KOVID19 është infeksion virusal dhe nuk shërohet me antibiotikë

Dezinformomi në rrjetet sociale nuk njeh kufi dhe etikë, në formën më të ulët dhe jo-profesionale dezinformohet opinioni publik nga burime të dyshimta. Vetëm në pak ditë, një postim në “Facebook” edhe pse përmban disa pretendime të rrejshme, ka grumbulluar 1 800 pëlqime, rreth 500 komente dhe është shpërndarë nga rreth 10 mijë përdorues tjerë të platformës “facebook”, shkruan Portalb.mk

Përmbajtja që recensojmë është një postim i shpërndarë në “facebook” nga profili “Saraji Sot”. Edhe pse përmbajtja bazohet në një sërë pretendimesh të rreme, pa cituar burime dhe fakte shkencore, vetëm në pak ditë ka arritur një interaksion të madh në rrjetet sociale. Dezinformata në fjalë nuk është e re për opinionin, megjithatë kjo nuk është pengesë që kjo dezinformatë të pëlqehet dhe të shpërndahet nga mijëra njerëz në rrjetet sociale.

Në përmbajtjen që recensojmë pretendohet se: Singapori u bë vendi i parë në botë që kryen autopsinë e trupit me KOVID19; Se Kovid19 nuk është virus por është një baktere; se Ministria e Shëndetësisë në Singapor ndryshoi menjëherë protokollin e trajtimit; infektimi me KOVID19 shërohet me aspirina, etj. Në fakt, bëhet fjalë për një dezinformatë globale ndaj së cilës është përgjigjur edhe zyrtarisht Qeveria e Singaporit, duke i mohuar të gjitha pretendimet e lartpërmendura. Pretendimet u mohuan edhe nga Ministria e Shëndetësisë Singapor në qershor të këtij viti, të cilët thanë se nuk është kryer autopsi te ndonjë pacient dhe as nuk kanë ndryshuar protokollet e trajtimit të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH). Institucionet në Singapor u bënë thirrje të gjithëve që të informohen nga uebfaqja e tyre zyrtare, e cila përditësohet vazhdimisht me të dhëna.

“Jemi të vetëdijshëm se po qarkullon një mesazh që Singapori ka kryer autopsi mbi një pacient me COVID-19 dhe ndryshime të supozuara në protokollet e trajtimit. Përmbajtja i atribuohet Ministrisë së Shëndetësisë – Singapor. Kjo nuk eshte e vertete. FAKTE – Singapori nuk ka kryer autopsi të tillë. Mesazhi përmban informacion të rremë në lidhje me patofiziologjinë e infeksionit COVID-19, i cili nuk shfaqet me provat aktuale”thuhet në njoftimin në FB të Ministrisë së Shëndetësisë së Singaporit.

Gjatë muajit prill të vitit 2021, në nivel botëror u përhap për herë të parë një dezinformatë e tillë vetëm se në këtë përmbajtje pretendohej se Rusia është vendi që ka bërë autopsi dhe ka ardhur në përfundimet në fjalë. Disa muaj e parë përmbajtja me tekst identik qarkullonte “online” në Serbinë fqinje.

Dezinformata e njëjte në gjuhën serbe Burimi:https://perma.cc/
OBSH nuk ndalon asnjë vend të bëjë autopsinë e viktimave të KOVID19

Pretendimi se OBSH ndalon të bëhet autopsia e personave që kanë humbur jetën si pasojë e KOVID19 është i pavërtetë. Ky fakt bënë që automatikisht të jetë  e pavërtetë se Singapori është vendi i parë që bënë autopsi të tillë. Vetëm në Maqedoni, më shumë se 10 autopsi u kryen vitin e kaluar. Ky pretendim i pavërtetë ka qarkulluar edhe më herët në rrjetet sociale dhe është demistifikuar nga vërtetmatësi.mk.

KOVID19 është pandemi globale dhe shkaktohet nga KORONAVIRUSI

Virusi që tashmë gati 3 vite ka shkaktuar pandemi globale, për herë të parë u paraqit në Vuhan të Kinës në dhjetor të vitit 2019. Sëmundja e re dhe e panjohur për njerëzimin u shkaktuar nga një virus i familjes Koronavirus. Koronaviruset janë familje e madhe virusesh të cilat shkaktojnë sëmundje tek njerëzit ose kafshët. Sa i përket infektimit të njerëzve, njihen disa koronavirusë të cilët shkaktojnë sëmundje të sistemit respirator. Virusi i ri u emërtua COVID-19 që do të thotë: CO-corona, VI-virus, D(ang.-diseas)-sëmundje, 19 – ndërlidhet me vitin 2019. Këto janë faktet shkencore që kanë siguruar për opinionin publik shkencëtarët e OBSH-së.

Është e vërtetë se disa njerëz që janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 mund të zhvillojnë një infeksion bakterial si një ndërlikim, megjithatë një komplikim i njëjtë haset edhe në sëmundje të tjera virale si për shembull gripi. Si rrjedhojë bie poshtë edhe pretendimi se KOVID19 mundet të trajtohet me antibiotikë. Drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetit për përgatitjen globale të sëmundjeve infektive, Dr. Sylvie Bryan, sqaron se konsumimi i antibiotikeve gjatë trajtimit të KOVID19 mundet të shkaktojë edhe një infeksion bakterial tek pacienti.

“Përdorimi i antibiotikut në trajtimin e Covid-19 nuk do të ndihmojë, sepse bëhet fjalë për virus, jo bakter. Por ajo që kemi parë në disa pacientë të shtruar në spital që kanë marrë antibiotikë është parandalimi i infeksioneve bakteriale, sepse disa pacientë janë të dobët dhe të brishtë, dhe kemi frikë se përveç Covid-19 ata mund të marrin infeksion tjetër bakterialthotë Dr. Brian.

Nuk është e vërtetë se Singapori përdor një tjetër mënyrë trajtimi ndaj KOVID19

Janë të pavërteta pretendimet se Singapori ka ndryshuar trajtimin e sëmundjes me KOVID19. Ky pretendim u hodh poshtë edhe nga autoritetet zyrtare të Singaporit, të cilët thanë se ndjekin të gjitha rregullat dhe rekomandimet e OBSH-së në trajtimin e pacientëve të infektuar me KOVID19. Nga Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje qytetarëve të paraqiten tek mjeku nëse nuk ndihen mirë dhe të marrin shërbimin e nevojshëm.

“Aspirina nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në virusin që shkakton COVID-19. Nëse nuk ndiheni mirë, vizitoni një mjek herët për t’u testuar dhe trajtuar”, theksohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Singapor.

 

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button