fbpx

Kurti kërkoi nga Pendarovski informata për ecurinë e procesit gjyqësor të “Rastit Kumoanova”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me bashkëpunëtorë. Siç bëhet e ditur për media, Kurti e ka ngritur në takim çështjen e “Rastit Kumanova” me ç ‘rast e shprehu shqetësimin e familjeve dhe kërkoi informata për ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme, shkruan Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu është theksuar se raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet dyja vendeve dhe avancimi i mëtejmë i tyre dhe fqinjësisë së mirë, ishin tema qendrore e takimit.

“Ekziston vullnet i qartë politik nga ana e Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet tona dypalëshe”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të koordinuar politikat në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik dhe në linjë me raportet e shkëlqyeshme tregtare.

Foto: Presidenca e RMV

Pendarovski u shpreh i brengosur për rritjen e tendencave autoritare në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. BE-ja do të duhej të shpërblente reformat demokratike, theksoi presidenti Pendarovski.

Ndërkaq Kurti ngriti shqetësimin për militarizimin e Serbisë, që siç tha ai, paraqet kërcënim për rajonin dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.

“U theksua se të dy vendet mbeten të përkushtuara në synimet e përbashkëta euroatlantike dhe në parandalimin e ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues për rajonin, në radhë të parë nga ndikimi malinj i Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor dhe gjetiu në kontinentin evropian dhe ndikimi ekonomik dhe tregtar i Republikës Popullore të Kinës, i cili ka për qëllim krijimin e varësisë financiare e përmes saj ndikimin në vendimmarrjen politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor. U bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinim të dy shteteve me ShBA-në, BE-në dhe aleatët e tjerë për të pamundësuar një ndikim të tillë. Raportet ndërshtetërore janë avancuar dukshëm, gjë që e dëshmon edhe mbledhja e dy qeverive, e mbajtur më 16 shtator në Shkup, ku u nënshkruan 11 marrëveshje të reja duke çuar në 50 numrin e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve”, thuhet tutje në njoftim.

Pendarovski, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Siç njoftuan nga kabineti i Pendarovskit, dy bashkëbiseduesit gjatë takimit, kanë theksuar se vendosja e kontakteve të shpeshta dhe direkte do të reflektohet pozitivisht në raportet mes dy shteteve në sferën politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Foto: Presidenca e RMV

“Presidenti Pendarovski dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca folën edhe për proceset e përgjithshme në plan rajonal dhe vlerësuan se, investimi i përbashkët në raportet ndërfqinjësore, është kontribut i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button