Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit është futur plan për furnizimet publike të vitit të ardhshëm

Partitë qeverisëse në programin e tyre parazgjedhor kishin si premtim vendosjen në funksion të teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit, sot që flasim, asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Drejtori i Elem Turs që menaxhon me Kodrën e Diellit tha se në planin e furnizimeve publike për vitin e ardhshëm si pjesë e furnizimeve si projekt ideor e ka futur projektin e teleferikut  Tetovë-Kodra e Diellit, ndërkaq nga Komuna e Tetovës nuk komentojnë për këtë edhe përkundër premtimeve parazgjedhore të kryetarit Bilall Kasami, topin e hedhin te Elemi, shkruan Portalb.mk.

Si shpëtim nga kaosi i cili krijohet me kolona të gjata në Kodrën e Diellit duket të jetë teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit, i cili njëherit ngelet ëndërr e shumë tetovarëve.

Nga Ministria e Ekonomisë për Portalb.mk thanë se teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit nuk është nën juridiksionin e Ministrisë së Ekonomisë.

“Ju lutemi kontaktoni me autoritetet e Elem Turs”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Për atë se deri ku është ky projekt i premtuar, drejtori i Elemit, Adem Avziu tha se këtë e kanë biseduar me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe se po punojnë në atë drejtim.

“Është fakt se është një projekt i premtuar. Ju paralajmëroj se në planin e furnizimeve publike për vitin e ardhshëm unë e kam futur si pjesë e furnizimeve si projekt ideor të gondolës Tetovë-Kodra e Diellit. Ne punojmë vazhdimisht në atë, jemi në konsulta të vazhdueshme me ministrin. Është projekt më i madh, kërkon kohë, kërkon mjete financiare më shumë dhe kërkon periudhë realizimi më afatgjate e cila ka komplikimet e veta gjatë punimeve në terren.” tha Adem Avziu.

Kodra e Diellit nga viti 1962 ka pasur teleferik i cili ka bartur turistët nga Tetova në këtë qendër turistike, aktualisht ky teleferik është i shkatërruar dhe jashtë funksionit. I njëjti, është “peng” i premtimeve parazgjedhore, të çdo partie politike, çdo cikël zgjedhor.

Pas një analize të iniciativës “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” me ekspert të fushës, është vërtetuar se i njëjti teleferik e ka të pamundur të futet në funksion, kjo për shkak se i njëjti është demontuar dhe amortizuar tërësisht.

Teleferiku u premtua edhe nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të këtij viti.

“Sa i përket teleferikut ne jemi pjesë e pushtetit qendror dhe qeveria ka marrë përgjegjësi që të revitalizojë komplet Kodrën e Diellit, pjesë e të cilës është edhe ndërtimi i teleferikut Tetovë-Kodër e Diellit, pra është një marrëveshje me të cilën ne jemi pjesë e Qeverisë dhe kjo është pjesë e Qeverisë, nuk ka kapacitet pushteti lokal të ndërtojë teleferikun, investim që sipas planit është mbi 50 milion euro”, tha Bilall Kasami në Debatpërnime me 14 tetor.

Lëvizja Besa tani nuk është më pjesë e Qeverisë, Portalb.mk pyeti komunën se çfarë do të ndodh me teleferikun dhe cilat janë planet, nga komuna u përgjigjën shkurt pa mos dhënë detaje.

“Teleferiku është në kompetencë të ELEM dhe pyetjet duhet t’ju drejtohen atyre!” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rikujtojmë që në fillim të vitit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë se megjithatë ka pasur plan për ndërtimin e kësaj gondole, por i njëjti është anuluar për shkak të situatës me virusin korona në vend.

Rikujtojmë që në zgjedhjet e fundit,  partitë qeverisëse premtuan këtë. Programin e plotë zgjedhor të BDI-së mund ta lexoni: KËTU, premtimet e Kodrës së Diellit nga faqe 114 deri në faqen 116. Koalicioni LSDM-BESA me emrin “Mundemi” që nuk ishte prezent ka premtuar për Kodrën e Diellit. KËTU (faqe 14) mund ta lexoni çka premtojnë ata për këtë qendër turistike. Programin e plotë zgjedhor të PDSH-së mund ta lexoni: KËTU, premtimin për Kodrën e Diellit në faqen 51.

Rikujtojmë se në vitin 1962, u ndërtua kjo gondolë dhe filloi me punë pjesa e parë e teleferikut deri në Lisec, me gjatësi 3209 metra. Tre vite pas vënies në punë të teleferiku Tetovë-Lisec, në vitin 1965 u lëshua në përdorim edhe pjesa e dytë e këtij teleferiku Lisec-Kodër Dielli, në gjatësi 2991 metra. Teleferiku kishte 100 kabina, me kapacitet për 400 persona. Koha e udhëtimit ishte 40 minuta. 103 000 udhëtarë përdorën teleferikun nga data 8 mars kur filloi me punë deri në dhjetor të të njëjtit.

Shpresat, sipas ekzekutivit ngelen te investitori privat, Në fund të muajit maj kryeministri në largim Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Sipas Ministrisë së Ekonomisë marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian, emri i të cilit mbetet “i besueshëm”.

Ministria e Ekonomisë thotë se procedurat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare juridike për Kodrën e Diellit në vlerë prej 50 plus 50 milionë euro janë në fazën përfundimtare, por nuk jep detaje për investitorin pasi sipas tyre ky është investim strategjik dhe kjo është në interes të procedurës. Ata presin që me investime të tilla të rritet oferta turistike në RMV dhe në këtë mënyrë Kodrës së Diellit t’i rikthehet shkëlqimi që meriton. Nga Ministria e Ekonomisë nuk u përgjigjën nëse teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit është apo jo pjesë e bisedimeve me investituesin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button