fbpx

Sezon i ri, por problemet ngelin të njëjta për Kodrën e Diellit

Ndër vite nuk është punuar mjaftueshëm në infrastrukturën e Kodrës së Diellit dhe menaxhimin me mbeturina, pasi pamjet nga terreni më së miri e thonë këtë. Drejtori i Elemit, Adem Avziu dhe Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thanë se për këto çështje duhet bashkëpunim me Komunën e Tetovës. Nga kjo e fundit thonë se deklaratat politike të funksionarëve qeveritarë janë tërësisht të papërgjegjshme nëpërmjet të cilave kërkohet llogari për zgjidhje të menjëhershme, pasi sipas tyre, në kohën kur kanë kanë pasur kohë që këtë llogaridhënie ta kërkojnë më herët, të njëjtën nuk e kanë bërë, shkruan Portalb.mk.

Infrastruktura e dobët veçanërisht në lagjen e vikend shtëpizave, mungesa e parkingjeve dhe menaxhimi me mbeturina, janë vetëm tre nga problematikat me të cilat ballafaqohet kjo qendër turistike gjatë sezonit së skijimit.

Infrastruktura e Dobët

Infrastuktura e dobët në vikend lagjen është një prej shumë problemeve të kësaj qendre, pasi nuk ka kushte bazë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i pyetur për këtë se çfarë është duke u bërë në këtë drejtim në infrastrukturën rrugore dhe ndriçimin publik në atë pjesë tha se këto çështje i kanë diskutuar me kryetaren paraprake dhe me menaxhmentin paraprak të Komunës së Tetovës.

“Të gjitha këto çështje i kemi diskutuar dhe kemi qenë në fazë përfundimtare për ti realizuar qoftë ajo në përmirësim të infrastrukturës rrugore në kuadër të vikend-shtëpizave, qoftë ajo e ndriçimit publik. Por njëkohësisht edhe të rritjes së kapaciteteve të parkingut. I bëj thirrje kryetarit aktual të Komunës së Tetovës zotri Kasamit që të thellojë bashkëpunimi me institucionet qendrore me të vetmin qëllim që të reaizojmë projekte që janë në interes të qytetarëve, por pse jo me investime të tilla të thithim edhe investime të huaja.” tha Kreshnik Bekteshi.

Tre parkingje nuk janë të mjaftueshme për një qendër si Kodra e Diellit

Kodra e Diellit ka nevojë që sa më parë të ndërtohen parkingje të reja të cilat do të lehtësonin komunikacionin në këtë qendër. Krijimi i vend parkimeve të reja për këtë sezonë është thuaj se i pamundur. Gjatë kësaj periudhe, drejtori i Elemit, Adem Avziu tha kanë ndërmarrë masa për të siguruar edhe dy parkingje shtesë të cilat kanë qenë ekzistuese për qendrën e skijimit.

“Flas për parkingun numër 2 i cili është poshtë hotel Sllavias dhe parkingu numër dy i cili është përballë Skardusit. Me mirëmbajtjen e këtyre parkingjeve, kapaciteti për vendet për parkingje rritet mbi 300 vetura. Nuk do të thotë se ne e kemi zgjidhur problemin kryesisht dhe komplet për çështjen e parkimit po ne 300 veturave shtesë do ju mundësojmë parkim në qendrën turistike. Ata parkingje kanë qenë ekzistuese por nuk janë mirëmbajtur në të kaluarën.” tha Adem Avziu.

Avziu kohë më parë për Portalb.mk kishte theksuar se në planin e fizibilitetit për Kodrën e Diellit është i paraparë edhe një parking shumëkatësh në këtë qendër skijimi mirëpo kjo është nën kompetencat e Komunës së Tetovës.

Në hyrje të Kodrës së Diellit vizitorët mirëpriten me grumbuj mbeturinash

Takimi i parë i turistëve që vijnë në Kodrën e Diellit është me mbeturinat të cilat gjenden në hymje të kësaj të fundit. Kërkesa e bizneseve që operojnë në këtë qendër turistike është që të njëjtat mos të jenë aty por diku tjetër.

Avziu, i pyetur për atë se është në plan ndonjë pike tjetër ku të hidhen mbeturinat tha se kjo është pasqyra kryesore e turistëve kur vijnë në Kodrën e Diellit.

“Do ju kisha lutur këtë pyetje të ja parashtroni institucioneve komunale, konkretisht ndërmarrjes për mirëmbajtjen e mbeturinave apo nëse ka nevojë deri te kryetari i Komunës Bilall Kasami të cilët janë kompetent për këtë punë dhe ata mendoj se duhet ti menaxhojmë më së miri këto punë, pasi ne veçmë edhe i kemi turistët e parë në qendrën e turizmit.” tha Adem Avziu.

Çfarë thotë Komuna e Tetovës për këto tre problematika dhe deklaratat e Bekteshit dhe Avziut?

Për tre pikat e lartpërmendura nga Komuna e Tetovës thanë se janë në fazën e identifikimit të problemeve të shtresuara me vite dhe se janë tërësisht të angazhuar për të gjetur zgjidhje për secilin problem që shfaqet për shkak të keq menaxhimit të mëparshëm.

“Një ndër këto problem të trashëguara është edhe çështja e parkingut në Kodrën e Diellit. Janë tërësisht të papërgjegjshme deklaratat politike të funksionarëve qeveritarë nëpërmjet të cilave kërkohet llogari nga ne për zgjidhje të menjëhershme, në kohën kur kanë pasur kohë që këtë llogaridhënie ta kërkojnë më herët, por nuk e kanë bërë. Pavarësisht nga kjo, ne jemi të përkushtuar dhe të angazhuar për zgjidhje. Ne kemi dërguar inspektoratin në Kodrën e Diellit për ta identifikuar problemin dhe për t’i dhënë zgjidhje ligjore të qëndrueshme në bazë të kompetencave që ka komuna. Në këtë rast do të respektohen të gjitha procedurat ligjore dhe masat do të jenë në këtë funksion. E një njëjta gjë vlen edhe për mbeturinat. Pra, shumë shpejt do të kemi një zgjidhje.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga komuna shtojnë se problemet e shtresuara me vite nuk mund të keqpërdoren për të kërkuar llogari nëpërmjet deklaratave të politikës ditore, nga se ato kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme që sipas tyre tashmë është në proces e sipër.

Ndryshe, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të mërkurën deklaroi se veç më kanë marrë oferta për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe të njëjtat po i shqyrtojnë. Ai njoftoi se bëhet fjalë për, oferta për partneritet publiko – privat edhe për oferta të tjera, ndërsa sipas tij, paralelisht me procedurën e zgjedhjes së ofertave, po investohet nga ana e Qeverisë dhe menaxhmentit. Por duke mos dhënë detaje për të konkrezituar ato që tha.

Komisioni për Kodrën e Diellit është jofunksional. Mbajtja e një mbledhjes nuk e bën punën Komisionit për Kodrën e Diellit të suksesshme dhe funksionale, edhe pse kështu pretendon ministri i Ekonomisë në RVM, Kreshnik Bekteshi. As edhe dërgimi i emaileve mes një rrethi të ngushtë të personave që miratojnë idetë e njëri-tjetrit. Qëllimi i këtij komisioni, sipas asaj që vetë ministria u zotua, ishte që gjithë palët relevante të japin propozime për fatin e Kodrës së Diellit, dhe jo të shndërrohet në grup të mbyllur jotransparent. Nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Komuna e Tetovës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe vetë koordinatori i këtij komisioni nga Ministria e Ekonomisë konfirmojnë për Portalb.mk se deri më tani përfaqësuesit e tyre kanë marrë pjesë vetëm në një mbledhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button