Pendarovski: Nëse “Ballkani i Hapur” është tentim për restaurim të Jugosllavisë unë jam kundër

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shprehur sot rezervat e tij sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas takimit në Prishtinë me homologen e tij nga Kosova, tha se nëse kjo iniciativë ka për qëllim të restaurojë Jugosllavinë, apo është alternativë e integrimeve evropiane, atëherë ai nuk e mbështet atë, shkruan Portalb.mk.

“Kur filloj iniciativa në vitin 2019, me takimin e parë ku mori pjesë edhe kryeministri jonë, unë isha politikani i parë në gjithë rajonin i cili shprehi rezerva ndaj asaj iniciative. Pse!? Sepse, vlerësoj (supozim) nëse ajo iniciativë është tentim për restaurim të ndonjë Jugosllavie unë jam kundër! E dyta, nëse ajo iniciativë është alternativë apo kompensim i integrimeve evropiane dhe është alternativ i anëtarësimit në BE unë jam kundër. Nga të gjithë ata që morën pjesë aty, përfshirë edhe kryeministrit tonë, mora garanci se ideja e tyre nuk është e tillë. Ajo ishte në momentin kur ishte lancuar iniciativa”, deklaroi Pendarovski.

Ai më tej shtoi se, kjo iniciativë ka pasur mangësi nga vet fillimi, sepse në vend që të marrin pjesë të gjithë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma e tyre.

“Qëndrimi im edhe më tej do të jetë se, përderisa ajo iniciativë nuk i përfshin gjithë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë e suksesshme. Dhe në fund, qëndrimi im dhe qëndrimi i udhëheqësisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut është se, “Ballkani i Hapur”, me supozim që t’i përfshijë të gjitha gjashtë vendet, mund të jetë vetëm njëra nga veglat, vetëm njëri nga instrumentet për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ekonomik dhe tregtar, do të thotë jopolitik dhe “Ballkani i Hapur” mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berliinit, ashtu e trajtojmë dhe do ta trajtojmë ju garantojë, të jetë një aspekt i Procesit të Berlinit”, tha Pendarovski.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani duke sqaruar se pse Kosova është kundër “Ballkanit të Hapur”, tha se kjo iniciativë e filluar në Novi Sad që në fakt ka ndryshuar emrin disa herë, nuk është ndërtuar në përputhje me parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor, që ndër të tjera kanë të bëjnë me përfshirjen e të gjitha shteteve që nga momenti i parë dhe nuk e pranon barabarësinë apo trajtimin e barabartë të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk është e gatshme që edhe Republikën e Kosovës ta trajtonte në mënyrë të barabartë sikurse edhe shtetet tjera në iniciativa rajonale, natyrisht që ne shohim se një iniciativë të tillë, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë për ekspansion të interesave të saj hegjemoniste që këto ditë po quhen në togfjalëshin “bota serbe”. Rrjedhimisht, Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike, qëllimeve të kësaj iniciative, më konkretisht qëllimeve që Serbia ka aty. E dyta, ka rezerva sa i përket çështjeve ekonomike dhe të sigurisë. Dhe e fundit, synimi është që të përdoret si një lloj paradhome që e vonon dhe zvarrit procesin e integrimit evropian, në vend që ta përshpejtonte atë, që është edhe qëllimi i vendit tonë”, tha Osmani.

Kjo iniciativë fillimisht u quajt “Mini – Shengeni”, megjithatë më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme nga “Mini Shengen” ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina refuzuan të përfshihen në këtë iniciativë. Pjesë e kësaj iniciative gjithashtu nuk është edhe Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button