Krerët e jashtëm të BE-së diskutojnë për Ukrainën

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan sot për të diskutuar mënyrat se si mund të pengohet kërcënimi i një sulmi të ri të mundshëm rus ndaj Ukrainës dhe çfarë masash duhet të merren nëse Moska vendos të dërgojë trupat e saj përtej kufirit, transmeton VOA.

Para fillimit të një takimi të ministrave të jashtëm sot në Bruksel, shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se do të diskutohen mënyrat për të parandaluar fillimin e një krize, duke nënvizuar mbështetjen e bllokut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Në çdo rast, ne do të dërgojmë një sinjal të qartë se çdo agresion kundër Ukrainës do të ketë një kosto të lartë për Rusinë nëse kjo ndodh. Por tani, po përpiqemi të bëjmë më të mirën që të mos ndodhë”, tha shefi i politikës së jashtme Josep Borrell.

Ai tha se nuk do të merren vendime për sanksione kundër Rusisë, por se ministrat do të diskutojnë se çfarë hapash dhe kur do të ndërmarren ato, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.

Udhëheqësit perëndimorë kanë frikën e një sulm ndaj Ukrainës nga Rusia, e cila aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe mbështet separatistët që kontrollojnë pjesë të Ukrainës lindore dhe po luftojnë forcat qeveritare ukrainase.

Lituania paralajmëroi se lëvizjet e trupave ruse kohët e fundit nuk janë thjesht kërcënim.

“Ne jemi të bindur se Rusia në fakt po përgatitet për luftë të gjithanshme kundër Ukrainës, dhe kjo është një ngjarje e paprecedentë, ndoshta që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithashtu ne duhet të jemi shumë të përpiktë dhe shumë të gatshëm për atë që po vjen në mesazhet tona. Dhe kjo do të thotë se nëse është një sulm i paprecedentë ndaj një vendi që e ka drejtimin nga Perëndimi, përgjigja duhet të jetë e paprecedentë edhe nga vendet perëndimore”, tha Ministri i Jashtëm Gabrielius Landsbergis.

Por fuqitë e mëdha të BE-së, Franca dhe Gjermania, dhe të tjera vende të bllokut larg kufijve të Rusisë nuk ndajnë të njëjtin vlerësim si Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe vendet baltike.

Ata pranojnë lëvizjen e trupave ruse, por nuk mendojnë se një sulm është i pashmangshëm.

Diplomatët e BE-së i thanë agjencisë Reuters se diskutimet ishin përqëndruar në një rritje të mundshme graduale të çdo sanksioni, duke filluar nga ndalimet e mundshme të udhëtimit dhe ngrirja e pasurive të politikanëve rusë e deri te ndalimi i lidhjeve financiare dhe bankare me Rusinë.

Sanksionet ndaj gazsjellësit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë për të parandaluar funksionimin e tij janë gjithashtu një opsion.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar Rusinë se aleanca ushtarake perëndimore qëndron në krah të Ukrainës.

Ministrat e Jashtëm të G-7ës paralajmëruan Rusinë të dielën për “pasoja madhore” nëse ajo sulmon Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button