Kasami: Disa kompani janë dakorduar që t’ia falin një pjesë të borxhit Komunës së Tetovës

Borxhi i Komunës së Tetovës është mbi 24 milion euro. Kryetari i komunës, Bilall Kasami njoftoi se kanë krijuar plan për uljen e tij, të cilin do e shpalos ditëve në vijim me detaje ndërsa në të bën pjesë falja e pjesërishme e borxhit nga disa kompani. Ai theksoi se do të kërkojnë përgjejgësi në organet kompetente për ata persona që e kanë keqpërdorur buxhetin e komunës dhe kanë krujuar këtë borxh. Dyshimet se u shpenzuan para për ngjitjen e borxhit në billborde Kasami i hodhi poshtë, pasi siç tha ai nuk ka pasur kompensim për këtë pjesë, shkruan Portalb.mk.

Për Portalb.mk, Kasami tha se një pjesë e kompanive të cilave Komuna e Tetovës u ka borxh, të njëjtët janë dakorduar t’ia falin një pjesë.

“Plani konkret ka të bëjë komunikimi me kompanitë të cilëve ju kemi pjesën më të madhe të borxhit. Ata kanë shprehur gatishmëri që një pjesë të ja falin komunës dhe unë brenda këtyre ditëve do dal para mediumeve ku me kompanitë do të nënshkruaj një marrëveshje me të cilën ne si komunë marrim obligim t’ua paguajmë borxhin periudhën e ardhshme, njëherit ata ashtu siç jemi dakorduar paraprakisht një pjesë të borxhit t’ia falin komunës me çka unë besoj që ndjeshëm do të ulet kjo pjesë e borxhit.” tha Bilall Kasami.

Kasami pohoi se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë borxh në prokurori, sip tha ai janë në në përpilim e sipër për çdo keqpërdorim që e konstatojnë ta përcjellin me procedura adekuate para organeve të hetuesisë.

I pyetur për atë se kur do e bëjnë të njëjtën, ai u pëgjigj kështu:

“Ato janë procedura të cilat janë në vazhdim e sipër, ne tash nëse doni që çdo padi të cilën ne e parashtrojmë në gjykatë të ju informojmë, besoj se janë procedura që kanë të bëjnë me organe tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me komunën. Pra ne në vazhdimësi si i hetojmë rastet pasi duam të kemi dokumentacion të plotësuar.  Edhe për çështjen e borxhit sigurisht që si i zbulojmë keqpërdorimet, ne i denoncojmë. Sa i përket aspektit financiar jam në kërkim dhe në bisedim edhe shikimin e procedurës formale të angazhimit të një revizori të jashtëm i cili do të bëjë revizion të plotë të çështjes financiare të periudhës së kaluar dhe në bazë të gjetjeve të revizionit ne do të vazhdojmë të veprojmë në të ardhmen.”

Borxhi i Komunës së Tetovës
Borxhi i Komunës së Tetovës

Kasami me të bërë publik borxhin e komunës së Tetovës, fillimisht në seancën e dytë të këshillit dhe pastaj përmes një konference për shtyp njoftoi se ky borxh do të ngjitet në billborde në qytet si dhe do të jetë në formë të detajuar në ueb faqe.

ueb-faqen e komunës ai nuk është i vendosur ende.

Ngjitja e borxhit në billborde hapi dyshime te qytetarët të cilët në rrjete sociale filluan të shprehen që ngjitja në billborde nuk sjell diçka tjetër vetëm se shpenzime shtesë për komunën.

Për atë se sa kanë kushtuar këto billborde dhe me çfarë fondesh janë paguar, Kasami u shpreh se situata e parashtrimit të një problematike të tillë për mos të thënë komike, është tragjike.

“Vetë situata e parashtrimit të një problematike kur ne kemi 24 milion borxh dhe në vend që ne të merremi me atë se si do të japin llogari ata që e futën komunën 24 milion. Përndryshe është një çështje që ka të bëjë se të gjithë billbordet në qytet i paguajnë komunës një taksë vjetore për billbordet , ne jemi dakorduar që këto billborde që i shfrytëzojmë t’i kemi në dispozicion dhe jemi dakorduar mos të ketë kompensim për atë pjesë”, tha Bilall Kasami.

Publikimi i borxhit nga ana e Kasamit hapi edhe dyshimet se mos e bën këtë në një farë forme për të amnestuar veten që mos ndoshta nuk do të mund t’i realizojë të gjitha premtimet në mandatin e tij.

I pyetur nga Portalb.mk se a nënkupton se ky borxh do të jetë një arsye që ai  të mos mund ti përmbush të gjitha premtimet e dhëna, Kasami tha se “përkundrazi, kjo do të jetë një arsye që Komuna e Tetovës edhe ta zvogëlojë borxhin edhe të realizojë projekte shumë më shumë se që janë krijuar në të kaluarën.

Në infografikun e poshtëm mund të shihet borxhi i Komunës së Tetovës, ndërmarrjeve publike dhe shkollave.

Borxhi i Komunës së Tetovës, infografik nga Portalb.mk
Borxhi i Komunës së Tetovës, infografik nga Portalb.mk

Për atë se kujt dhe sa i ka borxh Komuna e Tetovës, ndërmarrjet dhe shkollat të dhënat mund të shihen në tabelën më poshtë të përgatitur nga Portalb.mk.

Borxhi i Komunës së Tetovës
Borxhi i Komunës së Tetovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button