G7 me qëndrim të përbashkët për Rusinë

SHBA-ja dhe Britania e Madhe paralajmëruan Rusinë për “pasoja serioze” nëse trupat ruse invadojnë Ukrainën, derisa një takim i ministrave të Jashtëm të G7-s mbahej në Liverpul sot, transmeton REL.

Gjatë bisedimeve në prag të takimit të shtatë ekonomive më të mëdha perëndimore, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss dhe homologu i saj amerikan, Antony Blinken u pajtuan rreth përkrahjes për Ukrainën, njoftoi Zyra britanike për Punë të Jashtme. SHBA-ja dhe Britania mbesin të shqetësuara rreth lëvizjeve ushtarake ruse, afër kufirit me Ukrainën.

Sipas NATO-s, Rusia ka grumbulluar mes 70 mijë dhe 100 mijë ushtarë në këtë zonë.

Truss komentoi grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën edhe më 10 dhjetor, duke thënë se veprimet ushtarake ndaj Ukrainës do të ishin “gabim strategjik” derisa citoi presidentin amerikan, Joe Biden i cili tha se invadimi do të kishte pasoja të rënda për Rusinë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht sovranitetin e Ukrainës, teksa ushtria ruse është grumbulluar në afërsi të kufirit ukrainas.

Biden ka “rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë më 9 dhjetor, pasi dy presidentët zhvilluan një bisedë telefonike, që zgjati rreth 90 minuta.

Presidenti Biden po ashtu “e bëri të qartë se SHBA-ja dhe aleatët e partnerët e saj janë të përkushtuar në parimin që nuk do të ndërmerren vendime dhe diskutime për Ukrainën pa përfshirjen e Ukrainës”, u tha në deklaratë.

Ai po ashtu ka ripërsëritur qëndrimin se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosin sanksione ekonomike ndaj Rusinë dhe do të rrisin ndihmën për Ukrainën, nëse Rusia pushton Ukrainën, tha Shtëpia e Bardhë.

Biden po ashtu ka biseduar me liderët e nëntë shteteve në Evropën Lindore, që janë anëtare të NATO-s, me të cilët ka biseduar për grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

Në takimin virtual ndërmjet Bidenit dhe presidentit rus, Vladimir Putin më 7 dhjetor, dy liderët kishin diskutuar për situatën në Ukrainë. Biden kishte paralajmëruar Moskën se mund të përballet me “sanksione të rënda ekonomike” nëse trupat ruse sulmojnë Ukrainën.Rusia mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën dhe Moska po kërkon garanci kundër zgjerimit të NATO-s në lindje.

Ministrat e Jashtëm të G7-ës në sesionin e parë të takimeve u përqendruan tek sfidat gjeopolitike sikurse raportet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.Gjatë takimit në mëngjes, Gjermania prezantoi disa prej prioriteteve të kryesimit gjerman me G7-ën që do të fillojë vitin e ardhshëm e ku u përfshi edhe kriza klimatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button