Ndotja e ajrit, arsyet dhe zgjidhja

Shkruan: Zibixhete Elezi

Ndotja e ajrit në qytetet e mëdha mbetet problem serioz. Kjo ndodh si rezultat i bashkëpunimit të dobët në mes institucioneve qendrore me ato lokale. Nga ky problem nuk është i kursyer as qyteti i Tetovës. Me nisjen e sezonit të dimrit si çdo sezon tjetër aktualizohet padyshim edhe ndotja e ajrit. Nga informacionet që vinë nga raporti javor i cilësisë së ajrit, nga Ministria e Mjedisit Jetësor, jepet një analizë e koncentrimeve mesatare ditore për grimcat PM 10, që mesatarja do duhej të ishte (50 mikrogramë për metër kub), ndotja e ajrit është tejkaluar në qytetin e Tetovës (73), nga vlera mesatare e grimcave PM 10.

Problemet që shkaktojnë ndotjen e ajrit janë të shumta por do t`i përmendim disa nga ato:

  1. Mungesa e ngrohjes qendrore është njëri ndër faktorët që e shkakton ndotjen e ajrit, që për fat të keq mungon në Tetovë, prandaj shumica e familjeve për ngrohje në sezonin e dimrit si resurs shfrytëzojnë drutë sepse nuk ju ofrohen shumë opsione për zgjedhje. Plus ta theksojmë këtu faktin që në mënyrë të vazhdueshme në mediume qytetarët marrin informacione se do ketë restrikcione të rrymës elektrike, si dhe rritje të çmimit, edhe ato familje që për ngrohje e shfrytëzojnë rrymën elektrike janë në dilemë si do ta përballojnë sezonin e dimrit. Atëherë shtrohet pyetja e logjikshme kah i orienton Qeveria qytetarët dhe çfarë opsione ofron për zvogëlimin e ndotjes së ajrit? Akoma më keq është se disa nga familjet, për shkaqe ekonomike të vështira, për ngrohje shfrytëzojnë mbetje nga mobiljet, goma dhe materiale tjera që gjatë djegies lëshojnë grimca të rrezikshme kimike, e që shkaktojnë edhe shumë sëmundje tek njerëzit, të cilat i marrin përmes ajrit të ndotur.
  2. Keqmenaxhimi i mbeturinave, ose më sakt djegia e tyre gjithashtu në masë të madhe shkakton ndotjen e ajrit.
  3. Numri shumë i madh i automjeteve, shkakton edhe trafik të mbingarkuar, rrugët e ngushta shpesh rezultojnë në vështirësi në qarkullim ose më sakt bllokim të trafikut, e gjithë kjo kontribuon në ndotjen e ajrit.
  4. Ndërtimet e shumta të blloqeve të reja të ndërtesave në mënyrë të pakontrolluar, pa standarde, e pa analiza konkrete atmosferike, padyshim këto pengojnë në qarkullimin e lirë të ajrit dhe kjo dukshëm dëmton shëndetin e vetë qytetarëve.

Zgjidhjet:

  1. Shtimi i hapsirave të gjelbërta, mbjelljen e bimëve dhe drunjëve, janë opcione që ofrojnë zgjidhje afatgjata dhe do të rezultojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
  2. Menaxhimi i drejtë i mbeturinave duke i kushtuar rëndësi investimit në fabrika për selektim dhe reciklim të mbeturinave, por për këtë duhet një qasje më serioze dhe një bashkëpunim më i sinqertë në mes Qeverisë dhe Komunës, vetëm kështu do të rezultonte në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
  3. Fokusi të jetë i orientuar në shfrytëzimin e energjisë alternative. Institucionet të stimulojnë familjet në sigurimin e paisjeve siç janë: panelet diellore, sistemeve të peletave, inventorët, etj, me këto dukshëm do të kishte kontribuar në zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe do ndikonte në përmisimin e jetës së përditshme dhe në e shëndetit të qytetarëve.
  4. Hapja e disa bulevardeve do të ndihmonte në qarkullimin e lirë të automjeteve.
  5. Krijimi i parkingjeve të reja, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button