Gen-z “kurbanët” dhe 2-shi

  1. Rrjetet sociale janë një benefit i madh për njeriun e kohës sonë por edhe një kurth i llahtarshëm përfshirë edhe të moshërrrriturit, jo vetëm fëmijët, por këta të dytët janë shumë më të rrezikuar ngaqë nuk kanë vetëdijë të ndërtuar sa duhet lidhur me “tjetrin andej” që dëshiron t’i shfrytëzojë, të manipulojë me këtë kategori të papjekur sa duhet. Platformat dixhitale në web, interneti si edhe telefonia mobile, kanë ndryshuar “jo vetëm format e komunikimit, por edhfe sjelljet njerëzore, ka përfshirë në një komunikim të përbotshëm edhe fëmijët në mosha fare të mitura, rreziku i shfrytëzimit për qëllime seksuale ose abuzimi me fëmijët, është bërë një dukuri e rrezikshme, me përmasa shumë më të gjera sesa më parë” (Fuga, 2020) Meqë fëmijët e epokës aktuale janë brezi Z, pra ai i teknologjive informatike, vazhdimisht janë online, dhe përveç lojërave shpesh kontaktojnë, bisedojnë me njerëz anonimë që gjuajnë “kurbanë” të këtillë, gjegjësisht targetojnë të dhëna dhe gjëra të tjera të tyre, mes tjerash edhe seksualitetin e kësaj moshe. Pedofilët me gjithë frymën e tyre patologjike një herë afrohen miqësisht, shpesh edhe prindërisht, e më pas aterojnë aty ku e kanë targetin, te seks(ualitet)i i ndaluar, te shfryrja e ndjenjave dhe pasionit në biseda, madje edhe në kontakte fizike me fëmijë. Për fat të keq shumica e prindërve nuk kujdesen shumë për fëmijët e tyre; ua japin veglën (telefonin) apo kompjuterin në dorë dhe mendojnë se i kanë angazhuar ose i kanë hequr qafe, por në të vërtetë i kanë liruar ata në një askundësi të rrezikshme, një sferë ku në çdo çast mund të jenë pre e mashtrimit, manipulimit të individëve apo organizatave të ndryshme që kanë në shënjestër qenie të tilla të dëlira. Andaj kohë pas kohe duhet vigjiluar, duhet kontrolluar se ku surfojnë fëmijët, çfarë webfaqesh vizitojnë, me kë janë në komunikim, sa kohë harxhojnë dhe me kë e harxhojnë, bile edhe duhet vënë restriksione në orar dhe përmbajtje. Këshilla dhe këshilla duhet dhënë fëmijëve, miqësore jo me ndëshkime të natyrave të ndryshme, por me fjalë të buta dhe bindje. Nga ana tjetër, denoncim i domosdoshëm i rasteve të abuzimeve duhet bërë në instancat gjegjëse. Te ne, në RMV ka ekzistuar edhe një webfaqe që si masë disiplinuese dhe restriktive ndaj pedofilisë që publikonte figurat pedofile me emër, mbiemër, ditëlindje, adresë dhe veprën penale për të cilën ishin ndëshkuar. Faqen në fjalë për dy vjet e gjysmë e kishin vizituar 280 mijë qytetarë që është një shifër e konsiderueshme (2014). Në Shqipëri 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14 vjeç (2010-2019) mbartin emërtimin “pedofili. Vetëm 2% e hetimeve mbi pedofilinë online knë përfunduar me një vendim dënimi. Sipas studimit  “Fëmijët dhe Interneti” të kryer nga agjencia e sondazheve Calysto  39 përqind e fëmijëve nga 13 deri 15 vjeç që navigojnë në web hyjnë në biseda në formë loje me nuanca erotike ose seksuale. Disa vende marrim masa konkrete kundër këtij fenomeni: Në Norvegji pedofilëve iu instalohen mikroçipë, kështuq ë policia di se ku gjenden ata në çdo moment, dhe të njëjtën pritet që ta bëjë edhe Anglia. Në Danimarkë bëhet kastrim kimik i pedofilëve, gjë për të cilën e synon edhe presidenti francez. Pedofilia, si një fenomeni i ri apo sëmundje e vjetër, kërkon syçelësi të çdo frymori human. Sot fëmijët janë më të lëndueshëm se kurrdoherë në aspekt të këtij çrregullimi, devijimi, krimit seksual dhe pedofilëve.
  2. Autobusi urban nr. 2 i qytetit të Shkupit mbushur me të rinjtë tanë, ardhmëria që duam por që në fakt s’është ashtu siç e imagjinojmë. Një hoxhë vëren paskrupullozitetin e tyre, këndimin me zë të lartë të ca thua-këngëve të shkruara nga autorë të perversitetit, me llafet më banale, me pëmendje gjenitalesh, dhe duke u nisur se e keqja duhet të pengohet me të gjitha metodat incizon dhe videon (ku duket vetëm xhami) e poston në rrjetet sociale dhe i thirr ndërgjegjes prindërore, i thirr ata të dëgjojnë se çfarë terminologjie banale përdorin fëmijët e tyre. “O prindër…., dëgjojini fëmijët tuaj çfarë bëjnë në autobus. Kot shkoni ne xhami, fëmijet tuaj janë pasqyra e besimit tuaj. Turp, turp, turp” – shprehet ai. Kjo kategori vitale ishin duke u kthyer nga shkolla që duhet t’i edukojë, t’i bëjë njerëz. Para kësaj janë nisur nga shtëpitë e veta, ku prindërit e tyre ku komunikojnë me ta, investojnë që t’i bëjnë njerëz dhe faqja e bardhë e tyre, e vendbanimit, e kombit dhe fesë. Por përvoja tregon të kundërtën, se si familja, ashtu edhe shkolla gjenerojnë edhe produkte që të bëjnë të turpërohesh nga vetja. Kah po shkon kjo rini? Një pjesë e mirë e saj. Pse nuk arrijmë ta mbajmë brenda hullinjve të normales dhe të natyrshmes? Pse nuk respektojnë askënd? Pse më shumë flasin se sa dëgjojnë? Pse më shumë i kushtojnë rëndësi pamjes se sa thelbit? Si do ndërtojnë dhe mbajnë ata familjet e së ardhmes? Flasin prindërit, teologu, pedagogu, profesori, por sikur shkruajnë në ujë. S’ju mbushet mendja këtij brezi të çuditshëm që për pak për shumë shpërthejnë, që dëmtojnë, prishin, thyejnë,  që edhe bukën e hanë ndryshe, që nga mesi i vet nxjerr profile të rinistit pa kulturë e pa terbije. Zoti i madh në qiell na ka falur krijesa të dëlira e të kristalta, që dalëngadalë po na dalin duarsh. Koha e bën të veten? Jo mor jo. S’i ka fajet koha, por koha që ne e ndajmë me ta dhe për ta, sinqeriteti, dashuria dhe ndjenjat pozitive që s’kemi arritur t’ua mbjellim. Të edukosh fëmijë në shekullin XXI është një sfidë e madhe. Pika ku shumë prindër dështojnë dhe kaplohen nga shpresëthyerja. Sikur të kishte një mobilizim të mirëfilltë, pasojat do të ishin më të vogla. S’do të përballeshim me skena të dhunimit të hapësirës dhe mjeteve publike nga tinejxherë si këta të autobusit nr. 2. Fatkeqësia është edhe më e madhe kur kemi parasysh faktin se bëhet fjalë për një gjeografi që konsiderohet ndër më konservatoret në trojet shqiptare, që duhej që rininë ta kishte shpirtërisht më të ngritur, më të mbrojtur nga veset e kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button