Pendarovski vizitoi Komandën Rajonale të KFOR-it në Pejë (Video)

Presidenti Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, sot vizitoi Komandën Rajonale të KFOR-it në Pejë, ku takoi komandantin, kolonelin Andrea Bertaco dhe pjesëtarët e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, të cilët janë në detyrë në kuadër të misionit paqeruajtës, transmeton Portalb.mk.

Gjatë takimit, koloneli Bertaco e njoftoi Pendarovskin për aktivitetet e Komandës Rajonale të KFOR-it – në mbështetje të paqes dhe sigurisë në Kosovë, njoftuan nga zyra e Pendarovskit.

Pendarovski shprehu mbështetjen për misionin e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e tij për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ai theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të promovuar bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve me interes të përbashkët, në mënyrë që të përmbushen objektivat e misionit.

Ai gjithashtu theksoi se me pjesëmarrjen e 65 pjesëtarëve të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut në forcat e KFOR-it, vendi si anëtare e NATO-s jep një kontribut aktiv në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Pendarovski u njoftua edhe për aktivitetet aktuale dhe kryerjen e detyrave të Ushtrisë së Maqedonisë, të dislokuar në Komandën rajonale të KFOR-it.

Ai vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin me të cilin ushtarët tanë kryejnë të gjitha kërkesat dhe detyrat e vendosura dhe tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të kontribuojë në këtë mision.

Ndryshe, sot Pendarovski  në Kosovë u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Siç bëhet e ditur për media, Kurti e ka ngritur në takim çështjen e “Rastit Kumanova” me ç ‘rast e shprehu shqetësimin e familjeve dhe kërkoi informata për ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme. Ndërkaq, Stevo Pendarovski shprehi rezervat e tij sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas takimit në Prishtinë me homologen e tij nga Kosova, tha se nëse kjo iniciativë ka për qëllim të restaurojë Jugosllavinë, apo është alternativë e integrimeve evropiane, atëherë ai nuk e mbështet atë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button