Tensionet në selinë e PD, Basha dhe Berisha me akuza ndaj njëri-tjetrit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim për mediat dënoi ashpër skenat e ndodhura në selinë e PD, pas mësymjes së Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilat siç tha të kujtojnë vitin famëkeq ‘97, transmeton EN. Sipas tij, Sali Berisha i përket së shkuarës, që tashmë është bërë barrë dhe pengesë për demokratët në objektivin e tyre për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.

“Ky ishte një spektakël i shëmtuar i së kaluarës, i asaj të kaluarës që PD ka vendosur ta lërë pas. Shkaku i kësaj sjellje që të kujton të kaluarën është vendimi i djeshëm i këshillit kombëtar. Koha kur sallat e këshillave kombëtar ishin arenë rrahjesh ka marrë fund. Është një shenjë e ndarjes së pakthyeshme me anën e errët të Sali Berishës. Në përpjekje për karshillëk ndaj SHBA marrëzia e Sali Berishës nuk ka fund”, tha Basha.

Sali Berisha ka thënë se brenda selisë të Partisë Demokratike ka persona të armatosur që kanë kërcënuar anëtarët e Forumit Rinor.

Ndërkohë bëhet e ditur se në polici ka vetëm një denoncim për hapje të zyrës me forcë.

Më herët, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë hyrë në ambientet e selisë blu. Ata kanë mbajtur mbledhjen e Kuvendin Kombëtar për Rithemelimin e Partisë Demokratike. Berisha tha se u mor vendim për të organizuar një referendum të anëtarësisë së partisë për largimin e Lulzim Bashës nga partia.

“Kjo javë revolucioni ka për detyrë kryesore referendumin e anëtarësisë për ratifikimin e vendimit të Kuvendit të Partisë për shkarkimin e ‘peng-Bashës’ apo deputetit Basha. Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin”, tha Berisha, duke shtuar se “ish-kryetari Basha ka kryer akte në Partinë Demokratike që ngjiten në nivelin e krimit elektoral”.

Në fjalën e tij pas mbledhjes, ai tha se “pluralizmi politik po rikthehet në Shqipëri” dhe e quajti Kuvendin e 11 dhjetorit si më demokratikun në historinë e Partisë Demokratike.

Ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që janë të mirëpritur në PD, dhe i ftoi të bashkohen duke thënë se kontributi i secilit do të respektohet.

Më herët, Berisha ka deklaruar për mediat se ndodhen në PD për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë.

“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e komisionit të përkohshëm të PD të zgjedhur në kuvendin e fundit që kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për çështjet e rëndësishme të së ardhmes”, u shpreh Berisha.

Ai e quajti Lulzim Bashën vetëm deputet dhe tha se ai ka kohë deri me 18 dhjetor të reflektojë mbi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit.

“Kjo parti nuk përjashton pakicën, i ka dhënë mundësi pakicës të qëndrojë po të dojë si fraksion; deputeti Basha do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar. De facto është i shkarkuar nga Kuvendi. Por në respekt të plotë të anëtarësisë të Partisë Demokratike me datën 18 ata do të shprehen për deputetin Basha”, u shpreh ish kryeministri Sali Berisha.

Në anën tjetër, përgjatë kohës sa Berisha u fut në selinë e Partisë Demokratike, aty po zhvillohet një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në Forumin Rinor të PD-së. I pranishëm në këtë mbledhje është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.

Po kështu, PD miratoi me të gjitha votat një Rezolutë të Këshillit Kombëtar, duke anuluar çdo vendim të dalë nga Kuvendi i mbledhur të shtunën nga ish-lideri i PD, Sali Berisha.

Ndërsa të shtunën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shkarkua Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike.

Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë të partisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish për të mbajtur referendum.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button