S’ka datë për fillimin e negociatave RMV-BE, Bullgaria premton se për 6 muaj do ta zgjidh çështjen me RMV-në

Në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme, Bullgaria i ka thënë “jo” edhe njëherë fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Një gjë të tillë edhe paraprakisht e ka bërë të qartë edhe kryeministri i sapozgjedhur bullgar Kiril Petkov. Ai megjithëse paralajmëron qasje të re, tone më konstruktive, por kur vjen fjala te pozicioni që mban Bullgaria, të paktën për tani ai thotë se do të mbetet i njëjtë. Ndërkohë në një intervistë për Financial Times ai tha se do të propozoj procedurë të re në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, shumë shpejt, me afat shumë të shkurtër prej vetëm 6 muajsh, transmeton Portalb.mk.

Ministrat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të martën, më 14 dhjetor kanë diskutuar për procesin e zgjerimit dhe të Stabilizim Asociimit. Në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, ministrat përsëritën përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit, që sipas tyre, mbetet politika kyçe e BE-së.

Pas mbledhjes tërë ditore në Bruksel, Këshilli për Punë të Përgjithshme i Bashkimit Evropian i miratoi konkludimet për zgjerim. Konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë priten sa më shpejtë të jetë e mundur, por pa u përmendur se kur

“Këshilli me padurim e pret anulimin e konferencave të para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë sa më shpejtë të jetë e mundur pas miratimit të kornizës negociuese nga ana e Këshillit”. Kjo theksohet në konkludimet e sotme për zgjerim të cilat i miratuan ministrat dhe përfaqësuesit e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian të Këshillit për Punë të Përgjithshme”,

As ky dhe as këshilli i fundit gjatë presidencës gjashtë mujore sllovene me Bashkimit Evropian nuk solli datë për fillim të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Sekretari shtetëror slloven për çështje evropiane, Gashper Dovzhan nga pozicioni i vendit kryesues me Bashkimin Evropian pas mbledhjes tha se është i kënaqur që me kolegët ministra dhe sekretarë shtetërorë njëzëri i dakorduan konkludimet për procesin e zgjerimit dhe stabilizim asocimit.

“Ajo që është e rëndësishme janë konkludimet e Këshillit, nuk i krahasojmë me përcaktimet e mëhershme, disa formulime janë këtu prej para dy muajve dhe më shumë, por për shkak se negociatat për dokumente të tilla janë shumë gjatë, definitivisht do ta vlerësoja ditën e sotme si sukses”, deklaroi Dovzhan.

Bullgaria paralajmëron zgjidhje të çështjeve me RMV-në për 6 muaj

Në një intervistë për Financial Times kryeministri bullgar , Petkov thotë se Bullgaria është 100 përqind në anën e vërtetë të politikave të NATO-s dhe BE-së.

Kryeministri i ri bullgar përsëriti qëndrimin se qeveria e tij do t’i vendosë negociatat me Maqedoninë në një rrafsh tjetër.

Këtë plan ai e prezantoi edhe në Bullgari, por tha se nuk mund të garantonte se çështjet dypalëshe do të zgjidheshin.

Financial Times vëren se Petkov do të ketë probleme në formulimin e politikës së qeverisë ndaj Maqedonisë, pasi në koalicion është partia ITN e Slavi Trifonov, i cili konsideron se Maqedonia është etnikisht dhe kulturalisht bullgare. Ministrja e re e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska është nga partia e Trifonovit.

Ministrja Gencovska në prag të mbledhjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, tha se qëndrimi bullgar për Republikën e Maqedonisë së Veriut do t’i përmbahet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të vitit 2017 dhe deklaratës së Kuvendit Kombëtar të vitit 2019.

Nga ana tjetër në intervistën për Televizionin Kombëtar të Bullgarisë, Petkov paralajmëroi ruajtjen e pozitës aktuale bullgare, por edhe ngritjen e saj konstruktive. Ai, planifikon të krijojë grupe të përbashkëta pune të përfaqësuesve nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, me fokus në atë “që mund të marrin të dyja palët si fqinjë të mirë me njëra-tjetrën”.

Megjithëse Petkov nuk është pyetur për tërheqjen eventuale të vetos së Bullgarisë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, por fakti që ai shprehet se do të mbetet qëndrimi bullgar, me automatizëm nënkupton veto.

I pyetur nëse duhet pritur ndryshim në pozicionin bullgar në raport me Maqedoninë e Veriut, ai tha se me partnerët e koalicionit  kanë debatuar qartë dhe kanë shkruar në marrëveshjen e koalicionit se çfarë duhet të pritet nga ta.

“Ne e ruajmë pozicionin e Republikës së Bullgarisë në lidhje me kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut, por po e përmirësojmë. Dhe këtu do të jetë risia. Përmirësimi duhet të bëhet përmes grupeve të përbashkëta që do të punojnë çdo muaj, të paktën një herë në muaj, dhe në to duhet të flasim për infrastrukturën e përbashkët, kulturën e përbashkët, hapat e përbashkëta ekonomike… Pra, kur flasim për debat dhe zgjidhje të problemeve të përbashkëta – të fokusohemi në fqinjësinë e mirë, në atë që të dyja palët mund të fitojnë si fqinjë të mirë me njëra-tjetrën”, tha Petkov.

Kurse lidhur me atë se kur do të vendosin komunikim me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin e saj, Petkov tha se në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Ky do të jetë prioriteti im pasi nuk duam të humbim kohë në asnjë mënyrë. Kemi humbur shumë kohë deri tani në vitet e kaluara, ndaj prioriteti kryesor i ministrit të jashtëm do të jetë organizimi i këtyre grupeve të punës për një ton të ri që do të jetë shumë më konstruktiv dhe i bazuar në gjërat e përbashkëta që mund të fitojmë, dhe jo vetëm në çështjet që janë problematike, por për ato çështje ne do të mbajmë qëndrimin bullgar, absolutisht, në të njëjtën mënyrë. Ne vetëm duhet të zgjerojmë fushën e komunikimit dhe hapësirën e asaj që do të thotë të jesh fqinjë i mirë, ne duhet ta ridefinojmë atë”, tha Petkov.

Ndërkohë, në një bisedë telefonike të kryeministri Zoran Zaev me kryeministrin e ri bullgar Kiril Petkov, të cilin e ka uruar për zgjedhjen e tij, kreu i Qeverisë së vendit, theksoi se në bisedë është shprehur gatishmëria për përshpejtimin e komunikimit dhe bashkëpunimit përmes disa grupeve punuese në sferën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe fusha të tjera me interes për qytetarët e Maqedonisë dhe Bullgarisë.

“Ramë dakord të vazhdojmë të punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe për shtysë të re pozitive për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, shkroi Zaev në Facebook.

Nga ana tjetër liderët e vendit kohët e fundit, gjithnjë e më shumë janë shprehur optimistë se dhjetori do të jetë fundi i pritjes në “paradhomë” për qasje në Bashkimin Evropian. Në katrahurën e skenës politike, liderë të pushtetit dhe opozitës në vazhdimësi i referoheshin fund-vitit si vendimtar për fillimin e negociatave, gjegjësisht mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Në këtë zallamahi, parti politike kritikuese të pushtetit, në emër të eurointegrimeve dhe mundësisë për fillim të këtij procesi në dhjetor u kyçën në qeveri. Megjithatë eufori të ngjashme kemi pasur edhe në të kaluarën, të cilat përfundonin me zhgënjim të thellë të Maqedonisë, pasi Bullgaria gjithmonë “përplaste veton para këmbëve të Maqedonisë”.

Kiril Petkov, bashkë-kryesues i koalicionit “Ndryshimi vazhdon” dhe tashmë kryeministër i ri i Bullgarisë, në vazhdimësi ka dhënë po jep shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.

Ndërkohë edhe disa ekspertë vendas konsiderojnë se BE-ja ka dhënë disa sinjale pak më  serioze se është e gatshme të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo pasi shumë pak punë është bërë nga Komisionet që të largohet vetoja bullgare para 15 dhjetorit, kjo tregon se duhet parë 2022 për fillimin e bisedimeve më BE-në dhe natyrisht pritjen e madhe që Sofja zyrtare të ketë hequr veton në Bruksel.

Me fjalë të tjera, fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, ka mundësi të ndodhë, veçanërisht me qeverinë e re, por jo kaq shpejt, pasi kjo gjë varet nga shumë faktorë të tjerë, sidomos nga negociatat dypalëshe Shkup-Sofje.

Qeveria e mëparshme politike dhe ajo e deridjeshme teknike, nuk ndryshuan për asnjë moment qëndrimin e saj karshi Maqedonisë së Veriut, madje kërkuan edhe ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë në këtë proces. Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në një deklaratë për VOA, tha se edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut kanë miratuar reforma të vështira, thelbësore dhe të dyja meritojnë të përparojnë në rrugën e tyre qasëse drejt BE-së, që nënkupton se ShBA-ja nuk e pranon ndarjen e dy vendeve.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button