fbpx

Kultura dhe mediatizimi i saj

A mund të themi se sot, gjithandej trevave etnike, kulturën e kemi objekt të medias! Bëhet fjalë për kulturën si fenomen i veçantë identifikues i një etnie dhe jo për aktivitetet kulturore të cilat mbase edhe mund të preken nga ndonjë media, por që kusht është të jenë aktivitete që i adresohen medias përkatëse, kontrolluesit dhe financuesit të asaj media!

Si mund ta mediatizojmë kulturën kombëtare pa një platformë të përbashkët në mes të mediave dhe pushtetit që i ka vënë objektivat e mbrojtjes dhe zhvillimit të identitetit kulturor! Mediatizimi gjithnjë mëton ndërtimin e realitetit! Pra, këndvështrimi ynë mbi realitetin ndërtohet përmes masmediave! Aktualisht, cili është këndvështrimi ynë mbi kulturën si realitet që po e ndërtojmë nga mediat tona nacionale e lokale! Copë-copë! Nuk mund të kemi këndvështrim objektiv nëse realiteti na serviret përmes “medias partiake”, përmes “biznes-medias” dhe përmes “mediave” që kanë mision “deformimin kulturor” dhe “mashtrimin optik” që synon “plehrat” t’i paraqesë si vlera të paarritshme!

Ngulfatja e lirisë së mediave synon imponimin e lirshëm të interesave meskine! Dhe kjo nuk mund të realizohet pa e ngritur në “kult” censurën dhe vetë-censurën! Autori i informacionit detyrohet në një vetë-censurim për shkak të “kulturës censuruese” që duhet të pranohet si realitet shumë objektiv në masmedian e një partie, të një politikani, të një biznesmeni, të një multi-kulti grupi që ofron dritare gjigante për ikje nga realiteti historik, antropologjik e kulturor!

Mediat e sodit i kemi biznes, ato qëllim parësor kanë përfitimet ekonomike, duke ndjekur ekskluzivisht synimet komerciale. Dhe këto synime nuk mund të jetësohen pa qenë “krah financiar” i politikave partiake dhe gjenerator i pushtetit absolut. Këtu diku mund të kapet fija e censurës dhe vetë-censurës! Natyrisht, kjo nuk duhet të duket si politikë partiake apo e pushtetit, por vetëm si ndrydhje që vjen nga pronarët mediatik. Sa më pak hapësirë kulturës, aq më pakë telashe me kolonat e identitetit kulturorë, me krijuesit dhe intelektualët.

Do të ishte jokorrekte që censura dhe vetë-censura të kualifikohej si “masë edukative” që ushtrohet  nga pronarët servilë të mediave! Për shembull, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës, biznes-korporatat e fuqishme as që pranojnë të reklamojnë produktin e tyre në kuadër të një emisioni apo të një shkrimi të mirëfilltë kulturor. Nuk duan të jenë sponsorizues në kulturën shqiptare! Politikat redaktuese të mediave tona diktohen edhe nga reklamadhënësit! Jo pak raste kemi pasur kur pronarët e mediave apo vetë gazetarët janë detyruar në censurë e në vetë-censurë si rrjedhojë e shantazheve përmes përgjimeve e incizimeve, përmes dosjeve dhe shkatërrimit të biznesit!

Ndrydhja e debatit kulturor, ngulfatja e politikave që ngrenë shqetësime mbi pozitën e identitetit kulturor, qasjet intelektuale mbi problemet e shumta kulturore, të gjitha këto ngulfaten përmes zbavitjes dhe ofrimit të emisioneve limonadë ose të shkrimeve që realitetin ekzistues, qoftë ai antik, (si Korridori 8) duhet të përshkruhet dhe të ngrihet në mit si vlerë e një partie! Përthithja e lajmeve të rrejshme po na bëhet kulturë?! Ushqimi me gënjeshtra po na bëhet kulturë?! Përballja me irealen po na bëhet forcë kulturore?! Nder do të na bënte vetëm mediatizimi i kulturës së mirëfilltë! Kjo qasje pragmatiste do t’i detyronte në kulturë edhe ato “forca partiake” që pareshtur kërkojnë që censura dhe vetë-censura te çdo qytetar të ngritët në kult!

Burimi: Hejza

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button