fbpx

RMV, tregu virtual, mundësi për gratë në viset rurale

Ornella Pereska nga rajoni i Strugës, familja e së cilës merret me kultivimin e lajthive, thotë se pandemia e ka bërë edhe më të vështirë shitjen e këtij produkti pasi objektet e hotelerisë ku e dorëzonin pjesën më të madhe të produkteve, kanë punuar me kapacitet të kufizuar për shkak të masave për parandalimin e koronavirusit, shkruan REL.

“Sapo i shijojnë lajthitë tona menjëherë reagojnë duke thënë se këto qenkan shumë të shijshme. Nga i sillni? U them se ne i kultivojmë, se janë tonat, se janë lajthi maqedonase. E tregu duket se po na ofron me blerësit, ndërkohë që kursejmë kohë dhe mjete. Krahas lajthive, si produkt ofrojmë dhe vajin bio nga lajthitë, për të cilin interesimi është në rritje”, tregon Ornella.

Ajo thotë se ka qenë shumë skeptike për shitjen e produkteve të saj online, megjithëse shton se pas insistimit të vajzës së saj, është bërë pjesë e tregut online.

Nafije Ibraimovska nga Rostusha, në rajonin e Dibrës, e cila në treg paraqitet me prodhimin e ushqimeve tradicionale, thotë se të rinjtë parapëlqejnë ushqimet e shpejta, megjithëse ka nga ta që ia dinë vlerën prodhimit të jufkave në formë tradicionale ose ëmbëlsirave, si sheqerparja.

“Po kemi porosi për raste të veçanta. Ka nga ta që ia dinë vlerën prodhimit… siç i themi ne, të shtëpisë. Asnjë ëmbëlsirë nuk mund të krahasohet me prodhimet tradicionale ku përdorim gjalpin dhe gjithçka bio nga këtu në fshat”, thotë Nafija.

Aktualisht 100 gra nga viset rurale përbëjnë E-tregun “Tezga jonë”, më shumë se 80 për qind prej të cilave thonë se gjatë pandemisë së koronavirusit janë ulur dukshëm të ardhurat nga bujqësia, pasi produktet e tyre kishin mbetur pa u shitur.

“Me vite merremi me bujqësi, por një mundësi e këtillë për herë të parë na jepet. Herët është të flasim për suksesin. Por, unë personalisht jam shumë e kënaqur për faktin se produktet tona mund të ofrohen në një treg shumë më të gjerë se ai i Resnjës, ku jetoj”, thotë Sllacica nga rajoni i Resnjës, e cila krahas mollëve të kultivuara, në tezgën e saj online ofron dhe mjaltin, si dhe uthullën bio nga mollët.

Gratë nga zonat rurale me vështirësi punësohen ose hapin biznese

Nga ana tjetër, Qanije Selimi, kryetare e Grupit të Grave Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë, se puna e grave, veçanërisht atyre në viset rurale, duhet të bëhet e dukshme.

“Kemi gra shumë të suksesshme, por duhet të bëhet më shumë në promovimin e tyre, përkatësisht [promovimin] e aktivitetit tyre që të dalin në pah me punën që bëjnë. Mendoj se mungon paraqitja e tyre në publik, përkatësisht do të thosha njoftimi me punën që ato bëjnë”, thotë Qanije Selimi.

Liljana Jonovski, e cila ka ngritur platformën e grave nga viset rurale për të plasuar prodhimet e tyre në tregun virtual, “Tezga jonë”, thotë se në këtë mënyrë u jepet një shtytje shumë e rëndësishme financiare grave nga viset rurale.

“Hulumtimi që kemi realizuar ne, si koalicion, ka nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e grave në viset e thella rurale, përkatësisht 54 për qind e tyre nuk kanë qasje deri tek informacionet për sa i përket mbështetjeve financiare për ngritjen e bizneseve të tyre. Ndërkohë, që këto gra punojnë për çdo ditë mesatarisht nga 11 orë dhe puna e tyre nuk paguhet dhe askund nuk figurojnë në sistemin e punës”, thotë Jonovski.

Ajo shton se ka marrë mbështetje nga pushteti qendror dhe ai vendor dhe veçanërisht nga studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Shkup për ngritjen e platformës “Tezga jonë”.

Liljana Jonovski thekson se ndihma e shtetit duhet të jetë e vazhdueshme sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, mund të flitet për një zhvillim të qëndrueshëm të viseve rurale.

Nga dikasteri i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, theksojnë se në mënyrë që të përmirësohet statusi i gruas në shoqëri në viset rurale, i është vënë theks i veçantë masës për “Mbështetjen e femrës aktive në familjen bujqësore”, në kuadër të programit Kombëtar për Zhvillimin Bujqësor dhe Zhvillimin Rural për periudhën 2018-2022.

Gjatë vitit 2020, 250 gra të viseve rurale përmes programit të Ministrisë së Bujqësisë, janë ndihmuar me grante prej 3 mijë eurosh, mjete këto të pakthyeshme. Ndërkohë, gjatë këtij viti kanë konkurruar 402 gra për të përfituar këto mjete.

Organizatat që në fokus kanë avancimin e grave veçanërisht atyre në zona rurale, thonë se nevojitet përforcimi i partneritet mes autoriteteve institucionale, shoqërisë civile, si dhe mediave, për krijimin por edhe njoftimin me mundësitë që kanë gratë në viset rurale që të jenë aktive në aspektin ekonomik si bartëse të bizneseve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button