Ministria e Ekonomisë nuk e tregon emrin e investitorit potencial për Kodrën e Diellit: Është investim strategjik

Ministria e Ekonomisë thotë se procedurat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare juridike për Kodrën e Diellit në vlerë prej 50 plus 50 milionë euro janë në fazën përfundimtare, por nuk jep detaje për investitorin pasi sipas tyre ky është investim strategjik dhe kjo është në interes të procedurës. Ata presin që me investime të tilla të rritet oferta turistike në RMV dhe në këtë mënyrë Kodrës së Diellit t’i rikthehet shkëlqimi që meriton, shkruan Portalb.mk.

Vazhdon të mbetet e paqartë për qytetarët se kush do jetë investitori i cili do e merr me koncesion menaxhimin e Kodrës së Diellit, sepse për këtë nuk ka informata të detajuara nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë.

E vetmja gjë që dihet deri tani është se Qeveria e Maqedonisë së Veriut para pesë muajve ka njoftuar shkurt se investitori po punon në përgatitjen e projektit, pa treguar se kush është, madje as nëse i njëjti e ka fituar koncesionin.

Portalb.mk prej datës 3 nëntor, vazhdimisht ka kontaktuar Qeverinë për këtë çështje duke kërkuar informata të detajuara për këtë projekt, por atyre ju desh më shumë se një muaj që të na dërgojnë një përgjigje pa detajet që i kërkuam.

Nga Ministria e Ekonomisë për Portalb.mk thanë se procedurat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare juridike për qendrën e skijimit “Kodra e Diellit” në vlerë prej 50 plus 50 milionë euro janë në fazën përfundimtare.

“Projekti është në përputhje me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat për Koncesione ose Investime Strategjike, në varësi të fazës së fundit të kontratës. Qëllimi i marrëveshjes është dhënia e koncesionit 99-vjeçar një nga investitorëve më të mëdhenj në resortet e skive në Evropë.” thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Nga atje shtojnë se pasi të merret vendim përfundimtar për investitorin, ai do të shpallet nga Qeveria pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat.

Pas kësaj Portalb.mk përsëri dërgoi pyetje shtesë deri te Ministria e Ekonomisë për këtë investim që të japin detaje më konkrete se kush është, cilat janë pritjet dhe kushtet e kësaj marrëveshjeje, por nga atje thanë se ky është investim strategjik dhe të gjitha detajet lidhur me investitorin, planin investues dhe analizën e efekteve të pritura të investimit  janë në interes të procedurës dhe do të publikohen pasi të ketë përfunduar e gjithë procedura.

“Si Ministri e Ekonomisë presim që këto investime të rrisin ofertën turistike në RMV dhe në këtë mënyrë Kodrës së Diellit t’i rikthehet shkëlqimi që meriton si një nga qendrat më të mira turistike dimërore të skive në rajon.” shtuan nga Ministria e Ekonomisë.

Ndryshe, infrastruktura e dobët veçanërisht në lagjen e vikend shtëpizave, mungesa e parkingjeve dhe menaxhimi me mbeturina, janë vetëm tre nga problematikat me të cilat ballafaqohet kjo qendër turistike gjatë sezonit së skijimit.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të mërkurën deklaroi se veç më kanë marrë oferta për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe të njëjtat po i shqyrtojnë. Ai njoftoi se bëhet fjalë për, oferta për partneritet publiko – privat edhe për oferta të tjera, ndërsa sipas tij, paralelisht me procedurën e zgjedhjes së ofertave, po investohet nga ana e Qeverisë dhe menaxhmentit. Por duke mos dhënë detaje për të konkrezituar ato që tha.

Komisioni për Kodrën e Diellit është jofunksional. Mbajtja e një mbledhjes nuk e bën punën Komisionit për Kodrën e Diellit të suksesshme dhe funksionale, edhe pse kështu pretendon ministri i Ekonomisë në RVM, Kreshnik Bekteshi. As edhe dërgimi i emaileve mes një rrethi të ngushtë të personave që miratojnë idetë e njëri-tjetrit. Qëllimi i këtij komisioni, sipas asaj që vetë ministria u zotua, ishte që gjithë palët relevante të japin propozime për fatin e Kodrës së Diellit, dhe jo të shndërrohet në grup të mbyllur jotransparent. Nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Komuna e Tetovës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe vetë koordinatori i këtij komisioni nga Ministria e Ekonomisë konfirmojnë për Portalb.mk se deri më tani përfaqësuesit e tyre kanë marrë pjesë vetëm në një mbledhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button