Rezistencë ndaj “bilateralizimit” të negociatave apo realitet?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova
  • Shkas: Konkluzionet e Këshillit të BE-së për çështje të përgjithshme më 14 dhjetor 2021 –

Dhe ja më në fund, janë konkluzionet e Këshillit të BE-së për çështje të përgjithshme, lidhur me zgjerimin dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit (PSA). Presidenca sllovene e shpalli këtë sukses, sepse ekzistonte rreziku që sërish të mos kishte konkluzione ose të kishte konkluzione të Kryesisë, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare.

Megjithatë, nëse e shikojmë thelbin e rezultatit – vend për gëzim nuk ka. Angazhimi kryesor i Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit të këtij viti – mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – nuk u realizua. Konkluzionet e miratuara nuk e përfshijnë angazhimin fillestar, për të mbajtur konferencat e para ndërqeveritare deri në fund të këtij viti, por e përmbajnë vetëm formulimin “sa më shpejt të jetë e mundur, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli”. Edhe sikur të kishte mbetur afati, ai nuk do të realizohej, sepse ishte e sigurt që Bullgaria nuk ishte dakord me Kornizën e propozuar negociuese, që në fakt është pengesa kryesore për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare dhe nuk është gjë tjetër veçse një prezantim i  Kornizës negociuese.

Në diskutimet rreth këtij Këshilli është futur një term i ri“bilateralizimi” i procesit të zgjerimit apo negociatave. Bullgaria dëshiron që zbatimi i Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim të jetë pjesë e rëndësishme e negociatave, e për këtë nuk ka diskonim te vendet e tjera anëtare. Megjithatë, konkluzionet e fundit i referohen Konkluzioneve të marsit 2020, ku përveç “rëndësisë për të arritur rezultate të dukshme dhe zbatimit me mirëbesim” të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, qëndron edhe “në kuadër të procesit të zgjerimit. ”

Dhe derisa debati për nuancat, pikat dhe presjet, formulimet dhe referencat e përsëritura dhe të ripërsëritura vazhdon nga njëri sesion në tjetrin, “bilateralizimi” faktikisht po ndodh. Bullgaria me veton i imponoi kërkesat e saj, që pretendohet se bazohen në Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim, si çështjen kyçe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, kjo u imponua edhe si çështja numër një në skenën e brendshme politike të Maqedonisë.

Askush më nuk e përmend propozimin portugez, nga maji, me të cilin u bë një përpjekje për të shmangur “bilateralizimin” e negociatave.

Ndërsa, ndërkohë, po aktualizohet emri. Gradualisht, me kërkesë të Bullgarisë, në Këshillin e BE-së (dhe jo vetëm atje) u vendos praktika e përdorimit vetëm të emrit të gjatë – Republika e Maqedonisë së Veriut, kundrejt emërtimit të të gjitha vendeve tjera me emra të shkurtër. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës.

Prej paralajmërimeve të kryeministrit të ri të Bullgarisë dhe kryeministrit të Maqedonisë në largim, paralelisht me mbajtjen e Samitit, ekziston rreziku që “bilateralizimi” të intensifikohet, përkundër rezistencës së deklaruar ndaj tij nga vendet anëtare të BE-së.

Ndryshe, në Konkluzionet për Maqedoninë e Veriut, duke i përshëndetur vlerësimet e Komisionit Evropian nga Raporti (progres i caktuar, progres), Këshilli kryesisht bën thirrje për reforma të mëtutjeshme në sundimin e ligjit dhe administratën publike, përkatësisht – zbatimin e strategjive dhe ligjeve tashmë të miratuara në përputhje me standardet evropiane. Më karakteristik është rekomandimi për nevojën e rishikimit gjithëpërfshirës dhe me kohë të legjislacionit zgjedhor, duke pasur parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut, me përfshirjen e subjekteve relevante. Vlen të theksohet edhe vlerësimi për proaktivitetin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por paralelisht me vërejtje që të respektohen rekomandimet e tij. Vlerësimet për Regjistrimin e mbajtur të popullsisë janë pozitive. Lidhur me reformat ekonomike, është theksuar nevoja për të përmbushur kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së dhe aftësinë për t’u përballur me konkurrencën.

Shtetet anëtare edhe më tej vazhdojnë të mbajnë pakon Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Vlerësimi për të dy vendet është identik – se ka vazhduar vendosmëria e tyre e fortë për të avancuar në agjendën për në BE, siç është identik edhe formulimi për konferencën e parë ndërqeveritare.

Për Malin e Zi, i cili tashmë i ka hapur të gjithë kapitujt, kryesore është pritshmëria për vendosmëri më të madhe në rrugën drejt BE-së, që në mënyrë implicite bën me dije se për momentin nuk mjafton. Kusht për progres të mëtejshëm është përmbushja e standardeve të ndërmjetme nga kapitujt 23 dhe 24, ndërsa prioritetet janë përcaktuar në mënyrë specifike.

Konkluzionet, siç pritej, më kritike ishin për Bosnje e Hercegovinën – duke dënuar bllokadën e institucioneve shtetërore, duke u bërë thirrje liderëve politikë që të ndalojnë më tej ta venë në dyshim sovranitetin, unitetin dhe integritetit territorial të vendit. Amendamenti kroat, me të cilin kërkohej që nëpërmjet reformës zgjedhore të sigurohet barazi e popujve konstitutiv, nuk kaloi.

Nuk ka vendim as për liberalizimin e vizave për Kosovën, përkundër konstatimit se standardet janë përmbushur.

Serbia është shteti i vetëm në rajon që mund të gëzohet këto ditë. Pas një pauze dyvjeçare, merr hapjen e kapitujve, gjegjësisht sipas metodologjisë së re – një klaster të plotë. Është Klasteri 4 – Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme, e cila përbëhet nga katër kapituj: Politika e Trafikut, Energjia, Rrjetet Trans-Evropiane dhe Mbrojtja e Mjedisit jetësor. Ky klaster është jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për përdorimin e fondeve të para-anëtarësimit. “Paralajmërohet” edhe hapja e Klasterit 3 – Aftësia konkurruese dhe rritja inkluzive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button