Kiril Petkov u zgjodh kryeministër i Bullgarisë

Parlamenti i Bullgarisë ka konfirmuar Kiril Petkovin në postin e kryeministrit, pasi partia e tij kundër korrupsionit, Ne vazhdojmë ndryshimin, arriti marrëveshje koalicioni me tri fraksione të tjera. Në Parlament, 134 ligjvënës votuan për zgjedhjen e Petkovit, ndërkaq 104 vota ishin kundër. Tani parlamenti voton për strukturën dhe kompozicionin e Qeverisë së propozuar, shkruan REL.

Kjo është Qeveria e parë e rregullt që prej se Qeveria e kryeministrit, Boyko Borisov u rrëzua në prill, për shkak të zemërimit të publikut lidhur me korrupsionin.

Ne vazhdojmë ndryshimin fitoi në zgjedhjet e mbajtura në nëntor, por dështoi që të siguronte shumicën. Kjo parti, më 10 dhjetor arriti marrëveshje koalicioni me Partinë Socialiste, me partinë Ka një popull të tillë dhe me Demokratët e Bullgarisë, një parti liberale kundër korrupsionit.

Më 11 dhjetor, presidenti bullgar, Rumen Radev, e mandatoi Petkovin për ta formuar Qeverinë e re. Petkov më pas prezantoi emrat e Qeverisë së tij dhe njoftoi se motoja e Qeverisë do të jetë “zero tolerancë kundër korrupsionit”.

Në zgjedhjet e 14 nëntorit, Ne vazhdojmë ndryshimin fitoi 67 ulëse në Parlamentin prej 240 vendesh, ndërkaq partia e ish-kryeministrit Borisov, partia GERB fitoi 59 ulëse.

Edhe pesë parti të tjera kanë hyrë në parlament, përfshirë partinë turke, MRF që ka fituar 34 ulëse, pasuar nga Socialistët me 26 deputetë, pasuar nga Ka një popull të tillë me 25 ulëse dhe Demoraktët me 16 ulëse. Po ashtu, partia pro-ruse, Vazrazhdane ka 13 deputetë.

Zgjedhja e Qeverisë politike në Bullgari ka rëndësi edhe për Maqedoninë e Veriut, për shkak të kontestit që ka mes dy vendeve, i cili ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit dhe për të cilin duhet të rifillojnë negociatat për zgjidhjen e tij.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, beson se formimi i një qeverie të re në Bullgari jep shpresë për bisedime thelbësore mes, siç tha ai, dy qeverive të qëndrueshme.

Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë. Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Qeveria bullgare para disa ditëve përsëriti se, nuk do ta ndryshojë pozicionin për fillim të negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut me BE-në, përkatësisht nuk do ta heq veton dhe  se janë të gatshëm të japin dritë jeshile për fillimin e negociatave qasëse të BE-së me Shqipërinë.

Nga Qeveria bullgare përsëri thirren në deklaratën e parlamentit bullgar nga 10 tetori i vitit 2019 dhe thonë se ai pozicion mbetet edhe për mbledhjen e Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së më 14 dhjetor në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button