“Poezia” e Facebook-ut!

Facebook-u është një rrjet që jep mundësi të shumta komunikimi, por edhe një instrument për të ndarë përvoja të ndryshme. Në këtë rrjet, mbase tash për tash më atraktivi në tërë rruzullin tokësor, profile të ndryshme shpërndajnë lloj –lloj shkrime dhe informacione në kohë reale. Brenda pak kohë mund të lexosh një fjalë të urtë, një poezi, një kritikë letrare, analizë, mund të shohësh ndonjë fotografi, pikturë dhe të dëgjosh ndonjë këngë, por edhe të lexosh njoftime për lindje e vdekje.

Në këtë rrjet shoqëror mund të lexoni ndonjë poezi vërtet mahnitëse, mund të lexoni ndonjë përkthim brilant, ndonjë tregim tërheqës…Por, ky rrjet social duron edhe shkrime që nuk lexohen, që s’kanë vlerë, që janë plagjiatura…

Ky rrjet komunikimi po duron edhe hajninë, vjedhjen e pasueseve të teksteve të ndryshme, vjedhjen e vargjeve sa që shpesh të bëhet se je duke i lexuar të njëjtat vargje, por të shkruara nga autorë të ndryshëm. Ndaj dhe reagimet janë të pakta, sepse tashmë ky lloj i hajnisë është bërë praktikë e rregullt dhe ndonëse është shumë e dëmshme, askush nuk e merr për serioze. Duhet thënë se poezia nuk e duron këtë model të bërjes së saj, poezia është çështje shpirtërore dhe natyrisht e vështirë, por ja që ka shumë “poetë” e “poete” që zgjedhin rrugën më të shkurtër, duke përpiluar poezi (thuajse janë dadaistë) përmes vjedhjes së vargjeve nga qindra e mijëra poezi, të shpërndara në profilet e atyre që i shkruajnë apo që i përkthejnë.

Pra, ky rrjet keqpërdoret edhe për hajni të ndryshme, përmes të cilëve shumë të pafytyrë tentojnë ta prezantojnë jo vetëm fytyrën e zbehtë, por edhe mjerimin e tyre të brendshëm.

Dhe, çuditërisht janë pikërisht këta individë, këta hajna, të cilët marrin shumë pëlqime dhe kjo, fatkeqësisht, tregon se hajnat e Facebook-ut kanë shumë miqësi e ndjekës, gjë që shoqërinë tonë e legjitimin si shoqëri e absurdeve. E po kur plehu trajtohet si vlerë artistike, atëherë çdo koment është i tepër, kurse këtë më së miri na e demonstron ky rrjet social, i cili është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë.

Pastaj, është edhe një kategori e individëve në numër të madh, të cilët, ditë e natë kujdestarojnë, duke pritur shkrime të gjinisë femërore, për t’u shpërndarë pëlqime dhe komente në çdo gjë, ama në çdo gjë që shpërndajnë ato. Pra, ndër ne ka edhe këso maskarenj, të cilët manifestojnë një bizaritet, një edukatë perverse. Janë pikërisht këta, të cilët fare nuk bëjnë përpjekje për ta tërhequr një vijë midis asaj që është kulturë dhe anti-kulturë, midis asaj që është e moralshme dhe e pamoralshme, midis asaj që është vlerë dhe asaj që është thjeshtë pleh. Kjo e fundit po gjen shtrirje gjithandej dhe pothuaj askujt nuk i ngacmohet shqisa e nuhatjes…

Burimi: Hejza

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button