Zgjidhja e shpejtë për heqjen e vetos bullgare ndaj RMV-së rrugëtim real apo imagjinar?

Maqedonia dje mori edhe një veto nga Bullgaria për fillimin e negociatave me BE-në. Qeveria e re bullgare, në prag të mbledhjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme, njoftoi se do të propozojë zgjidhje “shumë të shpejtë” që duhet të ndihmojë Sofjen të heqë veton e saj dhe të zhbllokojë fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE, tha kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, për Financial Times. Megjithatë, kjo zgjidhje e shpejtë duket akoma larg realitetit, pasi partia e kryeministrit të ri ka koalicion me partinë ITN të Slavi Trifonovit, i cili konsideron se Maqedonia është etnikisht dhe kulturalisht bullgare, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, sipas informacioneve që posedon EURACTIV Bullgaria, “procesi i shpejtë” i planifikuar me Shkupin nuk është koordinuar me presidentin Rumen Radev, i cili do të përfaqësojë Bullgarinë në samitin e nesërm të BE-së, më 16 dhjetorit.

Sipas raportimeve, Samiti i nesërm ka ambicie për të zgjidhur problemin me veton bullgare, por Radevi nuk ka në plan të japë terren përpara se Shkupi t’i përgjigjet shqetësimeve të Sofjes.

Sipas informacioneve të marra nga EURACTIV, presidenti u kap në befasi nga strategjitë e Petkovit, megjithëse të dy kishin qenë shumë të afërt gjatë muajve të krizës politike.

Burime të njohura me situatën thonë se Radevi nuk dëshiron të ketë afat kohor të kufizuar për zgjidhjen e çështjes së vetos, rreziku është se Shkupi mund të presë vetëm të kalojë koha në vend që të adresojë shqetësimet e Bullgarisë.

Ndër kushtet e ndryshme për heqjen e vetos, Petkovi në intervistë përmendi vetëm një. Ai tha se në tekstet shkollore të historisë maqedonase, Bullgaria nuk duhet të quhet “fashiste”, duke iu referuar përshkrimeve aktuale të trupave bullgare që pushtuan atë që është sot Maqedonia e Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qëndrimi i Bullgarisë është se Maqedonia e Veriut “duhet të tregojë pjekuri evropiane dhe respekt për vlerat e BE-së” duke ndërmarrë veprime konkrete për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes kundër Bullgarisë në tekstet shkollore të historisë, institucionet shtetërore dhe shkencore, mediat publike dhe të ndalojë përvetësimin ose falsifikimin e kulturës bullgare dhe trashëgimisë historike. Një shqetësim i veçantë lidhet me të drejtat e qytetarëve maqedonas që shprehin hapur identitetin e tyre bullgar.

Strategjia e Shkupit ka qenë mbështetja e presionit perëndimor ndaj Bullgarisë për të hequr veton, pa adresuar shqetësimet e Sofjes.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, për TV 24, deklaroi se Maqedonia duhet të vazhdojë me presionin dhe vendosjen e afateve të shkurtra. Sipas tij, vendi është plotësisht i përgatitur dhe ka të drejtë të bëjë presion ndaj Bullgarisë dhe BE-së. Lidhur me deklaratat e kryeministrit bullgar Kiril Petkov se në 6 muajt e ardhshëm duhet të ketë përparim në marrëdhëniet dypalëshe, Osmani shprehu pakënaqësi për këtë “periudhë të gjatë”.

“Gjashtë muaj është një periudhë shumë e gjatë në kontekstin në të cilin ndodhet rajoni. Ka shumë çështje të hapura. Për ne kjo periudhë nuk është e përshtatshme. Duhet të ulemi me Petkovin dhe të flasim se çfarë do të thotë kjo periudhë. Një qasje e tillë duhet të kishte qenë shumë kohë më parë. Konferenca e parë ndërqeveritare nuk ndryshon nga të tjerat. Nuk ishte e nevojshme të mbahej peng i gjithë rajoni”, deklaroi Osmani.

Në linjë të njëjtë me Osmanin është edhe presidenti Pendarovski, për të cilin afati prej gjashtë muajsh është i gjatë, pasi sipas tij problemi mund të zgjidhet shumë më shpejt. Ndërkohë për të, qasja e Petkovit ndaj Maqedonisë së Veriut është e pranueshme, i cili thotë se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm i komunikimit mes dy vendeve.

“Për mua është i pranueshëm qëndrimi i kryeministrit të ri bullgar, i cili thotë që historia të mos jetë i vetmi kanal përmes të cilit ne si dy shtete fqinje komunikojmë. Flasim për infrastrukturën, flasim për lidhjen energjetike, flasim për ekonominë dhe tregtinë, flasim për integrimin evropian, flasim për të drejtat dhe liritë e njeriut, flasim për pandeminë. Por le të mos flasim për atë që ndodhi tre apo pesë shekuj më parë. Është një qasje moderne të cilën unë e përkrah, sigurisht që nuk e përkrah afatin pasi është shpallur për gjashtë muaj, mendoj se problemi mes nesh mund të zgjidhet për një periudhë shumë më të shkurtër kohore”, tha Pendarovski.

Ndryshe, Kiril Petkov, bashkë-kryesues i koalicionit “Ndryshimi vazhdon” dhe tashmë kryeministër i ri i Bullgarisë, në vazhdimësi ka dhënë shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.

Megjithatë, në intervistën për Televizionin Kombëtar të BullgarisëPetkov paralajmëroi ruajtjen e pozitës aktuale bullgare, ashtu siç edhe ndodhi, por edhe ngritjen e saj konstruktive. Ai, planifikon të krijojë grupe të përbashkëta pune të përfaqësuesve nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, me fokus në atë “që mund të marrin të dyja palët si fqinjë të mirë me njëra-tjetrën”.

Ndërkohë edhe disa ekspertë vendas konsideronin se BE-ja ka dhënë disa sinjale pak më  serioze se është e gatshme të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo pasi shumë pak punë është bërë nga Komisionet që të largohet vetoja bullgare para 15 dhjetorit, kjo tregon se duhet parë 2022 për fillimin e bisedimeve më BE-në dhe natyrisht pritjen e madhe që Sofja zyrtare të ketë hequr veton në Bruksel.

Me fjalë të tjera, fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, do të presë fillimisht gjashtë mujorin e paralajmëruar nga Petkovi, dhe nëse edhe pas kësaj nuk ndodh, ka mundësi që të jetësohet frika e paralajmëruar e Bujar Osmanit se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në një konflikt të ngrirë dhe Maqedonia e Veriut të izolohet në perspektivat evropiane. 

Qeveritë bullgare, nuk ndryshuan për asnjë moment qëndrimin karshi Maqedonisë së Veriut, madje kërkuan edhe ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë në këtë proces. Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në një deklaratë për VOA, tha se edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut kanë miratuar reforma të vështira, thelbësore dhe të dyja meritojnë të përparojnë në rrugën e tyre qasëse drejt BE-së, që nënkupton se ShBA-ja nuk e pranon ndarjen e dy vendeve.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria dje, më 14 dhjetor, edhe njëerë bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button