Qyteti i Shkupit: Tenderi për ndërtimin e linjës së parë BRT është ndërprerë, nuk ka oferta nga kompanitë

Dje përfundoi faza e parë e procedurës së tenderit për ndërtimin e linjës së parë të transportit të shpejtë me autobus – BRT, nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov. Procedura e tenderit që u publikua në faqen e BERZH parashihte që, kompanitë e interesuara, për të marrë pjesë në tender, të dorëzonin ofertat e tyre për parakualifikim në Qytetin e Shkupit, shkruan Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Nga Qyteti i Shkupit njoftojnë, se procedura e tenderimit është ndërprerë, prandaj nuk ka asnjë ofertë nga kompanitë e interesuara.

Vetë tenderi duhej të zhvillohet në dy faza, ashtu që në fazë fillestare ishte planifikuar që së pari të zgjidheshin kompanitë dhe konsorciumet, të cilat i plotësojnë kriteret e tenderit dhe do kalonin në fazën e dytë kualifikuese, në të cilën në fund duhej të përzgjidhet ofertuesi më i favorshëm.

Ndryshe, tenderi për ndërtimin e linjës së parë BRT u shpall në fund të tetorit të këtij viti. Në trasenë e  gjatë 12,81 km ishte planifikuar të qarkullojnë autobusë ekologjikë 18 metra të gjatë; përgjatë trasesë të ketë 21 stacione autobusësh, si dhe 2 terminale, nga një në Gjorçe Petrov dhe Novo Lisiçe. Me zbatimin e tij pritej që koha e udhëtimit me transport publik, për qytetarët që përdorin transport publik, të përgjysmohej nga 70 minuta në 35 minuta.

Tenderi  u shpall pasi në prill të këtij viti u nënshkrua marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për një kredi prej 70 milionë euro për ndërtimin e dy linjave BRT në Shkup. Projekti BRT u shqyrtua nga BERZH dhe kjo marrja e kësaj kredie u votua nga Parlamenti i RMV-së.

Nga kryesia e re e qytetit, për Meta.mk, thonë se BRT është një koncept relativisht i panjohur për qytetarët e Shkupit. Nga Qyteti i Shkupit sqarojnë se aktualisht janë duke zhvilluar negociata me BERZH dhe pas përfundimit, qytetarët do të njoftohen për marrëveshjen që do të arrihet. Kryetarja Danela Arsovska mbetet në qëndrimin që referendumi të futet si praktikë për qytetarët e Shkupit të deklarohen për çështjet madhore të qytetit.

“Sipas analizave që janë përgatitur vitin e kaluar, për nevojat e Qytetit të Shkupit, ka mangësi dhe rreziqe të shumta të projektit që do të kenë ndikim në mjedis, gjë që në asnjë rast nuk duhet të lejohet”, thuhet në përgjigjen nga qyteti i Shkupit.

Ekspertët, menjëherë pas njoftimit për ndërprerjen e realizimit të projektit BRT, e këshilluan kryetaren e re të Shkupit të mos nxitojë në marrjen e vendimeve strategjike për transportin publik në Shkup, duke shtuar se projekti BRT është pranuar me admirim të madh nga përfaqësuesit e BERZH-it, të cilët janë shumë të rreptë sa i përket projekteve që i financojnë.

“Shkupi nuk mund t’i zvogëlojë problemet me bllokimin e trafikut, ndotjen e shtuar, mungesën e parkingut, nëse nuk ofrohet transport publik cilësor që do të ishte mjaft tërheqës ashtu që disa nga përdoruesit e sotëm të makinave të kuptojnë se është më përshtatshëm për ta nëse e shfrytëzojnë transportin publik”, tha profesori i transportit publik në Fakultetin Teknik në Manastir, Nikolla Krstanoski.

Në lidhje me blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë dhe burimet e financimit që do të mbulonin konstruktin financiar të administratës së re të qytetit, nga Qyteti i Shkupit thonë se tashmë janë në komunikim me ekspertë të huaj, të cilët kanë përvojë në fushën e dhënies së granteve për eko projektet.

Ndryshe, Shkupi për tre dekada e gjysmë të kaluara ka, në fund të viteve 80 të shekullit të kaluar, një referendum të pasuksesshëm për ndërtimin e tramvajit, një seri të tërë studimesh fizibiliteti dhe dokumentacione projektuese për ndërtimin e tramvajit klasik dhe BRT, procedura të shpallura dhe të pasuksesshme të tenderit për to, ide për ndërtim të një hekurudhe qytet-periferi, si dhe një projekt paraprak për ndërtimin e një traseje nëntokësore të tramvajit nga Karposh 4 deri në Novo Lisiçe nga kompania kroate ZET-Zagreb.

Me gjithë dokumentacionin, në qytet nuk ka transport publik alternativ, megjithëse numri i banorëve në kryeqytet po rritet pa ndalë nga viti në vit, ndërsa vitin e kaluar numri i automjeteve të regjistruara zyrtarisht në Shkup tejkaloi 150,000. Për krahasim, në vitin 2012 në kryeqytet ka pas 122.400 automjete të regjistruara. Autoritetet e qytetit nuk kanë shifra të sakta për numrin e qytetarëve dhe automjeteve nga qytetet e tjera që hyjnë çdo ditë në Shkup, gjë që e ndërlikon edhe më shumë bllokimin e trafikut.

Ndryshe nga kjo, Meta.mk tashmë ka shkruar se, sipas të dhënave të NQP-Shkup, shpejtësia mesatare e autobusëve nga linjat qytet-periferi ndër vite shënon rënie të vazhdueshme. Trafiku mesatar i autobusëve të transportit publik në vitin 2013 ka qenë 19.65 kilometra në orë, ndërsa në vitin 2019 ka rënë në 18.39 kilometra në orë.

Edhe numri i udhëtarëve që e përdorin transportin publik në Shkup është në rënie të vazhdueshme ndër vite. Sipas të dhënave të NQP-Shkup, në vitin 2014 janë transportuar 52,9 milionë udhëtarë, pas së cilës vëllimi i shfrytëzimit të transportit publik zvogëlohet nga viti në vit, që në vitin 2019 ky numër të arrijë në 44,2 milionë udhëtarë. Me përhapjen e pandemisë Kovid-19, numri i udhëtarëve të transportuar vitin e kaluar ra në 21,4 milionë udhëtarë.

Ndryshe, mundësia e paralajmëruar prej kohësh për futjen e transportit publik alternativ në Shkup sot është në situatë të ngjashme si në periudhën e zgjedhjeve lokale të vitit 2009. Kryetari i atëhershëm në largim Trifun Kostovski u detyrua të anulojë tenderin për ndërtimin e linjës së parë të tramvajit nga Novo Lisiçe deri në qendër të Shkupit, pasi përbërja e atëhershme e Komisionit Kundër Korrupsionit kërkoi ndalimin e realizimit të tenderit për tramvaj.

Kryetari i ri nga VMRO-DPMNE Koce Trajanovski nuk pajtohej me modelin e ndërtimit të tramvajit në Shkup, të propozuar nga kryetari i mëparshëm Trifun Kostovski. Në vend të ndërtimit të një linje tramvaji, me mbështetjen e qeverisë, autoritetet e atëhershme të qytetit filluan blerjen e autobusëve të rinj ukrainas nga LAZ dhe autobusë dykatësh nga “Yutong”. Flota e automjeteve të JSP-Shkup u modernizua tërësisht, ashtu që para blerjes së autobusëve NQP në vitin 2009 kishte 48.633.000 udhëtarë ndërsa pas blerjes së autobusëve numri i udhëtarëve u rrit në 52 milionë udhëtarë. Por pastaj, kjo shifër e udhëtarëve të transportuar zvogëlohej, që në vitin 2019 para fillimit të pandemisë kovid-19 të bie në 44,2 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button