fbpx

Milevski: Marrëveshja Zaev-Gashi është bërë me një nivel të caktuar shantazhi

Qeveria mbeti pa shumicë në Kuvend dhe zgjidhja ishte ose zgjedhje të reja ose për të rritur shumicën parlamentare duhej të bënim kompromis, koalicion me parti të tjera. Alternativa e shfrytëzoi këtë dhe bëri marrëveshje me të cilën mori vende që nuk përputhen me fuqinë e tyre në terren, tha në intervistën e së dielës për Radion Evropa e Lirë Goran Milevski, kryetar i LDP-së dhe ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

 Ministër, ju pyes ju si kryetar i PD-së, ku është partia tani, fortë në pushtet apo me një këmbë jashtë?

Unë e kuptoj këtë pyetje sepse publiku nuk e kupton mënyrën se si funksionojmë ne, gjegjësisht qëndrimin kritik të LDP-së ndaj disa problemeve në vend, kuptohet se ka pakënaqësi dhe se LDP-ja duhet të largohet nga pushteti, ndërsa ata që janë në opozitë thonë se ju jeni shumë të heshtur, për shumë gjëra nuk flitni, vetëm bëni amin, duhet të jeni më të zëshëm, kështu që kur u kritikojnë të dy palët është mirë, pasi që do të thotë se i kemi vënë themelet e trasesë për rrugën e tretë. Së bashku me DOM-in jemi në koalicion dhe atë koalicion synojmë ta vazhdojmë, praktikisht në këtë moment jemi duke përgatitur projekte, platformë me të cilën do të dalim para kryeministrit të ri. Nëse pranohen propozimet dhe idetë tona, nuk do të ketë problem për të vazhduar bashkëpunimin me kryeministrin e ri dhe liderin e ri të LSDM-së.

A do të thotë kjo se me kryeministrin e ri, në një farë mënyre, do të keni kërkesa të reja?

Nuk janë kërkesa të reja, disa janë afirmim i atyre angazhimeve që mbetën të parealizuara, disa janë projektet tona që i konsiderojmë të nevojshme të realizohen për të përmirësuar zhvillimin ekonomik në vend. Për shembull: këtë vit jam duke kërkuar me këmbëngulje të ndërtohet teleferik i ri në Pelister, një ski-qendër e re, por kam një bllokim nga disa drejtorë ose de facto nga sistemi, ndaj mendojmë se funksionimi i këtillë në të ardhmen nuk është i pranueshëm.

Të kthehemi te kryeministri aktual dhe marrëveshja që e bëri me liderin e Alternativës Afrim Gashi. A jeni të kënaqur me atë marrëveshje dhe me ndarjen e resorëve në koalicionin qeveritar?

Shihni, ajo marrëveshje praktikisht u bë me një nivel të caktuar shantazhi, sepse qeveria mbeti pa shumicë në Kuvend dhe zgjidhja ishte ose zgjedhje të reja menjëherë, në një moment kur rejtingu i të gjitha partive në pushtet ishte i lëkundur, ose duhej të bënim një kompromis, koalicion me parti të tjera për të rritur shumicën parlamentare. Alternativa përfitoi nga kjo dhe bëri një marrëveshje, me të cilën mori vende që nuk korrespondojnë me fuqinë e tyre në terren, te votuesit. Konkretisht kishim vërejtje për Ligjin për Zhvillim të Baraspeshuar Rajonal, sepse kërkohej ligj i ri, megjithatë këto ditë e shoh që Alternativa është rikthyer dhe për ta është i pranueshëm qëndrimi im dhe janë të gatshëm të vazhdojnë me ndryshime të atij ligji, për ta përmirësuar, ndërsa nuk kërkojnë më, hoqën dorë nga kërkesa për hartimin e një ligji të ri, siç thuhet në marrëveshje.

A mendoni, Ju personalisht, se duhet të hiqet parimi i emërimit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike me marrëveshje politike në tryezë, në vend që të zgjidhen me konkurs publik?

Të gjithë këto janë përzgjedhur me konkurs publik, por në fund vijmë se të zgjedhurit janë propozuar nga partitë politike. Në disa prej institucioneve mendoj se duhet të hiqet ndikimi politik. Ne si parti, për shembull, besojmë se drejtorët e shkollave duhet të përzgjidhen nga punonjësit vetë, sikurse në të kaluarën. Drejtorët e institucioneve shëndetësore duhet t’i zgjedhin punonjësit në ato institucione, sepse ata e dinë më së miri si ta zhvillojnë institucionin e tyre. Kështu duhet edhe në fusha të tjera. Megjithatë, në disa institucione, ku duhet të merrni përgjegjësi politike, siç është sistemi i shtetit për energji elektrike, FSPM, Fondi i Shëndetësisë, aty krijoni politika, politika qeveritare dhe mendoj se është në rregull që të vijnë kuadro partiake, por duhet pasur kritere se kush mund të jetë drejtor në një pozitë të caktuar, ai person duhet të ketë përvojë, ekspertizë dhe njohuri në atë fushë.

A keni biseduar dhe a po bisedoni për formimin e shumicës së re qeveritare me VMRO-DPMNE-në? Lideri i tyre Hristijan Mickoski këto ditë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kur u pyet për pakënaqësitë e PLD-së, thotë – bisedojmë me të gjithë të pakënaqurit atje.

Nëse largohemi nga kjo qeveri do të thotë zgjedhje të reja, të shkohet në zgjedhje, e jo të krijohet shumicë e re parlamentare, sepse për një shumicë të re parlamentare, si PLD, besojmë se duhet të marrim mandat nga qytetarët e jo në bazë të intrigave politike brenda Kuvendit, andaj në këtë drejtim ju siguroj që nëse largohemi nga Qeveria, zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Intervistën e plotë me liderin e LDP-së, Goran Milevski, mund ta shikoni në këtë link.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button