Pothuaj dy dekada, shteti nuk ia del të krijojë qendër për akomodim të kafshëve të egra

Edhe pse koncepti për të drejtat e kafshëve zakonisht lidhet me mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve shtëpiake, edhe të egrat i kanë të drejtat e barabarta. Mbrojtja e tyre sigurohet me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, ku parashihet mbrojtja e biodiversitetit, të cilin e përbëjnë kafshët e egra dhe Ligji për Gjuetinë, si dhe Kodi Penal, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, fakti që deri tani asnjë rast i vetëm i helmimit të kafshëve të egra në vend nuk ka përfunduar me dënimin e autorit është shkatërrues. Dënim nuk është shqiptuar edhe nëse kafsha është e mbrojtur ose në rrezik nga zhdukja, ndërsa hetimet për kontrabandë të kafshëve të egra nuk kanë epilog. Për kafshët egra nuk tregohet kujdes as kur ndërtohen rrugë, ashtu që në mungesë të bio korridoreve ata shpesh janë edhe viktima edhe shkaktarë të aksidenteve rrugore.

Zëdhënësja e Kopshtit Zoologjik të Shkupit në një bisedë tha se fatkeqësisht në Maqedoni u kushtojmë shumë pak rëndësi kafshëve, si atyre të egra ashtu edhe atyre të pastreha.

“Jemi dëshmitarë të zhdukjes së rrëqebullit, një specie për të cilën duhet të jemi krenarë. Jemi dëshmitarë të gjuetisë së paligjshme të vazhdueshme dhe vrasjeve brutale të arinjve, ujqve, drerit, kaprollit. Shumë kafshë të egra mbahen në robëri, në zinxhir, me pranga të rënda ose në ndonjë kafaz të vogël në të gjithë vendin, ndërsa shpesh në shumë restorante ka kafshë të mbushura ilegalisht”, tha Mickovska.

Edhe pse brenda një periudhë të shkurtër kohore ZOO Shkupi i ka përmirësuar dukshëm kushtet e jetesës së kafshëve – foshnjave dhe kafshëve të reja, ajo shpesh bëhet temë në mediat botërore, si National Geographic. Mickovska shpreson se së shpejti do të mund të bëjnë përmirësime të mëtejshme dhe një mini karantinë qendër-shpëtimi do të jetë në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të përditshme për ndihmë për ndonjë kafshë nga jashtë.

“Një nga hapat e ardhshëm është rinovimi i habitatit të ariut, për të krijuar kushte më të mira”, paralajmëroi Mickovska.

Kopshtet zoologjike janë me kushte çnjerëzore,  mirëqenia e kafshëve është më e rëndësishmja dhe me çdo kusht

Por ndryshe nga kopshti zoologjik në kryeqytet, situata në kopshtet e tjera zoologjike në të gjithë vendin tonë është zhgënjyese. Mickovska thotë se ende ka emocione të përziera nga vizita në Manastir.

“Ata duhet të punojnë shumë për riparimin e habitateve, si dhe për kujdesin veterinar për çdo kafshë. Kopsht zoologjik ka edhe në Shtip, prej ku e shpëtova arushanin Tedi, i cili duhet të rinovohet ose mbyllet, nëse kjo nuk është e mundur. Mendoj se institucionet kompetente duhet të vendosin kontroll më të madh mbi këto kopshte zoologjike. Megjithatë, më e rëndësishmja është mirëqenia e kafshëve, me çdo kusht”, apelon Mickovska.

Qëndrimi i Shoqatës Ekologjike Maqedonase (SHEM) është se kafshët e egra nuk duhet të mbahen në robëri, përveç nëse janë në kopsht zoologjik ose strehë të certifikuar.

“Në atë rast duhet të sigurohen kushte të përshtatshme, përkatësisht të respektohen parimet e Asociacionit Evropian të Kopshteve Zoologjike (EAZA)”, rekomandoi Aleksandar Pavllov nga SHEM.

Kontrabanda dhe gjuetia e palejuar e kafshëve të egra janë rezultat i mungesës së kapaciteteve të autoriteteve

Sipas informatave nga policia, doganat, si dhe ato të aktivistët që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, me të cilat i disponon Meta.mk, gjuetia e pa lejuar dhe kontrabanda e kafshëve të egra endemike të zonës sonë, është tronditës siç është edhe dukuria e kontrabandës me specieve ekzotike.

Pavllov beson se duhet të punohet intensivisht në forcimin e kapaciteteve të organeve mbikëqyrëse, por edhe nëpërmjet edukimit të popullatës për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e jetës së egër dhe biodiversitetit në tërësi. Sipas tij, pavarësisht legjislacionin ekzistues me të cilin rregullohet mbrojtja e kafshëve të egra, ekzistenca e gjuetisë pa leje është rezultat i mungesës së kapaciteteve të autoriteteve për të kontrolluar sipërfaqe më të mëdha.

“Duket se mbrojtja e kafshëve të egra nuk gëzon vend të lartë në listën e prioriteteve në vend”, theksoi Pavllov.

“Gjatë viteve të kaluara kemi pasur shumë raste të shpëtimit të kafshëve të egra të lënduara dhe shpendëve apo kafshëve të egra që janë shitur ilegalisht në onlajn shpallje. Shumë kafshë të egra mbahen në robëri në të gjithë vendin, pa kushte dhe ilegalisht, por në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit Jetësor dhe MPB arritëm në një konkluzion shkatërrues – do shkojmë bashkë, do i marrim, por çfarë më pas, ku të vendosen”, thotë Mickovska, duke theksuar se në fakt kjo çështje ende nuk ka zgjidhje.

Pikë e dobët është ku të akomodohen kafshët e konfiskuara dhe të shpëtuara

“Kjo është në fakt pika e dhimbshme. Ato kafshë nuk ka ku të dërgohen. Edhe pse disa nga institucionet duan të bashkëpunojnë dhe të luftojnë kundër kësaj çështjeje, në fund serish kthehemi në fillim sepse nuk ka qendra për përkujdesje të këtyre kafshëve. Sipas të dhënave të Doganës, më së shpeshti kontrabandohen papagallët dhe zvarranikët, ndërsa më skandaloz ishte sigurisht rasti i kontrabandës së luanëve të vegjël”, tha Mickovska, duke kujtuar rastin e luanit të vogël Simba me të cilën kumanovarët mburreshin në rrjetet sociale.

Aktivistët për mbrojtje të kafshëve bëjnë thirrje që të ketë reagime për rastet në të cilat kafshë të egra mbahen në mënyrë të paligjshme në robëri në objekte të ndryshme hotelerike dhe shtëpi private.

Pavllov apelon që jo vetëm të mos lihet mundësia e regjistrimit të “objekteve” të tilla, por përkundrazi, mbajtja e kafshëve të egra në robëri t’u lihet institucioneve profesionale që do të respektojnë parimet e dispozitave ligjore të cilat e parashikojnë mirëqenien e këtyre kafshëve.

Mickovska po ashtu thekson se çdo kopsht zoologjik duhet të ketë leje nga Ministria e Mjedisit Jetësor, ndërsa nëse nuk ka një leje të tillë, bëhet fjalë për kopsht zoologjik ilegal. Sipas saj, në shumë restorante ka kopshte zoologjike private që duhen kontrolluar, por sërish lind pyetja: “ku t’i akomodojmë pastaj kafshët e konfiskuara?”.

Pothuaj dy dekada, shteti po e bën qendrën për përkujdesje të kafshëve të egra

SHEM e ka mbështetur prej kohësh nismën për hapjen e një qendre të kujdesit për kafshët e egra. Qëllimi i kësaj qendre duhet të jetë kujdesi për kafshët autoktone të lënduara apo individët e rinj të mbetur pa prindër, të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore, pra ndihmë për të arritur moshën në të cilën do të mund të mbijetojnë në natyrë.

Nevoja për një qendër të tillë është njohur për të paktën 20 vjet, ndërsa është aktualizuar veçanërisht në 8 vitet e fundit.

Sipas aktivistëve në këtë qendër, për të cilën ende nuk ka informacion nga institucionet kompetente se kur do të ndërtohet, mund të krijohet edhe hapësirë ​​për përkujdesjen e kafshëve të sekuestruara. Profesori i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare – Shkup, Misho Hristovski, në një bisedë të mëparshme lidhur me këtë temë theksoi se nëse kjo qendër do të ndërtohej deri tani, në rast se autoritetet hetuese e gjenin Simbën, do të kishte mundësi të akomodohej aty. Pavllov beson se kjo qendër është e nevojshme dhe duhet të ndodhë sa më shpejt.

Në mungesë të një objekti të tillë, Mickovska u detyrua të kërkojë ndihmë nga organizatat e huaja.

“Bashkëpunimi është kryesisht me Katër Putrat (Four Paws), një OJQ globale për mirëqenien e kafshëve që lufton për të shpëtuar çdo kafshë të egër. Ata më ndihmuan të shpëtoja arushanin  Tedi, së bashku me Fondacionin Brigitte Bardot dhe unë u jam pafundësisht mirënjohëse për këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me ta në misionet e shpëtimit, shpresoj edhe më shumë në të ardhmen”, tha Mickovska, e cila beson se ne kemi nevojë për më shumë rezervate ku do të akomodohen kafshët e egra të lënduara apo kafshët e shpëtuara nga kontrabandistët dhe gjuetarët e paligjshëm.

“Jo vetëm një, por më shumë. Një rezervat për arinj, një qendër shpëtimi për kafshë të egra më të vogla dhe qendra të rrethuara me gardhe në parqe kombëtare. Kjo është ajo që duhet bërë urgjentisht, ndërsa do të apeloj kudo derisa këto kërkesa të përmbushen edhe nga aktivistët edhe nga ekspertët”, përfundoi Mickovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button