindja e pemëve që do të mbillen do të jetë brenda mesatares së dekadës së kaluar.

Me Strategjinë e përgatitur për Veprimin Klimatik të vendit, një nga masat kryesore për zbutjen e pasojave nga ndryshimet klimatike, deri në vitin 2050, është masa e pyllëzimit në vend. Nga NP “Pyjet Kombëtare” sqarojnë se aktivitetet për pyllëzim i realizojnë në përputhje me Planet e Posaçme për Ekonomizim me Pyjet, të cilat miratohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Për të rritur numrin e pemëve të mbjella në të gjithë vendin, NP Pyjet Kombëtare pret të zgjerojë bashkëpunimin me të gjitha subjektet në nivel kombëtar, përfshirë edhe pushtetin vendor. Tashmë është vendosur bashkëpunimi me disa komuna për përfshirjen e tyre në aktivitetet e pyllëzimit dhe për gjelbërim, por ata presin që numri i komunave të përfshira të rritet.

NP “Pyjet Kombëtare” në bashkëpunim me qeverinë, vjeshtën e kaluar, nisën një program emergjence për të riparuar dëmet e shkaktuara nga zjarret pyjore, që e goditën vendin verën e kaluar. Pyllëzimi i zonave të shkatërruara nga zjarret pyjore do të zgjasë të paktën dy vjet. Për përkujtim, në zjarret pyjore u shkaktua dëm prej më shumë se 31 milionë euro.

Meta.mk në periudhën e kaluar u dërgoi pyetje komunave më të mëdha në vend – Shkupit, Kumanovës dhe Manastirit për atë se sa pemë të reja planifikojnë të mbjellin në katër vitet e ardhshme, për t’iu bashkëngjitur luftës kundër ndryshimeve klimatike. Përgjigje morëm vetëm nga Komuna e Manastirit, të cilët bëjnë të ditur se në 4 vitet e ardhshme do të rritet përqindja e sipërfaqeve të gjelbra, veçanërisht në periferi dhe kodrat përreth Manastirit, si: Bilbil Kamen, Kërkardash e vende të tjera.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është një nga vendet, të cilat në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP 26) u zotua që deri në vitin 2030 t’i japë fund shkatërrimit të pyjeve në territorin e saj. Si përkujtim, kjo marrëveshje që u nënshkrua në COP 26 parasheh edhe masa të cilat do të ndërmerren për riparimin e dëmeve nga zjarret pyjore dhe rikthimin e pyjeve në gjendjen e mëparshme.

Kundrejt kësaj, gjatë këtij viti zjarret pyjore kanë shkatërruar mbi 10 mijë hektarë pyje në vend. Meta.mk para pak kohësh kontaktoi edhe me Qendrën për Strategji Evropiane – EUROTHINK, të cilët thonë se problem i madh është edhe prerja ilegale e pyjeve. Sipas të dhënave të Global Forest Watch, nga viti 2001 e deri më sot Maqedonia ka humbur 38.600 hektarë mbulesë pyjore, e barabartë me reduktim prej 4.9 për qind të pyjeve. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave nga viti 2010 e deri më sot thonë se dëmet në pyje, të shkaktuara nga prerja e paligjshme janë 245.118 metra kub dru.

Në mbarë botën, komunat dhe sektori i biznesit po përfshihen në mbjelljen e sa më shumë pemëve. Kështu, autoritetet lokale në Paris, në vigjilje të COP 26, shpallën një plan të detajuar për të mbjellë 170.000 pemë të reja në kryeqytetin francez deri në vitin 2026. Pemë do të mbillen në çdo vend ku ka mundësi dhe hapësirë ​​për këtë qëllim, duke filluar prej parqeve, shesheve dhe rrugët ekzistuese, deri te autostradat urbane rreth kryeqytetit francez. Deri më tani asnjë komunë në Maqedoni nuk ka ndërmarrë iniciativë për të bashkëngjitur plan të detajuar për mbjelljen e pemëve të reja dhe ta prezantojë atë para opinionit.

Ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për shkatërrimin e pyjeve, si dhe nevoja për mbjellje të pemëve të reja, fatkeqësisht ekziston edhe tek qytetarët. Muajin e kaluar “Eko-vetëdija” (Eko-svest) e promovoi hulumtimin për ngrohjen e amvisërive, që tregon se 53 për qind e familjeve të anketuara në vend nuk duan të ndryshojnë sistemin e ngrohjes, si dhe vetëm dhjetë për qind janë gati për një hap të tillë. Familjet e tjera do të riorientoheshin drejt mënyrave më moderne dhe më ekologjike të ngrohjes vetëm nëse marrin ndihmë financiare të pakthyeshme. Shumica e amvisërive në vend ngrohen me dru zjarri. Madje 49 për qind e tyre ngrohen me dru zjarri apo dru pemishte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button