Shkupi në sytë e të rinjve, OJQ EYE organizoi ekspozitë dhe panel diskutimi (VIDEO)

A mundemi të bëjmë ndryshime në vend përmes artit? Kjo ishte çështja që u shtjellua gjatë panelit të diskutimit, mbrëmë në hamamin Daut Pasha në Çarshinë e Shkupit. Ky  panel diskutimi u organizua nga OJQ EYE-Organizata për Ekologji dhe Mjedis Jetësor. Pas panelit u mbajt edhe ekspozita e quajtur “Shkupi në Sytë e Mi”. Karriget në sallën e Daut Pashës, u mbushën. Atmosfera e artit ndihej kudo që e ktheje kokën. Për Portalb, folën më shumë organizatorët e këtij evenimenti.

“Paneli i diskutimi dhe ekspozita janë dy aktivitetet e fundit sa i përket projektit Shkupi në Sytë e Mi. Ky projekt u mbështet nga Democracy Lab dhe ISD Young Cities. Ne kemi punuar për gjashtë muaj për t’i realizuar gjithë këto aktivitete. Realisht jemi befasuar nga interesi që kanë shfaqur të rinjtë për ta ndjekur dhe mbështetur gjithë aktivitetet të cilat i kemi realizuar gjatë këtyre gjashtë muajve. Kjo na motivon që të vazhdojmë me aktivitete të tjera.” tha Erzana Maliqi, projekt asistente në OJQ EYE.

Aktiviteti i parë që EYE realizuan me projektin Skopje Through My Eyes ishte një punëtori dy ditore. Në këtë punëtori 20 të rinj u trajnuan për fotografi, fotoraportim, aktivizëm dhe gazetari. Ata morën ligjëratat dhe motivin për të dalë në Shkup dhe për të treguar se si ata e shohin Shkupin në sytë e tyre. Më pas, fotografitë më të bukura u selektuan dhe u ekspozuan për herë të parë në tetor në Kotur.

This slideshow requires JavaScript.

“Ne nuk i kufizuam se çfarë të fotografojnë. Të gjithë kanë qenë të lirë të fotografojnë qoftë anën e mirë ose të keqe të Shkupit. Fotografitë kanë dalë më të bukura se që i kemi pritur. Duket se ligjëratat kanë pasur efekt të mirë te të gjithë pjesëmarrësit. Ajo që e vërejtëm te fotografitë të cilat i punuan, storjet që janë prekur më shumë janë varfëria, papastërtia nëpër Shkup por, nuk mund të anashkalojmë edhe faktin që të rinjtë kanë zgjedhur ta shpalosin edhe anën e mirë të Shkupit.” tha Maliqi.

Organizatorët gjithashtu theksuan se për fotografitë më të bukura u ndanë katër çmime të cilat ishin të përzgjedhura nga juri profesionale. Kishte tre çmimet e para dhe çmimi i publikut i cili u vlerësua me fotografinë e cila mori më shumë pëlqime nëpër rrjete sociale. Dy të rinjve ju shpërnda kurs intensiv për fotografi dhe dy të tjerëve ju dhanë materiale për të fotografuar. Këtë gjë ata e bënë që t’i motivojnë të rinjtë të bëjnë fotografi më të bukura.

“Ne menduam që ta përmbyllim këtë projekt me një panel diskutimi, për të ju dhënë hapësirë të rinjve që të shprehin mendimin sa i përket temës se sa mund të bëjmë ndryshime përmes artit. Mbrëmë në hapësirat e Daut Pashës panelistë ishin Osman Demiri-fotograf, Sabina Memishi-aktore dhe Naim Idrizi-grafit dizajner. Në fund të panelit, u dha edhe njëherë ekspozita Shkupi në Sytë e Mi.” u shpreh Dorina Ajdini, projekt meanxhere e OJQ EYE.

Përmes këtij projektit Zana Shehi, organizatore e projektit, tha që mesazhi që duan të përcjellin përmes këtij projekti është që të rinjtë çdoherë mund ta ngritin zërin për problemet që i tangojnë ato në shoqëri. Sipas EYE asnjëherë nuk duhet të anashkalohet fuqia që e kanë të rinjtë për të bërë ndryshime. Të rinjtë kanë vullnet, energji për të bërë ndryshime pozitive që të arrihet në një botë më inkluzive, më e qëndrueshme dhe më e barabartë për të gjithë. Organizata Joqeveritare EYE thanë për Portalb se do të vazhdojnë edhe me projekte të tjera gjatë vitit tjetër. Fokusi kryesor do të jetë ambienti jetësor dhe ekologjia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button