Zaev ia dorrëzoi funksionin e të parit të partisë Kovaçevskit (Video)

Dimitar Kovaçevski mori zyrtarisht kryesimin e LSDM-së, pasi u zgjodh të dielën në këtë post, në zgjedhjet brendapartiake, të cilat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaev, transmeton Portalb.mk.

LSDM njoftoi se Zaev sot pasdite në selinë e partisë ia dorrëzoi funksionin Kovaçevskit, duke e uruar për fitoren dhe duke i uruar mandat të suksesshëm.

“Kryetar, të uroj fat, mençurinë e ke, ta mbrosh këtë parti të madhe dhe shtetformuese, të kujdesesh për socialdemokracinë, të kujdesesh për unitetin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, zgjedh një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë”, i tha Zaev kryetarit të ri tanimë, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski, nga ana tjetër, e falënderoi liderin aktual për të gjithë kontributin e tij në udhëheqjen e LSDM-së, por edhe Qeverisë në vitet e fundit, periudhë në të cilën, siç u tha, vendi u bë anëtar i NATO-s dhe arriti suksese historike.

“Ju falënderoj edhe për vendimet e mençura që ke marrë për partinë, por edhe për vendin, falë të cilave sot vendi është anëtar i NATO-s dhe jemi në prag të fillimit të negociatave me BE-në. Faleminderit që latë një parti me një trashëgimi që ka potencialin më të madh në kuadro. Dëshiroj t’ju uroj shëndet dhe lumturi në jetën tuaj personale dhe profesionale”, i tha Kovaçevski Zaevit.

Pas marrjes së detyrës nga Zaev, Kovaçevski paralajmëroi disa ndryshime në kryesinë e LSDM-së.

“Sipas procedurave do të kemi një seancë të Bordit Qendror ku do të informoj për bisedimet me partnerët e koalicionit. Kam në plan të emëroj disa anëtarë të rinj të Komitetit Qendror dhe udhëheqjen e partisë që do të përfshijë anëtarë të partive ekzistuese dhe të reja”, tha Kovaçevski për TV24, pa treguar se kush do të largohet dhe kush do të mbetet në krye të partisë.

Kujtojmë se, lideri i deritanishëm dhe kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi dorëheqjen e tij nga këto dy pozita, pas disfatës që pësoi partia e tij në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale më 31 tetor. Zaev dorëzoi dorëheqjen e tij në parti, më 27 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button