Ukraina dënoi me 11 vjet burgim një burrë për bashkëpunim me separatistët

Një gjykatë në Ukrainë e dënoi me 11 vjet burgim një burrë për shkak të përfshirjes së tij në konfliktin në lindjen e vendit, përkrah separatistëve të mbështetur nga Rusia, transmeton REL.

Gjykata në qytetin lindor Slloviansk, më 15 dhjetor, shpalli fajtor Viktor Mykhedin, për themelim dhe për pjesëmarrje në grup terrorist, si dhe për përfshirjen e tij në trajtimin çnjerëzor të të burgosurve të luftës dhe të civilëve.

Sipas hetuesve, Mykhed ishte bashkëpunëtor i afërt i Igor Bezlerit, i njohur si komandant i separatistëve në Donetsk. Ata thonë se Mykhed mori pjesë në përcjelljen e ushtarëve ukrainas, si dhe xhironte video propaganduese për separatistët, përfshirë një ekzekutim të rrejshëm.

I pandehuri mohoi akuzat kundër tij, dhe pohoi se iu mohua gjykimi i drejtë. Ai tha se nuk pati mjaftueshëm kohë ta shqyrtonte rastin e tij, dhe se kërkesa për përkthyes nga gjuha ukrainase në rusishte u injorua.

Më shumë se 13,200 njerëz besohet të jenë vrarë përgjatë më shumë se 7 vjetëve të luftimeve në mes të forcave të Qeverisë ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Kremlini, në lindje të Ukrainës.

Disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, të njohura bashkërisht si Donbas, janë nën kontrollin e separatistëve, që nga prilli i 2014-s, disa javë pasi Rusia ilegalisht aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

Rusia siguroi përkrahje ushtarake, ekonomike dhe politike për separatistët, ndërsa pavarësisht dëshmive të shumta, Moska mohon përfshirjen në punët e brendshme të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button